Përvjetori i TCT- Themeluesi Laert Duraj shpjegon dekadën e kaluar dhe vizionin për dekadën e dytë

 

Dhjetë vjet më parë ngriti Kolegjin Profesional të Tiranës, i pari institucion i arsimit të lartë në Shqipëri i fokusuar tërësisht në arsimin profesional. Dhjetë vjet më pas, ky institucion nis rrugëtimin si Tirana College of Technology- TCT, me ofertë të shtuar akademike. Themeluesi Laert Duraj tregon sfidat e këtij rrugëtimi dhe vizionin për të ardhmen e TCT-së në dekadën tij të dytë.

Lidhja e tij me arsimin e lartë shkon përtej dëshirës dhe punës së një sipërmarrësi. Është pjesë e ADN-së. Ka jetuar gjithmonë mes arsimtarëve: Në fillim prindërit, pastaj vëllezërit dhe bashkëshortja, e tashmë vajza, studente e Bioteknologjisë dhe asistente lektore, e kanë bërë familjen Duraj të pandarë nga ky profesion që bashkon dashurinë për dijen me atë për njeriun. Mos angazhimi i Laert Durajt në këtë drejtim ka qenë pothuajse i pamundur. Nis që në 2006-ën me hapjen e Universitetit Europian të Tiranës, duke u bërë një nga gjashtë themeluesit e tij. I ardhur nga formimi ekonomik, ndryshe nga grupi i liberalëve, Duraj zgjodhi të mbajë një profil më të tërhequr duke marrë përsipër pjesën menaxheriale të institucionit.

Përfshirja dhe puna e përditshme në këtë sektor zgjeroi ekspertizën e tij në arsimin e lartë, në të gjitha ciklet dhe nivelet e studimit. Vendimi për të hapur në 2015-ën Kolegjin Profesional të Tiranës nuk ishte ide e hedhur rishtazi në tryezë mes të njohurëve dhe miqve të tij të ngushtë, që u bënë bashkëudhëtarë në lindjen dhe rritjen e këtij institucioni. Ishte ide e studiuar, e mbështetur në gjetje konkrete nga kërkimi në tregun e punës. Mbështetej gjithashtu, në politikat dhe vizionin që kishte qeveria, e cila po e kthente arsimin profesional në prioritet duke folur për domosdoshmërinë e këtij arsimi në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

“Ajo që më nxiti më tepër ishte qasja dhe vizioni i qeverisë dhe i forcës sime politike, tek e cila kisha besim. E dija se e kishin shumë seriozisht qasjen ndaj arsimit profesional”, tregon Laert Duraj.

Arsimi i lartë në vendin tonë kishte filluar prej vitesh përshtatjen me sistemin e Bolonjës, duke formuar të rinj në ciklet e studimit Bachelor dhe Master. E ndërsa shtoheshin të tillë profesionistë, tregut të punës i mungonin zbatuesit dhe teknikët e lartë në fusha specifike. Ishin profesionistë që i kërkonte biznesi dhe industria vendase, por edhe mjaft të kërkuar në Europë e më tej. Kjo ishte një tjetër nxitje e fortë, për t’u investuar në arsimin profesional, për të mbushur një boshllëk, por edhe për t’iu ofruar një mundësi të rinjve shqiptarë që të zinin sa më parë vendin e tyre të sigurt në tregun e punës.

Formimi i ekipit

Ndërtimi i një institucioni arsimor kërkon ekspertë dhe njerëz të formimeve të ndryshme, që kontribuojnë në sektorët kyç. Nga eksperienca me UET e kishte mjaft të qartë domosdoshmërinë për ndërtimin e një skuadre pune të përkushtuar dhe mbështetëse, që besonte të njëjtin vizion dhe kishte të njëjtën qasje për arsimin profesional. Sigurisht që i gjeti të duhurit.

“Skuadra përbëhej nga unë, Rudi, Diana, Korabi, Klara dhe Hyseni – ky i fundit edhe një nga pronarët e godinës, i cili na e lehtësoi procesin dhe vendosi të kontribuonte në krijimin dhe rritjen e kolegjit”, tregon Duraj.

I provuar tashmë në punën menaxheriale, atij iu besua edhe drejtimi i institucionit të ri, Kolegjit Profesional të Tiranës.

Ndërkohë që ishin hedhur bazat, ishin gjetur bashkëpunëtorët, ishte siguruar godina dhe vendndodhja e kolegjit, sfida e radhës kishte të bënte me plotësimin e stafit. Duhet të gjendeshin drejtues dhe pedagogë, profesionalizmi dhe puna e të cilëve do të ndërtonte besueshmërinë e institucionit të ri.

U kontaktuan disa pedagogë të njohur në fushën e Elektronikës, Mekanikës, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, por edhe specialistë dhe profesionistë me përvojë në fushën e biznesit, që besuan në vizionin e themeluesve. Pedagogë të tillë si: Marenglen Gjoni, Pirro Çipo, Antoneta Dedja, Shpëtim Bozdo, Marjeta Dhima, Pirro Dhimitri iu bashkuan “varkës” së drejtuar nga akademiku i njohur Luan Karçanaj, rektori i parë i Kolegjit Profesional të Tiranës, i cili gjatë 10 viteve udhëhoqi punën për ndërtimin dhe identifikimin e kolegjit në tregun e arsimit të lartë.

Laboratorët, fuqia e KPT-TCT

Kur flet për arsimin profesional, je i vetëdijshëm që po flet për një edukim që shkon përtej teorisë. Nga vetë emërtimi “kolegj profesional”, kuptohet hapësira e madhe që zë aspekti profesional duke tejkaluar atë teorik. Kolegji Profesional i Tiranës, me nëntë programet e tij të para të studimit, synonte përgatitjen e profesionistëve të zotë, të cilët, pas largimit nga auditori, merrnin përsipër kryerjen e të gjitha proceseve të punës në kompaninë apo industrinë që punësoheshin.

Kishte vetëm një mënyrë për të realizuar këtë qëllim: ndërtimin e laboratorëve. U kontaktuan specialistë dhe kompani të njohura që ofronin këtë shërbim dhe nisi kështu një bashkëpunim i gjatë me kompaninë greke Politech.

“Një nga përfaqësuesit e kësaj kompanie, inxhinieri Niko – të cilin e vlerësoj shumë – ishte pranë nesh hap pas hapi, për të na ndihmuar në instalimin e çdo laboratori, përshtatjen e laboratorëve me kurrikulat tona dhe për të na këshilluar që t’i bënim sa më efikase për nevojat e tregut”, tregon më tej Duraj.

Pajisja me teknologjinë më të fundit u kthye me kalimin e kohës në një aset të çmuar për Kolegjin Profesional të Tiranës, që e evidentonte tashmë atë mes institucioneve të tjera. Nuk mungonte përkushtimi i njerëzve, të cilët asistonin të rinjtë në këta laboratorë, për t’u siguruar që të zotëronin çdo pajisje dhe makineri në ushtrimin e profesionit.

“Ishte sfidë në fillim, por sot mund të them se laboratori është arma jonë më e fortë”, thekson Duraj.

Vizioni i TCT-së

Gjatë të dekadës së parë Kolegji Profesional i Tiranës ka diplomuar qindra të rinj, specialistë në fushën e energjisë elektrike, në ajrim-kondicionimi, në elektro-mekanikë, në TIK, apo në web-dizajn. Formimi profesional iu ka dhënë një profesion dhe një vend të sigurt pune në tregun vendas dhe atë ndërkombëtarë. Shumica prej tyre janë sipërmarrës, të cilët kanë ngritur bizneset e tyre dhe japin kontributin për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

“Ajo që na bën krenarë është fakti se të gjithë atyre që u diplomuan me sistemin tonë 2-vjeçar u ka ndryshuar jeta në mënyrë thelbësore”, thekson Duraj, duke përmenedur jo vetëm aspektin financiar, pasi mbeten profesione të paguara, por edhe faktin që këta të rinj e gjejnë veten njëlloj të pozicionuar, qoftë në tregun vendas apo atë rajonal dhe evropian.

Vendimi për të zgjeruar ofertën akademike, ishte sërish një hap i mirëmenduar, për të cilin Duraj beson se do të japë ndikimin e vet pozitiv në shoqëri, njëjtë siç ndodhi me Kolegjin Profesional të Tiranës.

Kalimi në Kolegjin Universitar “Tirana College of Technology”, i cili përtej tetë programeve profesionale ofron edhe katër programe në ciklin Bachelor, vjen sërish në përgjigje të kërkesave të kohës dhe të zhvillimit që po pëson shoqëria, e cila tashmë duket se e ka “prerë” biletën finale drejt automatizimit të plotë.

Për këtë arsye, Tirana College of Technology do të sjellë nga vitit i ri akademik 2025-2026 katër programe të reja në disa prej fushave inxhinierike më të kërkuara, siç janë: Inxhinieria Mekanike, Inxhinieria Civile, Inxhinieria Elektronike dhe Inxhinieria Software. Avancimi i teknologjive në këta sektorë ecën me shpejtësi dhe shkëputja prej zhvillimeve të tilla nuk krijon tjetër veçse izolim, i cili në kohën e sotme do të thotë dalje nga tregu i punës.

Duke qenë viti i parë i ofrimit të ciklit Bachelor, Duraj tregon se kanë qenë mjaft të kujdesshëm me kuotat, në mënyrë që ato të përputhen optimalisht me hapësirat dhe laboratorët që disponon ky institucion, duke ruajtur standardin dhe cilësinë akademike.

“Ky 10-vjeçar na gjen me një vizion më të qartë, më ambicioz, jo vetëm për të ofruar diplomat Bachelor, por do të fokusohemi edhe te kurset”, shton Duraj.

Vizioni i TCT-së përfshin një tjetër ambicie siç është ajo e ofrimit të arsimit si në nivelin vertikal me diplomat profesionale dhe ato të ciklit bachelor dhe më tej master, por edhe me investimin në nivelin horizontal, përmes kurseve të specializuara. Do të jenë kurse të shkurtra disa mujore, deri në një vjeçare, në disa prej sektorëve që kërkojnë specialistë me formim të tillë.

Themeluesi i KPT- TCT, Laert Duraj, beson se Shqipërisë i duhen dhe do të shtohet etja për profesionistë të tillë të formuar në kurset e specializuara apo programet e studimit që ofron Tirana College of Technology, pasi tashmë teknologjia dhe zhvillimi është i pandalshëm.