Përvjetori i TCT, Ing. Marjeta Dhima: Laboratorët janë zemra e mësimnxënies në kolegjin tonë

 

Rëndësinë e një laboratori e kuptojnë më së miri pedagogët të cilët duhet t’iu mësojnë studentëve profesionin përmes praktikës. Inxhinieria Marjeta Dhima thotë se laboratorët në Tirana College of Technology e kanë bërë më të frytshme punën e saj dhe kohën e studentëve.

Vitet 1995-1996 e gjetën inxhinieren Marjeta Dhima si drejtuese servisi në një qendër kursesh. Ishin vitet e para të demokracisë dhe “importimit” me shpejtësi të perëndimit. Mes shumë elementëve, dukurive, mallrave, projekteve që po hynin nga jashtë ishin edhe këto forma të reja edukimi përmes qendrave të formimit profesional.

Në një orë të zakonshme ku po ilustronte çmontimin e motorit, ndërsa i pranishëm ishte një inxhinier amerikan, asaj i ra në sy mungesa e theksuar e vëmendjes së njërit prej nxënësve. Kur e thërret për ta pyetur, sheh se ai nuk kishte mbajtur shënime; në vend të tyre pa një pikturë që për profesoren ishte e jashtëzakonshme. Thërret prindërit dhe iu kërkon ta heqin djalin nga kursi e ta regjistrojnë në Akademinë e Arteve, ku edhe ai u diplomua më vonë. “E vetmja mënyrë për ta bërë një profesion është që ta dashurosh atë”, shprehet prof. Dhima. Ky ka qenë “sekreti” që e ka mbajtur atë prej vitesh në mësimdhënie dhe auditorë.

E diplomuar si inxhiniere mekanike, ajo ka një karrierë të gjatë, e përqendruar para viteve ’90-të kryesisht në industrinë mekanike dhe pas viteve ’90-të edhe në fushën e ftohjes. “Një pjesë të madhe në karrierën time profesionale zë edhe mësimdhënia apo aktivizimi im në arsimin dhe formimin profesional”, shpjegon Dhima. Dikur me përfshirjen në shkollat e mesme profesionale e pastaj me qendrat e formimit profesional, prej vitit 2015 ajo është pedagoge pranë Kolegjit Profesional të Tiranës, tashmë Tirana College of Technology, i pari insititucion i arsimit të lartë që ofroi për herë të parë programe dy-vjeçare.

“Më kujtohet si tani ajo kohë. U mblodhëm një grup inxhinierësh të profileve të ndryshme, mekanikë, elektrikë, elektronikë, pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, dhe filluam të rrahim mendimet. Në një kohë të shkurtër punuam si një trup i vetëm për të nxjerrë programet në disa drejtime”, kujton profesorja, duke theksuar përkushtimin dhe dëshirën që pati gjithë grupi në ngritjen e këtij insittucioni që tashmë feston dekadën e parë të jetës.

Laboratorët, zemra e KPT- TCT

Në arsimin profesional kërkohet që mbi 50% e programeve të studimit të fokusohen te praktika. Pas marrjes së bazave teorike dhe koncepteve kryesore, studenti duhet të kalojë në praktikë për të ilustruar apo simuluar këto teori.

Paralelisht me ndërtimin e nëntë programeve të para 2-vjeçare, Kolegji Profesional i Tiranës punoi për ndërtimin e laboratorëve, duke u kujdesur që për çdo lëndë të kishte laboratorë. Me ndihmën e kompanisë greke Politech dhe asistencën e inxhinierëve të saj, KPT ka ngritur 17 laboratorë dhe 3 ofiçina me pajiset më moderne dhe teknologjinë e fundit në fushën e studimit.

“Ne që vinim nga praktika, nga biznesi, nga puna, e dinim më së miri se çfarë pajisjesh duhet të përfshinte një laborator apo ofiçinë”, sqaron profesore Dhima, e cila drejton prej dhjetë vitesh programin e Teknologjisë së Ajrimit dhe Kondicionimit, laboratori i të cilit përfshin çdo mjet dhe pajisje me të cilët punojnë profesionistët e këtij drejtimi.

Përveç kësaj, në semestrin e dytë të vitit të dytë studentët zhvillojnë praktikë profesionale në një prej kompanive apo bizneseve me të cilat institucioni ka marrëveshje bashkëpunimi. