Ndërtimi i partneriteteve ka qenë element kyç në rritjen dhe zhvillimin e Tirana College of Technology. Aktorë të shumtë, brenda dhe jashtë vendit, janë bërë bashkëpunëtorë të këtij rrugëtimi dhjetëvjeçar, prej të cilit më së shumti kanë përfituar studentët.
Koha kur universiteti ishte një ishull i izoluar, i fokusuar vetëm në prodhimin e dijes, është tashmë e tejkaluar. Megatrendet kanë ridimensionuar rolin e këtyre institucioneve, të cilët më shumë se kurrë janë bërë pjesë proaktive e zhvillimeve rrënjësore që pëson shoqëria. Përballja me sfidat dhe problematikat e ngjashme ka zhvilluar gjithashtu një aspekt të ri që ka të bëjë me ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe partneriteteve mes tyre, me industrinë apo institucione të tjera shoqërore, të natyrave dhe fushave të ndryshme.
Një institucion i lartë arsimor nuk mund të jetë i plotë pa elementin e bashkëpunimit, i cili përtej ndikimit në pozicionimin e institucionit, kontribuon në rritjen e standardeve dhe cilësisë akademike. Që në fillimet e veta, Kolegji Profesional i Tiranës, tashmë Tirana College of Technology, i ka kushtuar vëmendje të madhe ndërtimit të partneriteteve me industrinë dhe universitetet.
Aministratorja e TCT-së, Dr. Diana Biba thotë se bashkëpunimet e para kanë nisur me bizneset dhe industrinë lokale, të cilët u kthyen në partnerë të ngushtë dhe të vyer për formimin profesional të studentëve. Ata dhanë kontribut në ngritjen e laboratorëve të këtij kolegji, në ndërtimin e kurrikulave, ofrimin e praktikave disa mujore dhe më tej punësimin e teknikëve të lartë të diplomuar nga ky kolegj universitar.
Sa i përket bashkëpunimit me universitetet, partnerët e parë kanë qenë Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Durrësit, ndërsa në planin ndërkombëtar akulli u thye me Universitetin e Thesailsë.
“Në fillimet tona kemi pasur një periudhë shumë intensive pasi donim të njiheshim, donim të bënim partnershipe, rrjetëzime. Para pandemisë, kemi shfrytëzuar panairet që zhvilloheshin nga universitete të ndryshme në Shqipëri, për të prezantuar veten dhe atë që mund të bënim”, thotë administratorja Biba.
Për një institucion të ri të formuar në 2015-ën, e mbi të gjitha për një kolegj profesional që ofronte vetëm programe profesionale 2-vjeçare, sfida më e madhe mbetej krijimi i besueshmërisë. Biba thotë se për këtë iu është dashur të punojnë fort, të tregojnë përkushtimin, angazhimin dhe profesionalizmin e tyre, që solli pastaj shumë bashkëpunime të suksesshme.
Përfshrija në projektet kombëtare dhe Erasmus+
Në historinë e tij 10-vjeçare, Tirana College of Technology numëron 18 projekte në portofolin e vet, shumica prej të cilëve janë projekte të programit Erasmus Plus, të financuara nga Bashkimi Europian. Në projektet e fituara gjatë 2025, TCT është lider i dy prej tyre, dëshmi e seriozitetit dhe përkushtimit që ka treguar ndër vite.
Administratorja e TCT, Diana Biba thotë se përfshirja në projektet Erasmus+ ka filluar në 2020-ën, kur ky kolegj u bë pjesë e dy projekteve pilote që ofronin skema mobiliteti për studentët. Falë kësaj mundësie, ata zhvilluan vizita studimore dy javore, 1 dhe 3 mujore në kompani të ndryshme europiane.
“Studenti vendosej pranë një kompanie në vende të ndryshëm të BE-së, në Slloveni, Sllovaki, Poloni, Greqi, Itali, Belgjikë dhe ishte punonjës i saj. Përveç praktikës së punës, kjo eksperiencë ishte e vlefshme edhe për ato që quhen aftësi të buta. Studenti fitonte një lloj pavarësie në jetesëm, e njëkohësisht njihte kultura të tjera”, nënvizon Biba.
Përveç ndikimit në rritjen profesionale të studentëve, këto projekte kanë qenë po aq të vyera dhe të dobishme për stafin akademike atë administrative, por edhe për vetë rritjen dhe zhvillimin e kolegjit. Bashkëpunimi me kolegje dhe universitetet homologe, gjithashtu, ishte i dobishëm për përmirësimin e kurrikulave, për t’iu përafruar atyre të standardeve europiane dhe që i pajisin studentët me aftësi të tjera të nevojshme për profilin e tyre të punës.
Nga ana tjetër, ndërtimi i këtyre kurrikulave për një kolegj profesional kërkonte edhe ngritjen e laboratorëve me pajisjet dhe teknologjinë e fundit, disa prej të cilave u financuan pikërisht përmes projekteve ku TCT u përfshi, fokusi i të cilave ishte pikërisht fuqizimi i arsimit profesional.
Në tjetër projekt që ajo veçon dhe ku TCT ishte lider, u zhvillua gjatë dhe pas pandemisë, një kohë mjaft e vështirë për të gjithë, por sidomos për industrinë. Pedagogët e këtij kolegji propozuan zgjidhje efektive për disa biznese, siç ishte ofrimi i trajnimeve në fushën e gazeve serrë, në gazet e flourinuara, për të cilat sektori vendas nuk ecte në të njëjtat ritme me të cilat Shqipëria po përparonte ligjërisht, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.
Përveç zhvillimit të mobiliteteve, ngritjes së laboratorëve, fuqizimit të arsimit profesional në Shqipëri, me ofrimin e katër programeve të reja në ciklin Bachelor, Tirana College of Technology zgjerohet me dimensionin e mirëfilltë shkencor. Përfshirja në projekte të tilla, që kërkojnë ide, kërkime dhe propozime konkrete, të cilat iu përgjigjen objektivave të Bashkimit Europian dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, janë sfidat e reja të TCT në dekadën e re të jetës së tij.

