“Tirana College of Technology” (TCT) ofron katër programe studimi në nivelin Bachelor.
Programet Bachelor i përkasin Nivelit 6 të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (EQF), duke siguruar që studentët e diplomuar të përfitojnë kompetenca dhe rezultate të të nxënit që njihen në të gjithë Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Detyrimet Akademike
Programet kanë një kohëzgjatje standarde prej 3 vitesh akademike, duke përfshirë gjithsej 180 kredite ECTS, ose 60 kredite për çdo vit akademik, plotësisht të harmonizuara me Sistemin Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Kjo strukturë mbështet lëvizshmërinë akademike, transparencën dhe krahasueshmërinë e kualifikimeve në të gjithë Evropën.
Frekuentimi i detyrueshëm i procesit mësimor sipas veprimtarive mësimore, është në masën:
- 50% për leksionet
- 75% për veprimtaritë mësimore si: seminare/ushtrime, laboratorë, praktika profesionale.
Diplomimi
Diplomimi në programet Bachelor përmbyllet me mbrojtjen e diplomës, e cila mund të realizohet përmes një punimi diplome ose një Provimi të Përgjithshëm Përfundimtar.
Programi Bachelor në “Inxhinieri Software” ofron njohuri të avancuara dhe aftësi praktike në projektimin, zhvillimin dhe menaxhimin e sistemeve dhe aplikacioneve softuerike. Ky program është konceptuar për të krijuar një bazë të fuqishme teorike dhe për të zhvilluar aftësi praktike përmes laboratorëve të avancuar, projekteve reale dhe qasjes ndërdisiplinore. Studentët pajisen me njohuri në fusha si programimi, menaxhimi i projekteve softuerike, testimi i aplikacioneve, siguria dhe optimizimi i proceseve softuerike. Përmes bashkëpunimit me industrinë dhe fokusit në standardet globale, programi synon të zhvillojë profesionistë që udhëheqin inovacionin dhe eficiencën në inxhinierinë softuerike.
Programi i Bachelor në “Inxhinieri Elektronike” është i përqendruar në thellimin e njohurive mbi fenomenet, teknologjitë, problematikat dhe teoritë që lidhen me fushën e inxhinierisë elektronike. Ky program ofron njohuri bazë dhe të avancuara për formimin profesional të një inxhinieri elektronik. Përveç kësaj, programi integron lëndë me një fokus të veçantë praktik, duke synuar zhvillimin e aftësive të larta profesionale të bazuara në një kuptim të thelluar të shkencës dhe teknologjisë elektronike.
Programi Bachelor në “Inxhinieri Civile” është i përqendruar në thellimin e njohurive mbi fenomenet, çështjet, problematikat dhe teoritë që lidhen me fushën e inxhinierisë civile. Ky program ofron njohuri bazë dhe të thelluara për formimin profesional të një inxhinieri civil, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë në proceset e ndërtimit dhe projektimit. Një aspekt i rëndësishëm i këtij programi është integrimi i lëndëve që përfshijnë mjete dhe teknologji të avancuara për projektimin. Këto teknologji ndihmojnë studentët të zhvillojnë aftësi praktike që janë të nevojshme për të adresuar sfidat komplekse në fushën e inxhinierisë civile.
Programi Bachelor “Inxhinieri mekanike” është një program inovator dhe mbi të gjitha një program me rëndësi të vecantë në epokën dixhitale në të cilën jetojmë. Teknologjia ka një ndikim të theksuar në rritjen ekonomike në periudhën e sotme. Për shembull, sektorët e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit kanë qenë shumë të suksesshëm në krijuar vende pune të reja dhe rritje të PBB-së.Programi permban bazat e nevojshme shkencore, si dhe aftësinë në fushën e inxhinierisë mekanike.
Zgjidhni programin që ju përshtatet dhe përfitoni nga të gjitha mundësitë dhe lehtësitë që TCT ofron gjatë rrugëtimit tuaj akademik.
Për t’u njohur në detaje me atë se çfarë ofron secili program, planin mësimor, mundësitë e karrierës etj. klikoni në secilin prej tyre.