Me dosjen dhe dokumentet e nevojshme hyn në Zyrën e Regjistrimeve të Tirana College of Technology. Është ndër maturantet e para të ditës së parë të regjistrimeve. Madje, ka udhëtuar herët në mëngjes nga Pogradeci, ku jeton me familjen, drejt kryeqytetit, për të zënë vendin e saj në programin bachelor Inxhinieri Software, të siguruar nga listat e aplikantëve të raundit të parë.
Orientimi nuk është i vështirë për Suela Hafësllarin. E ka të njohur mjedisin dhe pedagogët e Tirana College of Technology. Ajo është një ndër tre vajzat e skuadrës së gjimnazit “Gjergj Pekmezi”, i cili fitoi edicionin e parë të konkursit “TCT Energy Challenge” me projektin FSDA (Filtri Satelitor Droni i Ajrit), i cili propozon përdorimin e teknologjive të reja për matjen dhe filtrimin e ajrit në vendin tonë.
Në fakt, ajo që nisi si një ide për të përmbushur detyrimin e vitit të fundit të shkollës u përpunua dhe u zhvillua më tej sapo panë njoftimin për konkursin. Projekti që thjesht donte të linte shenjën e vet për nxënësit e ardhshëm të gjimnazit të Pogradecit u shndërrua në një histori suksesi për maturantet dhe vetë institucionin. Skuadra që zuri vendin e parë, përveç vlerësimit financiar, fitoi një bursë të plotë studimi, ndërsa gjimnazi i tyre siguroi një panel diellor 10 kW.
Suela tregon se u deshën muaj të tërë pune, nën mentorimin e mësueses Klodiana Mançellari, për të përmbyllur projektin, që nga faza e ideimit, mbledhja e të dhënave, ndërtimi i uebsajtit e më tej i aplikacionit. Pavarësisht se duhej të mësonin për provimet e Maturës, ato shfrytëzonin orët e pushimit dhe të Edukimit Fizik duke u përgatitur për ditën e konkursit, i cili u mbajt më 16 maj. “Është një ditë që nuk do ta harroj. Përveç emocionit të fitores, u lumturova nga telefonatat e familjarëve, të cilët e kishin parë në televizor dhe më uronin”, rrëfen Suela.

Bashkëpunimi dhe puna në grup ua bëri më të lehtë procesin. Ndërsa shoqet e saj u morën më shumë me pjesën e Fizikës, Suela ishte ajo që mbajti peshën më të madhe në anën e Informatikës, me ndërtimin e uebit dhe të aplikacionit, në të cilin pasqyrohet harta me zonat më të ndotura. Suela thotë se ky është një projekt risi, i pari që ndërtohet për të matur përmes dronëve ndotjen e ajrit në Shqipëri dhe për të identifikuar zonat më të ndotura. Ato e kishin planifikuar vetëm për tre zonat më të ndotura të qytetit të Pogradecit, por kur vendosën të konkurronin, e shtrinë projektin në të gjithë Shqipërinë.
Pasioni i saj për informatikën dhe kompjuterët luajti një rol të rëndësishëm për të vendosur për të ardhmen, por nuk ishte vendimtar. Fillimisht mësuesja e tyre i pyeti për interesat dhe drejtimet profesionale që dëshironte secila nga vajzat, për të parë nëse ato përputheshin me programet profesionale dhe bachelor që ofron Tirana College of Technology. Pastaj, fjalën e fundit e tha fati. Shorti mes tre vajzave përcaktoi Suelën si fituese të bursës së plotë, e cila zgjodhi të vijonte studimet në programin Inxhinieri Software, një nga katër programet bachelor në TCT.
Pas heqjes dorë në vitin e parë të gjimnazit nga ideja për t’u bërë infermiere, si një mundësi për t’u larguar jashtë vendit, Suela kishte kohë që e projektonte veten si një zhvilluese softuerësh. Kërkimi i thirrjes së brendshme dhe dëshira për të qëndruar pranë prindërve e motrës e orientuan drejt kësaj rruge. “Që e vogël e kam pasur qejf. Kishim një laptop në shtëpi dhe shumë herë merresha me të dhe me programim.”
Prova e fundit që duhej të tejkalonte ishte skepticizmi i mamit. E njohur më shumë me degët tradicionale, programi i Inxhinierisë Softuerike ishte një profesion i ri dhe jo aq i njohur për të. “Duhej t’i flisja për mundësitë që ofron tregu i punës dhe pse ky profesion është kaq i përhapur në ditët e sotme, që ajo të kuptonte zgjedhjen time”, thotë Suela.
Sugjerimi i mësuese Klodianës, fjalën e së cilës e ka tej mase të rëndësishme, e bindi përfundimisht se po bënte zgjedhjen e duhur me universitetin dhe programin e studimit. “Është një universitet i mirë dhe jam ndier e mirëpritur. Më e rëndësishmja, mendoj se me studimet këtu do ta kem më të lehtë të realizoj synimet për zhvillimin tim profesional.”
Pas regjistrimit në TCT, Suela thotë se duhet të zgjidhë pjesën e akomodimit. Në mendje i ka të qarta alternativat, por po pret që edhe mikeshat e saj të zgjedhin programet e studimit. E qartë dhe e vendosur, mezi pret të nisë këtë rrugëtim të ri, për të realizuar ëndrrat e për të qenë një model e forcë mbështetëse për motrën e saj më të vogël, e cila po ashtu shumë shpejt do të vijë në kryeqytet për të studiuar.

