Tirana College of Technology, koordinatore e konsorciumit të projektit EDUFAIR
Inteligjenca Artificiale, edhe pse një zhvillim i pritshëm, ka sjellë mundësi të reja, por edhe të panjohura dhe sfida për individët, institucionet dhe shoqërinë në tërësi. Përdorimi i saj ka ngritur shqetësime lidhur me besueshmërinë e informacionit, dezinformimin, paragjykimet online, privatësinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe ndikimin e mundshëm në tregun e punës.
Integrimi i saj në sektorët kyç të ekonomisë, në tregun e punës dhe në jetën e përditshme ka rritur nevojën që institucionet, veçanërisht ato arsimore, të zhvillojnë qasje të përgjegjshme ndaj përdorimit të saj, pasi roli i tyre mbetet thelbësor në periudha risish dhe transformimesh.
Në kuadër të nismave për të nxitur integrimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin për përdorimin e Inteligjencës Artificiale, nisi zbatimi i projektit EDUFAIR (Advancing Quality Higher Education in Western Balkans through Facilitating AI Integration in Teaching, Learning and Research).
Ky projekt bëri bashkë universitetet, institucionet politikëbërëse, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset, me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të drejtuara nga inteligjenca artificiale për mësimdhënien, të nxënit dhe kërkimin shkencor.
Pjesë e programit Erasmus+ Capacity Building in Higher Education 2024 dhe i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, ky projekt ka pasur si objektiv kryesor çuarjen përpara të arsimit të lartë cilësor në Ballkanin Perëndimor, duke lehtësuar integrimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie, të nxënit dhe kërkimin shkencor, duke rritur kompetencat digjitale dhe duke nxitur praktikat arsimore gjithëpërfshirëse.
Një tjetër synim po aq i rëndësishëm i projektit ka qenë kapërcimi i hendekut midis arsimit dhe tregut të punës, duke siguruar që të diplomuarit të pajisen me aftësitë e kërkuara për epokën digjitale. Në të njëjtën kohë, projekti synon të kontribuojë në zhvillimin rajonal përmes integrimit të mjeteve dhe teknologjive digjitale.
Integrimi i IA-së në arsimin e lartë nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë; ai lidhet me riformësimin e të nxënit, përmirësimin e aksesit dhe krijimin e kornizave etike që udhëheqin përdorimin e saj.
Eksperti i Transformimit Digjital dhe pjesë e ekipit EDUFAIR, Dr. Erjon Curraj, shprehet se ky projekt mori jetë nga bindja se Inteligjenca Artificiale nuk është thjesht një tjetër risi teknologjike, por një mjet me potencial transformues për shoqërinë.
“Në një kohë kur shumica e universiteteve në rajon po eksperimentonin me AI-në si një mjet të zakonshëm teknologjik, ne pamë diçka më shumë dhe vendosëm ta trajtojmë si strategji. EDUFAIR lindi nga bindja se inteligjenca artificiale nuk është thjesht një mjet me ndikim periferik në edukim, por një bosht transformues i mënyrës se si mësojmë, japim mësim, bëjmë kërkim apo drejtojmë institucionet e së ardhmes”, thekson Curraj.
EDUFAIR nisi zyrtarisht më 27 janar 2025, në një tryezë të gjerë që mblodhi bashkë partnerët e projektit, përfaqësues nga institucionet, palët e interesuara dhe aktorë të shoqërisë civile. Konsorciumi i projektit përbëhet nga nëntë institucione dhe koordinohet nga Tirana College of Technology. Institucionet partnere janë kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova, të tilla si: SCiDEV (Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim), CCIS (Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare), Universiteti i Vlorës, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Kolegji Universum O.P., Universiteti i Salentos (Itali), Universiteti i Studimeve të Bibliotekave dhe Teknologjive të Informacionit (Bullgari).
Me një kohështrirje prej 24 muajsh, në kuadër të projektit janë realizuar aktivitete dhe konsultime, janë hartuar rregullore, janë pilotuar masa konkrete dhe është vlerësuar zbatimi fillestar i tyre, ndërsa vijon faza e ndërgjegjësimit publik. Faza e parë e projektit, e fokusuar në zhvillimin e një strategjie për veprimin digjital, nisi me dy vizita studimore të organizuara nga Universiteti i Studimeve të Bibliotekave dhe Informacionit në Sofje dhe Universiteti i Salentos në Leçe.
Këto vizita shërbyen si nxitje për zhvillimin e seancave reflektuese dhe takimeve konsultuese me palët e interesuara, me qëllim vlerësimin e nevojave dhe mbledhjen e njohurive mbi hapat që universitetet duhet të ndërmarrin për të përfshirë në mënyrë etike IA-në në proceset e tyre të përditshme. Gjetjet dhe raportet e përgatitura u shqyrtuan nga SCiDEV (Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim), e cila më tej mbështeti hartimin, në konsultim me universitetet, të rregulloreve, strategjive dhe planeve të veprimit të përshtatura sipas nevojave të tyre.
