Konferenca Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës: Novacioni, gur themeli për zhvillimin dhe anëtarësimin në BE

 

Siguria dhe ndikimi i novacionit në zhvillim ishin në qendër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare që zhvilloi Kolegji Profesional i Tiranës. Pjesë e saj u bënë akademikë, studiues dhe inxhinierë të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj., të cilët prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e tyre në fushat përkatëse të ekspertizës. U fol për implementimin e novacionit në fushën e energjisë së ripërtëritshme, në industrinë ushtarake, në industrinë mekanike, në fushën e transportit dhe futjen e automjeteve hibride, në trajtimin e mbetjeve, si dhe për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie dhe sipërmarrje.

Rektori i Kolegjit Profesional të Tiranës, Prof. Dr. Andonaq Lamani, mikpritësi dhe njëkohësisht drejtuesi i sesionit të parë të konferencës, tha se kjo ngjarje shkencore është e përqendruar në disa fusha shumë sensitive, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Bashkimin Europian, pjesë e të cilit aspirojmë të jemi brenda një kohe të shkurtër. Edhe pse një institucion i ri, 10-vjeçar, me fokus në përgatitjen e zbatuesve dhe teknikëve të lartë, Kolegji Profesional të Tiranës nuk e lë pas kërkimin shkencor për të dhënë kontributin e tij në sektorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare.

“Siguria nuk është parë në kontekstin e sigurisë konvencionale, por në kontekstin e sigurisë energjetike, infrastrukturore dhe kibernetike. Në këtë kuadër, edhe KPT, si një institucion i arsimit të lartë që përgatit kuadro në këto fusha, e pa të nevojshme të sillte pjesëmarrës, akademikë dhe studiues me kontribute në këto fusha”, nënvizoi prof. Lamani.

Rektori theksoi se siguria në përgjithësi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale janë edhe objektiva të qeverisë shqiptare, por për të janë gur themeli për integrimin dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.

“Shqipëria është në një pikë ku kërkon të modernizojë ekonominë e saj, të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe të integrohet më ngushtë me BE-në. Ekosistemet e inovacionit mbeten të fragmentuara, të pafinancuara dhe të koordinuara dobët”, theksoi profesori. Më tej, ai sugjeroi ndërmarrjen e politikave dhe masave konkrete për të nxitur një ekosistem inovacioni më të gjallë, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rezultateve, që do ta çojnë vendin tonë në një hap të ri zhvillimi.

Sesioni i teknologjisë: transporti, energjia, industria

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare e Kolegjit Profesional të Tiranës u organizua në dy sesione. I pari iu dedikua përdorimit të teknologjisë në fushën e energjisë, industrisë dhe transportit, ku referuan një sërë personalitetesh të akademisë dhe kërkimit kombëtar e ndërkombëtar.

Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Kolegjin Profesional të Tiranës, prof. Piro Cipo, foli për përdorimin e novacionit në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duke u ndalur edhe te ndërtimi i parqeve fotovoltaike.

Dr. Ing. Ismet Drenova ndau me të pranishmit problematikat e industrisë ushtarake dhe mënyrat se si ajo mund të rivitalizohet për të sjellë përfitime në ekonominë shqiptare.

Me një eksperiencë të gjatë në institucione drejtuese në sektorin rrugor në Shqipëri, Msc. Mitat Tola tregoi mënyrat se si përdorimi i teknologjisë dhe sistemeve inteligjente mund të rrisë sigurinë rrugore në vendin tonë.

Studiuesi nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Stevan Kjosevski, foli për trendet e reja në makinat e pasagjerëve në kontekstin e transportit të qëndrueshëm dhe ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa BE-ja vijon agjendat e saj për zbatimin e strategjive që ulin ngrohjen globale. Në të njëjtën fushë eksploroi edhe pedagogu i Kolegjit Profesional të Tiranës, Ing. Msc. Ilir Palushi, i cili analizoi dhe shpjegoi trendet në rritje të prodhimit dhe përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride.

Ing. Msc. Piro Dhimitri nga Departamenti Elektro-Mekanik dhe i Sistemeve të Aplikuara në KPT, në trajtesën e tij theksoi rëndësinë e futjes së novacionit në metodat e prodhimit të çeliqeve në industrinë mekanike.

Zhvillimi dhe përdorimi i teknologjive të reja në prodhimin me kosto të ulët të ventilatorëve ishte në qendër të studimit të radhës, të punuar nga Dr. Ing. Spartak Pocari dhe Prof. Dr. Ing. Andonaq Lamani. Një tjetër punim me bashkautorë ishte ai për integrimin e ujit sanitar në sistemet e ngrohje-ftohjes së banesave, i sjellë nga Ing. Msc. Tauland Spahiu dhe Prof. Dr. Altin Dorri.

Konferencës nuk i munguan studimet për sektorët e tjerë të transportit. Ing. Arben Kasoruho foli për sfidat e transportit hekurudhor në Shqipëri, ndërsa Ing. Msc. Stavri Vesho ekspozoi sfidat në transportin ajror në vendin tonë.

Ing. Msc. Ilia Cili solli disa sugjerime se si parku i makinave metalprerëse në Shqipëri mund të përdoret për prodhime mekanike ushtarake. Futja e novacionit edhe në industrinë ushqimore për trajtimin e mbetjeve për prodhim energjie ishte studimi i prezantuar nga akademiku Prof. Ilirjan Malollari.

Sesioni i novacionit

Paneli i dytë iu dedikua tërësisht novacionit, përdorimit të IA-së dhe sipërmarrjes, dhe u drejtua nga Dr. Diana Biba, administratore e Kolegjit Profesional të Tiranës. Gjithashtu, ajo referoi për integrimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie, në procesin e të nxënit dhe në kërkimin shkencor, si një domosdoshmëri në përshtatjen me sistemet ndërkombëtare dhe për të qenë të përgatitur ndaj sfidave të reja në fushën e edukimit.

Referimi i dytë ishte nga PhD(c) Ines Troshani për rëndësinë e bashkëveprimit dhe ndërlidhjes së stafeve administrative dhe akademike, si drejtues të novacionit universitar.

Komiteti Shkencor i kësaj konference përfshiu emra të nderuar të akademisë shqiptare dhe më gjerë, si drejtues dhe pedagogë të Kolegjit Profesional të Tiranës, nga Universiteti Europian i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës, si dhe Universiteti “Aldo Moro” në Bari, Itali.