Tirana College of Technology nis bashkëpunimin me ACTI-n, komunitetin më të madh të teknologjisë në Shqipëri

 

TCT i afrohet vitit të ri akademik me programe të reja studimi dhe partneritete ambicioze. Firmosja e memorandumit të bashkëpunimit me ACTI-n u hap rrugën shkëmbimeve dypalëshe, sjelljes së praktikave më të mira në auditor dhe përgatitjes së profesionistëve novatorë që u japin zgjidhje sfidave të reja teknologjike.

Ngritja e urave të bashkëpunimit mes universitetit dhe kompanive të teknologjisë ishte në fokus të takimit mes drejtuesve dhe pedagogëve të Tirana College of Technology dhe përfaqësuesve të Albanian Council for Technology and Innovation. Krijuar vitet e fundit, kjo shoqatë e përbërë nga më shumë se 60 kompani në fushën e IT-së, synon të sjellë në tregun shqiptar novacionin, të aplikojë teknologjitë më të fundit, si dhe të vendosë standarde në fushën digjitale përmes nxitjes së politikave të caktuara.

Gjatë takimit u piketuan mundësitë dhe fushat e shkëmbimit, si dhe u firmos një memorandum bashkëpunimi mes rektorit të TCT-së, prof. dr. Andonaq Londo Lamandi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të ACTI-t, Andis Papa, duke i hapur rrugë një faze të ri zhvillimi dhe partneriteti mes dy institucioneve.

Me 10 vite eksperiencë në tregun e arsimit të lartë, përmes ofrimit të diplomave profesionale 2-vjeçare, Tirana College of Technology e nis dekadën e dytë me fokus të shtuar në fushën e teknologjive të reja, si nevojë e kohës dhe ndikimit të fuqishëm që ajo ka në jetën e gjithsecilit, e mbi të gjitha në ecurinë e shoqërisë njerëzore. Këtë vit të ri akademik, përveç diplomave profesionale për të gjithë ata që duan të dalin shpejt në tregun e punës, TCT sjell edhe katër programe të reja në ciklin bachelor në fushën e inxhinierivë, si: Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhineiri Software.

Rektori i TCT, prof. dr. Andonaq Londo Lamani, theksoi se bashkëpunimi me Këshillin Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin do të jetë mjaft i frytshëm për të dyja palët, pasi më shumë se kurrë teknologjitë e reja imponojnë nevojën për përditësim dhe shkëmbim përvojash për të përballuar sfidat e reja.

“Bashkëpunimi do krijojë mundësi të shumta për studentët. Ata do marrin nga eksperiencat e anëtarëve dhe profesionistëve të Këshillit Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin, të cilët do të mbajnë leksione të hapura. Po ashtu, studentët tanë do ta gjejnë veten në projekte të përbashkëta mes palëve.”

Edhe administratorja e TCT-së, Diana Biba, e vlerësoi mjaft të dobishme sjelljen e zërit të profesionistëve të këtij komuniteti të gjerë në auditorin e TCT-së. “Ne bashkojmë forcat për të prodhuar informacion që pastaj përkthehet në dije. Prandaj, një orë e hapur nga profesionistët e fushës është shumë me interes për studentët.”

Duke kujtuar momentet themelimit të Albanian Council for Technology and Innovation, Sekretari i Përgjithshëm, Andis Papa, tha se pati një bum anëtarësimesh në një kohë të shkurtër, duke dëshmuar nevojën e Tiranës dhe Shqipërisë për organizime të tilla në sektorin e teknologjisë. “Ishim 9 iniciatorë që hodhëm idenë dhe pastaj e kemi nisur takimin e parë me 30 anëtarë.”

Më tej, ai e cilësoi shoqatën një urë mes universitetit dhe kompanive, e cila do të lehtësojë procesin e shkëmbimeve, si dhe do të krijojë mundësi për realizimin e praktikave dhe punësimin e studentëve.

“Me këtë memorandum do të ketë tjetër kuptim bashkëpunimi dhe do të jetë më i organizuar. përmes tij krijohet mundësia që ne të ndajmë projekte me universitetin, pasi herë pas here edhe ne në fushën tonë përballemi me projekte të cilat kanë nevojë për research development dhe teknologji të reja për të cilat brezi i ri ka gjithmonë më shumë informacion sesa ndoshta gjithë ekspertët tanë më të mirë të fushës.”

Ardhja e tij në Tirana College of Technology për të nisur këtë bashkëpunim u shoqërua me një surprizë mjaft të këndshme. Pas më shumë se 20 vitesh ai takoi ish-pedagogun dhe kolegun e tij të UPT-së, profesorin Piro Cipo, përgjegjës i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikmit dhe një nga pedagogët e parë që dha kontributin e tij në ngritjen e kolegjit.

Partneriteti TCT-ACTI u jep mundësi studentëve që të thellohen në fushën e IT-së, si dhe i nxit të përfshihen në projekte të përbashkëta, të japin kontributin e tyre pranë këtyre kompanive dhe më tej të realizojnë idetë e tyre në produkte konkrete.

Lidhja e ngushtë me industrinë ka qenë një nga shtyllat kryesore të funksionimit të Tirana College of Technology, i cili për një dekadë i ka dhënë tregut të punës teknicienë dhe profesionistë me aftësi praktike, të punësuar në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Me ofrimin e 4 programe të reja Bachelor në fushën e inxhinierive, kolegji universitar synon ofrimin e më shumë mundësive për të rinjtë që duan të thellohen në studimet e tyre dhe të bëhen pjesë e proceseve transformuese të shoqërisë, përmes zotërimit dhe prodhimit të teknologjive të reja.