Krijimi i programeve të përbashkëta dhe njohja e atyre ekzistuese, bashkëpunimi në fushat teknike dhe në sektorin e projekteve, ishin disa nga propozimet e hedhura në tryezë në takimin mes drejtuesve të Tirana College of Technology dhe Universitetit “Kadri Zeka”, Gjilan.
Mes shumë bashkëpunëtorëve nga universitete homologe, tregu i punës apo shoqëria civile, në ceremoninë e dhjetëvjetorit të Tirana College of Technology ishte i pranishëm edhe një mik i veçantë nga Kosova. Një ekip profesorësh nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, nën drejtimin e rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, nderuan me praninë e tyre përvjetorin e rëndësishëm të këtij kolegji, i cili në vitin 2015 hodhi bazat e arsimit të lartë profesional në Shqipëri.
Mundësitë e bashkëpunimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta u diskutuan në një tryezë të përbashkët, nën drejtimin e rektorit të TCT, Prof. Dr. Andonaq Lamani, dhe administratores Diana Biba, e cila theksoi se të dy institucionet kanë qenë pjesë e të njëjtave projekte ndërkombëtare, por ende nuk ishte mundësuar nisja e një bashkëpunimi të ngushtë ndëruniversitar.
Rektori Lamani bëri një prezantim të Tirana College of Technology dhe të rrugëtimit të tij dhjetëvjeçar, me fokus në diplomat profesionale dhe programet 2-vjeçare, që vijojnë të përgatisin teknikë të lartë dhe profesionistë me aftësi praktike në fushën e automjeteve, elektronikës, ajrim-kondicionimit, energjisë elektrike etj. Përveç këtyre programeve, prej këtij viti të ri akademik, TCT shton ofertën akademike me katër programe të reja në ciklin bachelor: Inxhinieri Civile, Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software.
“Kombinimi i stafeve me përvoja të larmishme akademike, ndërtimi i laboratorëve modernë dhe lidhja me tregun e punës janë tre shtyllat kryesore, garancia e suksesit të kolegjit tonë universitar”, theksoi rektori i TCT.

Prof. Dr. Piro Cipo, përgjegjës i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, dhe ing. Piro Dhimitri nga Departamenti i Elektro-Mekanikës dhe Sistemeve të Aplikuara, folën për programet profesionale të ofruara nga secili departament, duke vendosur theksin te laboratorët, një nga elementët thelbësorë të formimit profesional dhe aftësimit praktik, pa lënë mënjanë edhe partneritetin e ngushtë me biznesin dhe industrinë, që përveçse mundësojnë praktikat profesionale, kthehen edhe në punëdhënësit e ardhshëm të studentëve të TCT, 80% e të cilëve futen menjëherë në tregun e punës pas diplomimit.
Rrëfimi për vështirësitë që hasi ekipi shqiptar gjatë ndërtimit të TEC-it “Kosova B” dhe më tej përballja me tmerret e luftës, përloti inxhinierin Piro Dhimitri, duke treguar se pesha e kujtimeve të trishtuara mbetet gjithmonë e rëndë.
Çdo lloj retorike që “ushqen” ndasitë rrëzohet kur vjen puna për të bashkëpunuar. Këtë e ka treguar historia, por vazhdojnë ta vërtetojnë edhe partneritetet dhe shkëmbimet e ditëve të sotme. Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu një falënderim për ndihmën e çmuar që Shqipëria ka dhënë ndër vite, veçanërisht në fushën e arsimit, që nga vitet ’70, kur u themelua Universiteti i Prishtinës. “Nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e Shqipërisë dhe mësimdhënësve në atë kohë, kur analfabetizmi ishte gati 90%.”
Më tej, ai bëri një prezantim të këtij universiteti, baza e të cilit është Fakulteti i Edukimit, prej kohës kur ishte një shkollë e lartë pedagogjike nën varësinë e Universitetit të Prishtinës, e tashmë përbëhet nga gjashtë fakultete, të cilat shtrihen nga shkencat juridike te ato ekonomike, humane e deri te programet më moderne që lidhen me teknologjitë e reja dhe Inteligjencën Artificiale.
“Bashkëpunimi, sidomos në fushat teknike, pse jo në krijimin e programeve të përbashkëta, njohjen reciproke të krediteve dhe diplomave, madje edhe aplikimi në programe të përbashkëta”, ishte propozimi i rektorit Dr. Artan Dërmaku për forcimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve.
Zv.rektori për Çështje Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, tha se Universiteti “Kadri Zeka” është lider në Kosovë sa i përket thithjes së projekteve ndërkombëtare, duke hedhur më tej idenë e krijimit të grupeve të punës, ndërtimit dhe realizimit të ideve të reja në kuadër të përmirësimit të programeve të studimit dhe futjes së metodave novatore në edukim.
Biseda u pasua me zhvillimin e një turi shëtitës në ambientet e kampusit universitar të Tirana College of Technology dhe në tërësinë e laboratorëve që ai ofron, të cilët janë edhe elementët që e kanë dalluar në tregun e institucioneve të tjera arsimore.

