Kush tha që programet profesionale nuk janë për vajzat? Altea Mehmeti rrëzon “paragjykimin” duke zgjedhur të formohet në një program të tillë 2-vjeçar, pikërisht në Teknologji Informacioni dhe Komunikimi pranë Tirana College of Technology.
Tiparet mund të të ndërmendin modelet e kopertinave dhe pasarelave, aq sa natyrshëm vjen pyetja nëse punon si foto modele. Të qenit e matur dhe fjalëpakë tregojnë arsyen pas profesionit që ka zgjedhur për të ardhmen. Altea Mehmeti është vajza e parë që regjistrohet në programin profesional Teknologji Informacioni dhe Komunikimi në Kolegjin Universitar “Tirana College of Technology”, për vitin e ri akademik 2025- 2026.
E shoqëruar nga Xhoana, shoqja e ngushtë, ajo paraqitet pranë TCT që ditën e parë të regjistrimeve për këtë raund, i cili zgjat deri më 11 shtator. Thotë se nuk kishte çfarë të priste më tepër pasi ishte e qartë për programin e studimit dhe universitetin. I dha vetes shumë kohë për të menduar për këtë dhe me këshillimin që ka marrë është e bindur se do të realizojë ambiciet e saj.
Altea e ka mbaruar gjimnazin në 2023-shin. Udhëtoi në atë kohë nga Delvina drejt Tiranës, ku tashmë jeton me familjen dhe punon me ta në biznesin familjar. E gjendur mes dyshimeve për të ardhmen, vendosi të shkëputet dhe të bëjë një vit pauz nga studimet. Gjatë kësaj kohe ka menduar më shumë për rrugën që do të ndjekë.
Nga eksperienca e tij e mirë me pedagogët, mësimdhënia dhe profesionalizmi i sjellë në auditor, një mik i sugjeroi Tirana College of Technology. Fjala e tij ishte një lloj garancie që ajo të caktonte universitetin. Pikëpyetja e radhës ishte programi. Këshillimi i duhur i erdhi nga babai. Ai, duke u njohur me rrugëtimin e suksesshëm të një të afërmi, krijoi bindjen se Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit ishte profesioni i ardhshëm i së bijës.
TIK është një program dy-vjeçar i cili ofrohet në TCT krahas shtatë programeve të tjera profesionaleve. Atyre u shtohen edhe katër programeve të reja Bachelor në fushat inxhinierike, të cilat vijnë për herë të parë në këtë vit akademik. Sigurisht, e njohur me këtë fakt dhe me mundësitë e përzgjedhjes, Altea rrëfen arsyen pse preferoi profesionalin dhe jo ciklin 3-vjeçar.
“Zgjodha profesionalin sepse është dy vite dhe del më shpejt në tregun e punës”, nënvizon ajo me bindje. E rritur në një familje me prindër të vetëpunësuar, ky është edhe qëllimi i saj në të ardhmen: Të themelojë dhe drejtojë startup-in apo sipërmarrjne e vet.
Ofrimi i programeve më të kërkuara në tregun e punës, përgatitja e plotë profesionale dhe sidomos aftësimi praktik brenda një kohe të shkurtër, ka qenë bileta e suksesit në historinë 10-vjeçare të Tirana College of Technology.
Vajzat dhe programet profesionale, një histori e gjatë në TCT
Altea Mehmeti mund të jetë vajza e parë që regjistrohet në një program profesional për vitin e ri akademik, por ajo nuk është e vetmja vajzë që zgjedh këto programe. Vajza të tjera janë interesuar dhe kanë plotësuar preferencat e tyre në listën e programeve të publikuara për raundin e parë të regjistrimeve.
Pavarësisht se ekziston mendimi që kolegjet profesionale preferohen më shumë nga djemtë, ky nuk është rasti i Tirana College of Technology. Gjatë viteve, kur ofronte vetëm programe 2-vjeçare, mjaft vajza kanë zgjedhur të marrin një profesion në këtë institucion, duke siguruar sa më shpejt vendin e tyre në tregun e punës.
Programi Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, i cili ka të bëjë me menaxhimin e sistemeve dhe rrjeteve kompjuterike, krijimin, zhvillimin dhe administrimin e bazave të të dhënave, zhvillimin e faqeve Web apo aplikacioneve, ka qenë dhe mbetet një preferencë si nga vajzat ashtu edhe nga djemtë.
Por përveç këtij programi, TCT ofron edhe shtatë programe të tjera profesionale dy-vjeçare, të tilla si: Data Baze dhe Web Design; Elektronikë; Elektro Mekanikë; Gjeodezi; Teknologji Automjetesh; Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi; Teknologji e Instalimeve Elektrike. Këto programe janë një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë, maturantë ose jo, që të marrin në një kohë të shkurtuar një profesion, të formohen si teknikë të lartë në këto fusha për të cilat industria vendase dhe ajo ndërkombëtare kanë shprehur interes të lartë.
Për të gjithë të tjerët, të cilët dëshirojnë të merren me pjesën e projektimeve, ideimeve, udhëheqjes së projekteve në fushat inxhinierike, TCT sjell edhe katër programe të reja Bachelor, e konkretisht: Inxhinieri Civile; Inxhinieri Elektronikë; Inxhinieri Mekanike; Inxhinieri Software.

