Student i TCT, Andri Ziguri: Nga hiri i zjarreve në Delvinë, drejt dritës jeshile për të ardhmen në Tiranë

 

Është 15 gusht. Delvina ende mban erën e hirit dhe gjurmët e shkatërrimit nga zjarret, që lanë pas dëme të pallogaritura në pyje, kullota, ullishta, të mbjella, shtëpi dhe bagëti. Mes atyre që u larguan është edhe Andri Ziguri me babain e tij. Rruga drejt Tiranës nuk ishte një arratisje nga vendlindja, por një hap i madh për t’i hapur dyert një të ardhmeje më të sigurt.

Destinacioni: Tirana College of Technology (TCT), ku Andri u regjistrua në programin e Teknologjisë së Automjeteve.

“E kam zgjedhur me dëshirën time,” – tregon ai. – “Pasioni im janë makinat. Kam punuar edhe më parë në këtë fushë dhe aty ku punoja, vinte shpesh babai i një kolegu që fliste për TCT, duke thënë se ishte një kolegj shumë i mirë dyvjeçar.”

Një tjetër nxitje i erdhi nga miku i tij, Aurel Xhama, ish-student i TCT, që e bindi edhe më shumë të ndiqte këtë rrugë. “E di që ky është drejtimi ku dua të zhvillohem.”

Babai i Andrit, i vendosur ta mbështesë, “i preu biletën” që të mos humbte mundësinë. “Mos e digj atë fluturim!” – i tha me shaka, duke e bërë të qartë se ky ishte një shans i rrallë.

Pas diplomimit, Andri planifikon të kryejë praktikën në një servis dhe më pas të punojë edhe në Sarandë. Diploma që do të marrë i jep të drejtën të pajiset me licencë zyrtare për hapjen e një servisi privat. Madje, një pronar servisi – që vetë e kishte mësuar profesionin si autodidakt – e këshilloi ta ndiqte këtë rrugë studimi për t’u pajisur me dije të plota profesionale.

Aktualisht, Andri jeton me qira në Tiranë dhe për dy vitet e ardhshme do të jetë pjesë e jetës së kryeqytetit. Ditën e parë, veshur me uniformën e praktikës, bëri një xhiro nëpër korridoret e TCT, ku pa sallat e leksioneve, seminareve dhe laboratorëve modernë – një nga pikat më të forta të kolegjit në aspektin praktik.

TCT është i njohur si institucioni i vetëm në vend që kombinon laboratorët më modernë, ofiçinat dhe programet që nxisin praktikën në terren, duke ndërthurur në mënyrë efikase teorinë me zbatimin praktik të dijeve.

TCT – Dy vite drejt profesionit

Tirana College of Technology ofron tetë programe studimi të larta profesionale, me kohë të plotë dhe të akredituara, të cilat zgjasin dy vite akademike dhe përfundojnë me diplomë profesionale.

Gjatë 10 viteve të funksionimit, Kolegji Profesional i Tiranës ka regjistruar 1,514 studentë dhe ka diplomuar 1,120 të rinj në dhjetë programe të ndryshme: Elektronikë; Database dhe Web Design; Teknologji e Instalimeve Elektrike; Administrim Zyre; Elektromekanikë; Teknologji Automjetesh; Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi; Gjeodezi; Teknologji Ndërtimi. Të diplomuarit e TCT kanë zënë vendin e tyre në tregun e punës, duke u shndërruar në profesionistë të kërkuar dhe kontributorë të çmuar për ekonominë e vendit.

Teknologji Automjetesh – Nga teoria në praktikë

Programi profesional “Teknologji Automjetesh” përgatit specialistë të aftë për diagnostikimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve, duke ndërthurur njohuritë teorike me një bazë të fortë praktike.

Diplomimi realizohet pas përfundimit të 120 kreditevedhe frekuentimi është i detyrueshëm: 50% për leksionet dhe 75% për seminaret, laboratorët dhe praktikat profesionale.

Mundësitë e karrierës përfshijnë shërbimin, riparimin dhe testimin e automjeteve; konsulencë teknike dhe menaxhim shitjesh; punë në departamentet e pjesëve të këmbimit ose import-eksportit apo hapjen e një servisiprivat

Nuk janë të paktë të diplomuarit e këtij programi që tashmë kanë hapur bizneset dhe sipërmarrjet e tyre të para. Filozofia e TCT bazohet në kombinimin e dijeve nga auditorët me praktikat në laboratorë dhe eksperiencat profesionale 1, 3 dhe 6 mujore në terren. Rezultati është i prekshëm: më shumë se 80% e studentëve të TCT janë të punësuar sot.

Licencimi profesional

Pas përfundimit të studimeve, studentët e programeve “Teknologji Automjetesh” dhe “Elektromekanikë” kanë të drejtën të pajisen me Dëshmi Aftësie Profesionale për të ushtruar aktivitetin e autoriparimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për Andri Zigurin, ky është fillimi i një kapitulli të ri. Nga rrënojat e një vere të nxehtë në Delvinë, ai ka ndezur motorin e ëndrrave të tij.