Prej 2017-ës Bashkimi Europian ka vendosur ndalimin e ftohësit R-134a në sistemet e kondicionimit të automjeteve. Direktiva 2006/40/EC përcakton qartë ndalimin e automjeteve të reja të cilat në sistemin e tyre të kondicionimit përdorin gazra serrë të fluorizuara me një GWP (metrika e aftësisë së një gazi për të bllokuar nxehtësinë) më të lartë se 150. Kjo nismë erdhi pasi gazi që përdoret zakonisht në automjete, R134a, e ka GWP rreth 1300.
Por çfarë ndodh në Shqipëri? Sa të informuar janë shqiptarët për këtë fakt ndërkohë që numri i automjeteve ka shkuar në 1 milionë? Sa të ndërgjegjësuar janë profesionistët e fushës për përdorimin e gazeve të fluorizuara (që shkaktojnë efektin serrë) në sistemet e kondicionimit të automjeteve?
Tirana College of Technology, në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit organizoi një workshop me grupet e interesit për rritjen e ndërgjegjësimit, në kuadër edhe të Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Shtresës së Ozonit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të TCT-së dhe pedagogë në fushën e automjeteve, ajrimit dhe kondicionimit, nxënës, studentë, teknikë dhe inxhinierë të sektorit, të cilët diskutuan mbi përdorimin e teknologjive të reja që kontribuojnë në mbrojtjen e shtresës së ozonit, e cila mbron jetën në tokë nga rrezet e dëmshme ultraviolet të diellit.
Ky aktivitet, i cili vjen në vazhdën e trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta, u përshëndet nga rektori i TCT-së, prof. dr. Andonaq Lamani, administratorja znj. Diana Biba dhe drejtuesja e Njësisë Kombëtare të Ozonit, znj. Mimoza Vokshi. Më tej, pedagogu i TCT-së, Ilir Palushi foli për gazrat serrë të fluorizuara, e më konkretisht ato që përdoren në sistemin e ftohjes dhe kondicionimit të automjeteve, duke treguar ndryshimin mes R-134a dhe R-1234yf, i cili është futur zyrtarisht në përdorim në vendet e Bashkimit Europian.

“Këtu në Shqipëri ende nuk ka një ligj apo udhëzues që ndalon përdorimin e R-134a, por mbetet në dorën e secilit prej nesh. Prandaj janë të nevojshme takime të tilla për t’u ndërgjegjësuar për efektet dhe dëmin që i sjellin mjedisit”, u shpreh Palushi. Më tej ai sqaroi, se përveç mungesës së ndërgjegjësimit, një tjetër arsye pse gazi zëvendësues nuk përdoret në automjetet është edhe kostoja e tij e lartë.
Duke qenë se Shqipëria aspiron të bëhet sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian lind detyrimi i përafrimit të legjislacionit tonë me atë të unionit. Profesori foli edhe për rregulloret dhe ligjet aktuale që zbatohen në vendet europiane në lidhje me përdorimin e gazrave që shkaktojnë efektin serrë, si dhe nismat që po hidhen në Shqipëri për ndërgjegjësimin dhe më tej trajtimin ligjor të çështjes. Ai bëri një përmbledhje të situatës aktuale në industrinë e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar si dhe specifikoi gjithë kufizimet që vijnë nga F-gas Regulation (EU), rregullimet e fundit ligjore në Bashkimin Europian.
Workshop-i u pasua nga diskutime mes të pranishmëve mbi mënyrën se si ata procedojnë në punën e tyre, sa e përdorin gazin R-1234yf si zëvendësues të R134a, vështirësitë që hasin nga ana teknike por edhe përballja me rezistencën e përdoruesve të automjeteve.

Çfarë parashikon legjislacioni europian për gazrat F?
Rregullorja 2024/573 mbi gazrat serrë të fluorizuara (F-gas Regulation) hyri në fuqi më 11 mars 2024. Ajo synon të zvogëlojë gradualisht emetimet e gazrave serrë të fluorizuara, pra gazrat F, e më tej eliminimin e plotë të hidrofluorokarboneve (HFC) deri në vitin 2050.
Gazrat F janë të prodhuara nga njeriu. Ato përfshijnë perfluorokarbonet, heksafluorurin e squfurit apo hidrofluorokarbonet, të cilat përfaqësojnë rreth 90% të të gjitha gazrave-F.
Gazrat F përdoren në produkte, pajisje dhe procese të zakonshme, të tilla si ftohja, kondicionimi i ajrit, pompat e nxehtësisë, izolimi, mbrojtja nga zjarri, linjat e energjisë si dhe në proceset industriale.
Ndërsa gazrat-F janë të dobishëm në këto zbatime, ndikimi i tyre negativ në klimën tonë kërkon rregullim të përmirësuar dhe përpjekje për të promovuar alternativa më të qëndrueshme, si përdorimi i gazrave F me një GWP të ulët, si dioksidi i karbonit (CO2), propani ose amoniaku, apo gjetjen e metodave të reja që shmangin plotësisht përdorimin e gazrave të tilla.

