Tirana College of Technology vijon të dëshmojë se formimi profesional është një garanci drejt tregut të punës dhe sipërmarrjes. Historia e ish-studentit Olsi Qosja e dëshmon qartë këtë.
“Jo më i miri, por më kërkuesi.”
Me këtë moto e nisi prezantimin e tij Olsi Qosja në workshop-in e Tirana College of Technology, dedikuar tendencave dhe teknologjive të reja në sektorin e ajrim-kondicionimit. Ky ishte rikthimi i tij i parë në auditorin e TCT-së, tashmë si ish-student, me një histori suksesi në këtë sektor. Vetëm pak muaj pas diplomimit, ai mori angazhimin për të hyrë në sipërmarrje dhe për të investuar gjithë njohuritë e fituara gjatë praktikës profesionale dhe punëve të bëra ndër vite në biznesin e tij të ri, Alpha Klima, e specializuar në sistemet Split, Multi-Split, Chiller dhe VRF.
“Surpriza e vërtetë e këtij takimi”, e cilësoi pedagogia Ing. Marjeta Dhima praninë e ish-studentit të saj për të ndarë eksperiencën personale me kolegët e ardhshëm, studentët e vitit të parë dhe të dytë në programin profesional dyvjeçar “Teknologji e Ajrimit dhe Kondicionimit”, një pjesë e mirë e të cilëve kanë nisur eksperiencat e para të punës dhe së shpejti do të jenë plotësisht pjesë e tregut të punës.
Përmes dy fotove nga procesi i instalimit të sistemit ngrohje- ftohje në pallate, njërën kur ishte student dhe tjetrën si sipërmarrës, Olsi Qosja ilustroi metamorfozën e muajve të fundit të jetës së tij. “Kam marrë njohuri dhe shumë inspirim në këtë kolegj”, iu drejtua ai auditorit, duke theksuar se profesioni që kanë zgjedhur, me bumin e ndërtimeve, futjen e teknologjive të reja dhe rregullat ndërkombëtare për të ruajtur mjedisin, kërkon njohuri të thelluara dhe të përditësuara. Gjithsesi, mbetet një shërbim i domosdoshëm dhe jetik për qytetarët.
Përtej njohurive, ka një komponent thelbësor që i ka diktuar rrugën: dëshira dhe guximi për të dalë nga comfort zone, duke përballuar riskun e dështimit. Ambicia për të ecur përpara ka nisur herët, pas mbarimit të gjimnazit profesional Harry Fultz në fushën e elektronikës dhe eksperiencave të tjera profesionale.
Fillimet ishin të vështira, shumë sfida, shumë refuzime. Por, siç thotë vetë Olsi Qosja: “Sa më shumë dyer të trokasësh, aq më i madh është shanci që një derë të hapet.”
Falë këmbënguljes dhe pasionit për të zgjeruar aktivitetin e tij, Olsi Qosja sot bashkëpunon me Mitsubishi Electric, një nga kompanitë lider në botë në fushën e ajrim-kondicionimit, ku ekipi bashkëpunues është gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar.
Edhe pse në hapat e parë biznesi kishte më pak se 4 punëtorë, ai tregon kujdes të shtuar ndaj çdo detaji që përfaqëson sipërmarrjen, nga zgjedhja e ambientit të zyrës deri te marketingu online, duke pasqyruar profesionalizmin e tij. Vitet e kaluara me eksperienca të pasura jetësore kanë qenë një shkollë e vërtetë, ku ka mësuar komunikimin, ka njohur më shumë natyrën njerëzore dhe mbi të gjitha funksionimin e tregut. Tashmë, si një sipërmarrës i ri, ka vetëm një këshillë për studentët: “Provoni çdo gjë dhe bëni çdo punë derisa të vijë momenti që do të kuptoni çfarë dëshironi të bëni vërtet në jetë.”
“Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi”, 10 vite histori në TCT
Dhjetë vite më parë, në pranverë-verën e vitit 2015, kur themeluesit e Kolegjit Profesional të Tiranës po diskutonin për programet e para që duhet t’u ofronin studentëve të parë, “Teknologji e Ajrimit dhe Kondicionimit” ishte një nga sugjerimet e para. Tregu shqiptar ishte i etur në atë kohë për profesionistë të tillë, për mekanikë, hidraulikë dhe teknikë në fushën e ndërtimit apo elektronikës. Vitet dhe numrat e regjistrimeve tregojnë se ende ky profesion është i kërkuar, ndërsa rezulton të ketë shënuar rekorde mjaft pozitive.
Administratorja e TCT-së, Diana Biba, thotë se ky program studimi ka numrin më të madh të studentëve që kanë hapur biznesin e tyre. Disa prej tyre operojnë në Tiranë, e të tjerë në qytete të tjera të Shqipërisë, gjithmonë duke mbajtur lidhjet me kolegjin dhe tregun e punës në Tiranë.
“Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi” përgatit profesionistë në fushën e asistencës në projektim, zbatim dhe mirëmbajtje të sistemeve të ngrohjes, ftohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar (HVAC). Programi aftëson studentët të përdorin konceptet dhe ligjësitë bazë teorike e praktike dhe të kenë shprehitë e nevojshme për të zgjidhur problemet teknike që do të hasin gjatë punës në profesionin e tyre.

