Fjala e Rektorit

Në emër të Kolegjit Universitar “Tirana College of Technology”, dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen! 

Pas dhjetë vitesh histori suksesi, me fokus në formimin e zbatuesve dhe teknikëve të lartë, Kolegji Profesional i Tiranës ka kaluar në një stad të ri zhvillimi si “Tirana College of Technology”, duke ofruar edhe katër programe të reja Bachelor në disa nga fushat më të rëndësishme të industrisë në Shqipëri dhe botë, siç janë: Inxhinieria Mekanike, Inxhinieria Civile, Inxhinieria Elektronike dhe Inxhinieria Software. Këto fusha janë më të ekspozuarat ndaj zhvillimeve të teknologjisë digjitale, të cilat kërkojnë njerëz, profesionistë të rinj të përgatitur për t’u përballur me tregun e punës në këtë botë të madhe ndryshimesh e përparimesh teknologjike gjithnjë në rritje. Sfida jonë e përbashkët si “Tirana College of Technology” është të punojmë së bashku që teknologjia të bëhet një forcë pozitive dhe transformuese në jetën tonë, në ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Është privilegj për mua të jem pjesë e një ekipi që buron nga bota akademike dhe që është i lidhur ngushtësisht me sipërmarrjen, teknologjinë dhe risitë që ajo ka sjellë ndër vite në vendin tonë

“Tirana College of Technology” mbështetet ne tre shtylla kryesore të një instititucioni prestigjioz të arsimit të lartë qe janë:

Së pari, programet e studimit që ofron “Tirana College of Technology”, nuk janë një zgjedhje rastësore. Përkundrazi, janë programe studimi, me kurrikul të orientuar nga tregu arsimor i punës dhe nevojat e këtij tregu për profesionistë me nivelin e duhur teorik dhe aftësi të mira praktike. Me një portofol të pasur akademik, TCT është vendi i duhur për të gjithë ata që janë në kërkim të profesionit të vërtetë.

Së dyti, stafi akademik – një kombinim brezash me përvoja të shquara akademike dhe profesionistësh të rinj të orientuar drejt praktikës, të cilët me metodologjitë moderne të mësimdhënies, veprimtarinë ndëraktive në zhvillimin e punëve laboratorike dhe të praktikave në terren si dhe këshillimin akademik, drejtojnë udhën tuaj drejt profesionit të vërtetë.

Së treti, një infrastrukturë me laboratorë e pajisje moderne në dispozicion dhe e cila pasurohet në vazhdimësi: mjedise akademike me të gjitha mjetet moderne të mësimdhënies dhe mjedise zbatuese praktike si laboratorë dhe ofiçina, ku studentët kanë të gjitha lehtësirat e nevojshme në përvetësimin dhe konsolidimin e njohurive teorike dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Këto tri elementë, të ndërthurura me bashkëpunimin e ngushtë me biznesin dhe industrinë, janë kombinimi i duhur për një proces akademik sa më cilësor dhe për një sistem efikas edukimi, i aftë të ndjekë dhe të përballojë ndryshimet e shpejta teknologjike, që dikton koha.

Ndaj, Ju mirëpresim në “Tirana College of Technology”!

Nuk ka kohë për të humbur! Eja! “Ndërto botën tënde!”