Faza e dytë e zbatimit të projektit vijoi sërish brenda universiteteve për të ndërtuar kapacitetet e stafit akademik dhe studentëve. Bazuar në planet dhe nevojat e evidentuara gjatë fazës së parë, Universiteti i Salentos dhe Universiteti i Studimeve të Bibliotekave dhe Teknologjive të Informacionit përgatitën një paketë materialesh trajnimi, kurrikulash dhe udhëzuesish mësimorë, të hartuara për të përmirësuar kompetencat digjitale dhe përdorimin e mjeteve të IA-së nga fakultetet, stafi dhe studentët në pesë universitete. Procesi vijoi me trajnimin e përfaqësuesve të universiteteve, stafit akademik dhe studentëve që janë pjesë e projektit nga ekspertët e dy universiteteve të Bashkimit Evropian.
Rrugëtimi i secilit universitet në Shqipëri dhe Kosovë në këtë projekt, si dhe përvoja me pilotimin dhe testimin e zbatimit të udhëzimeve etike të IA-së, u vlerësuan nëpërmjet një formulari të plotësuar nga secili institucion. Interpretimi dhe analiza e këtyre të dhënave u kryen më tej nga CCIS dhe SCiDEV.
Eksperti i Transformimit Digjital, Dr. Erjon Curraj, thotë se universitetet partnere nuk e shohin më IA-në si diçka kalimtare, por si pjesë të vizionit të tyre afatgjatë dhe të transformimit digjital.
“Falë punës në terren me universitetet në Shqipëri dhe Kosovë dhe ndihmës së partnerëve evropianë, kemi kaluar nga pilotimet spontane me IA-në tek konkretizimi i strategjive institucionale, udhëzimeve për etikën e deri tek buxhetimet për infrastrukturën e IA-së, edhe pse kjo e fundit në nivele modeste”, thekson Curraj.
Ndër sfidat që universitetet duhet të adresojnë janë nivelet e ndryshme të gatishmërisë institucionale, burimet e kufizuara për infrastrukturën dhe licencat e IA-së, nevoja për trajnim të vazhdueshëm, mbrojtja e të dhënave dhe integriteti akademik. Një sfidë tjetër mbetet kalimi nga strategjitë dhe udhëzimet në praktikat e përditshme të mësimdhënies dhe kërkimit.
Një zhvillim pozitiv gjatë zbatimit të projektit, sipas Currajt, është interesi i universiteteve dhe institucioneve të tjera që nuk janë pjesë e projektit dhe që duan t’i bashkohen rrjetit EDUFAIR për të shkëmbyer përvoja. Sipas tij, ky interes mund të ndihmojë në krijimin e një komuniteti rajonal dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe industrisë.
Faza e tretë dhe e fundit e projektit synon nxitjen e bashkëpunimit dhe krijimin e rrjeteve me palët e interesuara, përfshirë universitetet, industrinë, politikëbërësit, publikun, shoqërinë civile dhe median. Curraj e konsideron të rëndësishme përfshirjen më të fortë të institucioneve publike dhe shoqërisë civile për të adresuar hendekun aktual të aftësive digjitale në Shqipëri. Prandaj, sipas tij, transformimi digjital i arsimit mund të kontribuojë në transformimin digjital të shoqërisë.
“Sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2023, 23,3% e popullsisë së Shqipërisë të moshës 16–74 vjeç kishte të paktën aftësi digjitale bazë, kundrejt 55,6% në Bashkimin Evropian. Objektivi i Dekadës Digjitale është që kjo përqindje të arrijë në 80% në BE deri në vitin 2030. Ky hendek e bën të rëndësishëm rolin e universiteteve në zhvillimin e aftësive digjitale dhe përdorimin e përgjegjshëm të IA-së”, thotë Curraj.
Gjatë fazës përmbyllëse të projektit do të organizohen punëtori dhe webinare, gjatë të cilave do të prezantohen rezultatet e projektit, sfidat e hasura, qasjet e institucioneve, si dhe do të diskutohet nevoja për përdorimin etik të IA-së në arsimin e lartë. Për këtë qëllim, partnerët e projektit do të prodhojnë një seri artikujsh, podkastesh dhe dokumentesh për të informuar publikun mbi përdorimin efektiv të teknologjive të reja dhe për të kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin etik të IA-së.
Përvoja e EDUFAIR tregon se integrimi i inteligjencës artificiale në universitete është një proces gradual. Ai kërkon jo vetëm mjete teknologjike, por edhe politika të qarta, investime të qëndrueshme, kapacitete njerëzore dhe mekanizma që mbrojnë cilësinë, etikën dhe të drejtat e përdoruesve.

