Tre shokët- Nga “Harry Fultz” në Tirana College of Technology

 

Për ata që thonë se universiteti është veçse një etapë në rritjen profesionale, tre studentët e rinj të Tirana College of Technology tregojnë të kundërtën. Historia e Menelaut, Mateos dhe Maliqit dëshmon fuqinë e shoqërisë dhe të qenit bashkë në momentet më të mëdha të jetës.

Për dikë universiteti është rruga drejt realizimit të ëndrrës; për dikë është nisja e një historie dashurie; për dikë tjetër është zbulimi i një talenti dhe pasioni të ri; për ata të tre është vazhdimi i një profesioni. Tre shokët, Menelau, Mateo dhe Maliqi, nuk janë personazhe të ndonjë subjekti letrar, por jo më pak interesantë dhe të denjë për të qenë të tillë.

Ata janë tre studentët e rinj të Tirana College of Technology, të regjistruar në raundin e parë, të cilët kanë zgjedhur të njëjtën fushë studimi. Menelau dhe Mateo do të studiojnë në programin Bachelor për Inxhinieri Mekanike, ndërsa Maliqi u regjistrua në programin profesional 2-vjeçar Elektro-Mekanikë.

Dëshira e tij ishte që të vijonte studimet në të njëjtin program studimi, por mungesa e asaj 0.01 pike, që në pamje të parë duket krejt e papërfillshme, e la jashtë mesatares së kërkuar për kualifikim në ciklin 3-vjeçar. Për këtë arsye, vendosi të marrë fillimisht një diplomë profesionale dhe më tej, pse jo, të vijojë ciklet e tjera të studimit.

Pavarësisht kësaj ndarjeje programesh, Tirana College of Technology duket se është vendi i duhur për t’i mbajtur shokët të pandarë. Me ofrimin e programeve profesionale dhe programeve Bachelor, tashmë si studentë ata do t’i përkasin të njëjtit vend, të njëjtëve auditorë dhe do të flasin për të njëjtat histori.

Shoqëria e tyre do të mbetet po aq e gjallë sa ka qenë gjatë katër viteve të kaluara në shkollën e mesme “Harry Fultz”, drejtimi profesional Automekanikë. Për ta, si 15-vjeçarë, vendimin për të shkuar në këtë shkollë e morën familjarët, me qëllim sigurimin e një zanati. Profilizimi në këtë fushë i ka ndihmuar të punësohen në servise makinash.

Por dëshira e tyre është që të zhvillohen dhe të rriten profesionalisht, për të krijuar më shumë mundësi në të ardhmen. Nga ana tjetër, nuk mund ta humbisnin jetën studentore, me të gjitha sfidat, të mirat dhe kënaqësitë që sjell të qenit student.

Maliqi ishte i pari që e mori vendimin për t’u regjistruar në TCT. Pas sugjerimit të një shoku klase, i cili ishte informuar më herët për këtë kolegj universitar, u interesua në rrjetet sociale dhe erdhi në ambientet e kampusit për të mësuar më tepër rreth mundësive të studimit. U njoh me të gjitha programet dhe vuri në dijeni shokët e tjerë, dy prej të cilëve u bashkëngjitën menjëherë në këtë rrugëtim të ri.

Dëshira e tyre është që të mos mbeten tre, por të bëhen sërish pesë. Nga pesë nxënësit e “Harry Fultz”-it, duan të diplomohen si pesë studentë të Tirana College of Technology, në të njëjtat programe studimi dhe me të njëjtin profesion. Ndoshta, pas daljes nga auditori, puna do t’i mbajë sërish bashkë në ndërmarrje më të mëdha profesionale.