Alumni Start-Up TCT është hapësira më e re në Tirana College of Technology, e dedikuar të diplomuarve, studentëve, projekteve dhe ideve që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm profesional dhe ngritjen e sipërmarrjeve novatore.
Rreth 80% e studentëve në Tirana College of Technology punësohen menjëherë pas diplomimit. Pas praktikave profesionale dhe eksperiencave të para të punës, shumica prej tyre sot kanë hapur biznese dhe operojnë në sektorë të lidhur me fushën e studimit. Këto shifra u bënë shkak që Tirana College of Technology të themelojë shoqatën Alumni Start-Up TCT, një komunitet i cili do të mbledhë ish-studentët sipërmarrës, ambasadorët më të mirë të këtij kolegji universitar, dhe do të krijojë ura të reja bashkëpunimi që forcojnë bizneset e tyre dhe kontribuojnë në zhvillimin profesional të studentëve të rinj.
Në takimin e themelimit të shoqatës, të drejtuar nga rektori i TCT-së, prof. dr. Andonaq Londo Lamani, dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve të fakulteteve dhe departamenteve, ishin të pranishëm disa prej ish-studentëve të diplomuar në dekadën e parë të këtij kolegji universitar në programet 2-vjeçare: Teknologji Automjetesh, Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, e të tjera.
Ata ndanë rrugëtimin e tyre që nga gjeneza e jetës studentore, arsyet e zgjedhjes së programit dhe kolegjit, përvojat në tregun e punës, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe më tej shpjeguan iniciativën për të krijuar diçka të vetën dhe për të zënë vendin e tyre në treg si sipërmarrës.
Rektori i TCT-së, prof. dr. Andonaq Londo Lamani, falënderoi ish-studentët që lanë angazhimet e tyre dhe gjetën kohën dhe disponueshmërinë për të qenë anëtarë të kësaj shoqate dhe për të bashkëpunuar në vijimësi me Tirana College of Technology. Ai theksoi se ky partneritet i ri do të jetë dobiprurës për të gjitha palët, si për studentët, të cilëve u shtohen mundësitë e praktikave, ashtu edhe për ish-studentët sipërmarrës, të cilët do të takojnë në auditor punëmarrës të kualifikuar. Nga ana tjetër, kjo përvojë do të jetë një iniciativë e mirë për rritjen e vetë kolegjit universitar, përmirësimin e kurrikulave dhe modernizimin e mëtejshëm të laboratorëve. Rektori ftoi anëtarët e Alumni Start-Up TCT që, gjatë mbledhjeve periodike dhe jo vetëm, të paraqesin idetë dhe projektet e tyre.
“Secili nga ju, nëse ka ide, nëse ka dëshirë për të bashkëpunuar, do të gjejë këtu mbështetjen për zhvillimin e projekteve të financuara edhe nga Bashkimi Europian. Me iniciativën e të dyja palëve mund të bëjmë gjëra shumë të mira për sipërmarrjen dhe biznesin tuaj.”
Përveç ndarjes së eksperiencës, ish-studentët folën për përfitimet që morën nga praktikat, si dhe dhanë sugjerime për shtimin e pajisjeve të reja laboratorike dhe vijimin me të njëjtën filozofi të vendosjes së theksit te praktikat profesionale, si mënyra më e mirë për të përvetësuar profesionet e marra nga këto programe profesionale 2-vjeçare, të cilat TCT i ofron prej vitit 2015. Me nisjen e dekadës së dytë, TCT sjell edhe katër programe të reja Bachelor në fushat e inxhinierive.

Kush janë pesë anëtarët e parë të Alumni Start-Up TCT
Ervin Maçi është diplomuar para pesë vitesh në Tirana College of Technology në programin profesional Teknologji Automjetesh. Aktualisht drejton servisin e tij, i cili merret me pjesët e automjeteve, funksionimin, diagnostikimin e defekteve etj. Ai pranoi propozimin për të qenë drejtuesi i parë i Alumni Start-Up TCT.
Samuel Curraj është studenti i parë i regjistruar në Kolegjin Profesional të Tiranës, tashmë Tirana College of Technology, me futjen e programeve të reja në ciklin Bachelor. Është diplomuar në programin 2-vjeçar Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi. Fill pas mbarimit të studimeve ka nisur punë për disa muaj në Tiranë dhe më tej është zhvendosur në Shkodër, aty ku punon dhe jeton aktualisht. Ka punuar për shtatë vite në një kompani lokale që merrej me sistemet e kondicionimit, sistemet qendrore dhe sistemet e ventilimit. Prej dy vitesh ka themeluar biznesin e tij për tregtimin, shitjen dhe montimin e sistemeve të kondicionimit.
Mariglen Shera është diplomuar në vitin 2021 në programin Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Ai tregoi se është marrë që në moshën 13-vjeçare me fushën e IT-së dhe, si një njeri jo shumë i dhënë pas studimeve të gjata, zgjodhi formimin profesional në Tirana College of Technology. Pas diplomimit është punësuar si IT në një kompani shqiptare, ku qëndroi dy vite. Aktualisht, bashkë me vëllanë, drejtojnë biznesin e tyre në fushën e IT-së dhe operojnë kryesisht me klientelë të huaj. Duke kujtuar periudhën e studimeve, ai tha se në karrierën e tij ishin mjaft të vlefshme internship-et në Hungari dhe Kosovë, si dhe praktika në laboratorin e Inovacionit TCT-HUB.
Kristaq Tafa është, gjithashtu, një nga studentët e parë të diplomuar në Tirana College of Technology. Pas mbylljes së studimeve në programin Teknologji Automjetesh, ai ka punuar për pesë vite në vendosjen e impianteve të gazit. Aktualisht ka biznesin e tij në Peqin, i cili operon në montimin e impianteve të gazit, benzinës dhe naftës, si dhe merret me riparimin e tyre. Ai tregoi se kërkesat në këtë sektor janë të larta. Kjo ka qenë arsyeja që ua ka sugjeruar Tirana College of Technology shumë prej miqve të tij; madje dy prej tyre aktualisht vijojnë studimet.
Ergi Kalemi është diplomuar në programin Teknologji Automjetesh dhe, pas mbarimit të studimeve, ka hapur servisin e tij. Ai tregoi se ishte pikërisht TCT-ja dhe mbështetja e pedagogëve që e nxitën për të marrë iniciativën e hapjes së biznesit. Ergi u shpreh mjaft i kënaqur që sot punon për veten në një fushë që jo vetëm i pëlqen, por edhe i siguron një jetesë të kënaqshme.

