Si rektori i parë dhe i një dekade, prof. dr. Luan Karçanaj ka qenë pjesë e shumë proceseve që formësuan dhe fuqizuan Tirana College of Technology. Ai shpjegon se ka një formulë që e bëri këtë institucion të suksesshëm ndër vite.
Pas dhjetë viteve eksperiencë të Tirana College of Technology, qindra të diplomuar dhe të punësuar në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës, qëndron suksesi i një formule. Përtej vullnetit, pasionit, përkushtimit, misionit që ka çdo institucion arsimor qoftë publik apo jopublik, TCT u mbështet në tre shtylla: Kombinimi i brezave të pedagogëve të rinj me ata me përvojë akademikë; ngritja e laboratorëve modernë; bashkëpunimi i ngushtë me biznesin privat.
Me marrjen e mandatit të parë, qeveria Rama i dha prioritet arsimit të lartë profesional duke krijuar hapësira ligjore për themelimin e institucioneve të reja arsimore. Kolegji Profesional i Tiranës, tashmë Tirana College of Technology, u bë në 2015-ën IAL i parë që ofronte formim 2-vjeçar profesional.
Ai e nisi veprimtarinë me nëntë programe studimi: Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Elektronikë; Database dhe Web Design; Elektro-Mekanikë; Teknologji Automjetesh; Mekatronikë; Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi; Gjeodezi; Teknologji Ndërtimi. Ishin programe të zgjedhura me kujdes, në konsultim me ekspertët dhe industrinë, për të plotësuar nevojat dhe boshllëqet që kishte tregu.
“Programet e para u hapën me filozofinë për të furnizuar me teknikë të lartë dhe zbatues sektorët ku kishte mungesë. Hapja e një institucioni të tillë si KPT ishte i domosdoshëm për tregun e punës”, tregon prof. dr. Luan Karçanaj, rektori i parë i këij institucioni.
Pas një eksperience të gjatë si profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në institucione të ndryshme kërkimore, duke qenë një autoritet i spikatur i fushës së inxhinierisë elektronike, Karçanaj e kishte të qartë vizionin me të cilin mori jetë Kolegji Profesional i Tiranës. Ai e mirëpriti që në krye të herës propozimin e themeluesit për të marrë drejtimin e këtij institucioni, detyrë që e mbajti për një dekadë.
Dha kontributin e tij në formimin e një ekipi me emra të njohur të akademisë, e konkretisht të fushave inxhinierike, për të vijuar më tej punën në hartimin e kurrikulave dhe ngritjen e laboratorëve. Përgjatë 10 viteve kanë dhënë kontributin e tyre më shumë se 160 persona staf akademikë me formim të lartë profesional, duke pasur gjithmonë një kombinim të pedagogëve të rinj, me formim brenda dhe jashtë vendit, me ata me përvojë të gjatë në universitetet publike dhe jopublike.
“Ky ekip hartoi formulën e KPT-së: një model i bazuar në laboratorë modernë, ku theksi vihej tek mësimi praktik, puna në terren dhe integrimi i drejtpërdrejtë në tregun e punës”, shprehet profesori.
Në bashkëpunim me kompaninë greke Politech u ngritën laboratorë për çdo program studimi, duke iu mundësuar studentëve kalimin e një kohe të konsiderueshme në këto ambiente ku njihnin çdo proces të punës dhe çdo teknologji të re të zanatit. Nga laboratorët e Mekanikës te ata të Ajër-Kondicionimit e më tej të Elektronikës, këto ambiente mbeten të preferuarat e studentëve pasi aty konkretizojnë teorinë, zbërthejnë konceptet dhe përsosin praktikën.
“Ne vendosëm që programet tona të ishin të thjeshta, të mos kishin aparat të ngarkuar matematikor dhe të kishte kryesisht koncepte. Mbi bazën e këtyre koncepteve të zhvilloheshin eksperimentet nëpër laboratorë. Ishim të bindur që t’i mëshohej më shumë praktikës sesa teorisë”, shpjegon më tej prof. Karçanaj.
Një tjetër kontributon në suksesin e TCT-së ka qenë partneriteti industri- akademi, jo vetëm në fazat e para të konsultimit për programet dhe kurrikulat, por i shtrirë edhe më tej në ofrimin e mundësive për praktika profesionale disa mujore, e më tej punësimin e atyre studentëve që spikasnin në këto praktika.
Eksperienca e KPT-së tregoi se vetëm përmes kësaj formule mund të realizohet plotësisht qëllimi i arsimit profesional: përgatitja në kohë të shkurtër e teknikëve dhe specialistëve të lartë, punësimi i menjëhershëm i tyre në tregun kombëtar apo ndërkombëtar të punës, shoqëruar me garancinë për të ndryshuar standardin e jetës së tyre, duke qenë se ata formohen në profile dhe sektorë të kërkuar dhe të vlerësuar financiarisht.

