Ndërtoi historinë e tij e njëkohësisht shënjoi historinë e arsimit të lartë profesional shqiptar: 10 vitet e para të Tirana College of Technology janë të mbushura me suksese dhe bilanc pozitiv, ndërsa vijon drejt së ardhmes me vizionin për t’iu përgjigjur sfidave të reja të shoqërisë.
Jetëgjatësia e një institucioni arsimor jo detyrimisht nënkupton ndikimin e tij në shoqëri. Kur flitet për Tirana College of Technology, impakti i tij tejkalon kohën. Edhe pse me 10 vite në treg, TCT renditet krah institucioneve që kanë shënjuar rrugëtimin e arsimit të lartë shqiptar në historinë e tij gati një shekullore. Ai është një institucion gur themeli në arsimin e lartë profesional, duke vijuar në traditën e vyer të institucioneve të ngjashme që lindën në vitet ’30-të.
Tirana College of Technology u licencua më 26 gusht të 2015-ës dhe u bë i pari kolegj që ofroi vetëm diploma profesionale. Ai hapi fillimisht nëntë programe 2-vjeçare, duke përgatitur profesionistë me aftësi praktike, teknikë të lartë, zbatues etj. Lindi për të mbushur një boshllëk në tregun e punës, kur biznesi dhe industria ishte e uritur për këta specialistë të cilët nuk formoheshin as nga shkollat e mesme dhe as nga universitetet.
I ftuar në ceremoninë e 10-vjetorit, festës së madhe që bëri bashkë partnerët ndër vite të kolegjit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku, përgëzoi themeluesit që plotësuan një kërkesë mjaft të rëndësishme në tregun e punës, me efekte të ndjeshme në zhvillimin e ekonomisë dhe vendit.
“Ne kishim shkolla të mesme dhe njerëz që mbaronin shkolla të mesme, një pjesë të madhe, ose shkolla profesionale, dhe pastaj kishim universitetet që ofronin një aftësi më të specializuar. Tregu kishte nevojë për një hapësirë diku në mes, për njerëz që nuk janë as me dije të përgjithshme apo të mesme profesionale, por as specialistët e lartë të fushës ose të arsimit universitar.”

Duke kujtuar mungesat në tregun e punës, në vitet 2010-2015, prof. dr. Luan Karçanaj, rektori i parë dhe i një dekadë në këtë kolegj profesional, rrëfeu filozofinë me të cilën u ngjiz Kolegji Profesional i Tiranës, i cili e nis rrugëtimin e dekadës së dytë si Kolegji Universitar “Tirana College of Technology”.
“Që në fillim vendosëm një filozofi të qartë: të përgatisnim zbatues dhe profesionistë praktikë, të cilët do të ishin shtylla e ekonomisë. Po aq sa vendit i nevojiten projektues dhe inxhinierë, ai ka akoma më shumë nevojë për teknikë të lartë dhe zbatues të përgatitur, të aftë të hyjnë menjëherë në tregun e punës.”
Programet e para u hapën në fushat më të kërkuara nga tregu, si: Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit, Elektronika, Instalimet Elektrike, Ajrimi dhe Kondicionimi, Teknologjia e Automjeteve, Baza e të Dhënave dhe Web Dizajni. Në këto fusha u ngritën laboratorë modernë që aftësuan studentët dhe garantuan punësimin e tyre të menjëhershme në tregun e punës.
Edhe administratorja e Tirana College of Technology, znj. Diana Biba rrëfeu momentet e para të jetës së këtij institucioni, ku gjashtë themeluesve dhe stafit të parë të pedagogëve iu desh të bënin një studim të kujdesshëm të tregut, të zhvillonin takime me industrinë, të identifikonin nevojat më të ngutshme, të merrnin nga përvoja ndërkombëtare, përmes vizitave të para në Gjermani dhe Greqi në institucione homologe.

“Kur krijuam këtë model të ri në realitetin shqiptar, nuk ishte e lehtë. Na bëri të përballemi me jo pak sfida shumëllojëshe, të cilat së bashku i kemi kaluar me sukses dhe na kanë bërë të rritemi, duke ofruar sot në dekadën e parë krahas programeve profesionale 2-vjeçare edhe katër programe Bachelor, me një natyrë aplikative, të cilët janë gurë të rinj kilometrik të këtij rrugëtimi tonë.”
Historia e Tirana College of Technology është e mbushur me rekorde mjaft pozitive: me mbi 2000 studentë dhe familje shqiptare që kanë ndërtuar të ardhmen përmes kalimit në këta auditorë; partneritete të shumta institucionale dhe universitare ku mjaft e rëndësishme ka qenë përfshirja në projektet ndërkombëtare, 18 të tilla; me punën e një armate të tërë stafi akademik dhe administrativ.
Një element mjaft thelbësor në punën e dhe veprimtarinë e këtij institucioni kanë luajtur partneritetet me biznesin dhe industrinë, ku regjistrohen mbi 100 marrëveshje bashkëpunimi me aktorë nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Kryetari i Bordit të Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, pjesë e të cilit është edhe kolegji, z. Et’hem Ruka theksoi se një objektivat kryesore të këtij organizmi të veçantë në fushën e arsimit të lartë jopublik është që të bëjë bashkë potencialet intelektuale për të çuar përpara nisma të rëndësishme që i japin kontribut zhvillimit të shoqërisë.
Më tej, ai vlerësoi punën e bërë ndër vite nga TCT, duke theksuar se: “Ishte një hapësirë bosh midis shkollës së mesme dhe shkollës tradicionale të lartë. Me shumë largpamësi, themeluesit e këtij institucioni, midis tyre edhe miku im i dashur Laerti, ngritën këtë institucion të suksesshëm, i cili ka njohur vetëm sukses dhe unë uroj të vazhdoj në këtë rrugë.”
Drejtori Ekzekutiv i Albanian ICT Awards, njëkohësisht anëtari i Bordit të Këshillit Shqiptar për Teknologjinë dhe Informacionin, i cili përfaqëson mbi 60 biznese në sektorin e teknologjisë, z. Kushtrim Shala, e quajti këtë përvjetor një moment për të festuar kontributin 10-vjeçar të TCT-së, por mbi të gjitha për të celebruar gjithë besim investitorëve dhe kohën e profesorëve në hedhjen e bazave të forta që ndjellin suksese të reja.
“Të gjithë anëtarët e këtij këshilli janë me sy e me zemër karshi prurjeve të këtij kolegji universitar, në mënyre që të zhvillojmë më tutje këtë partneritet dhe të çojmë përpara e të rrisim eksportet e ekonomisë shqiptare në sektorin e teknologjisë, të kontribuojmë sa më shumë nëpërmjet avancimit të teknologjisë së informacionit sepse epoka e pestë e Revolucionit Industrial do t’i takojë robotizimit.”
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, ndau me të pranishmit rrugëtimin akademik pranë TCT studenti i programit Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi, Xhuljo Pema, i cili i besoi këtij kolegji marrjen e një profesioni konkret dhe të kërkuar në treg, pas viteve të gjata në ushtri.
Pas një dekade në ofrimin vetëm të programeve profesionale dy-vjeçare, TCT e nis dekadën e dytë të jetës me një ofertë të shtuar akademike, ku krahas tetë diplomave profesionale, do të ofrojë edhe katër diploma në ciklin Bachelor në fushën e inxhinierive, të tilla si: Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software. Ky zgjerim vjen në përgjigje të sfidave të reja që prekin shoqërinë shqiptare, e cila tashmë është e prekur nga zhvillimet e vrullshme teknologjike.
Duke ndarë të pranishmit eksperiencën e tij të gjatë, gati 40-vjeçare, në arsimin e lartë, rektori i Tirana College of Technology, prof. dr. Andonaq Lamani tha se programet e teknologjisë sot kanë marrë një ekspansion që dikur as nuk imagjinohej.
“Në vitet 2000 kam qenë dekan i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe kam bërë mësim me 4 studentë. Imagjinoni sot, inxhinieritë janë të gjitha plot, si në universitet publike ashtu dhe në ato jopublike.” Rektori tha se Inxhinieritë janë ato që do ta çojnë këtë vend përpara, duke shtuar se Tirana College of Technology ka marrë përsipër të realizojë ëndërrën teknologjike të Shqipërinë.
Përtej zhvillimeve akademike dhe përgatitjes së profesionistëve të së ardhmes, TCT synon të ndërmarrë një mision të ri për t’i ngritur këto transformime në nivelin e një debati të shëndetshëm që zbërthen dhe kupton kohët teknologjike ku po jetojmë.

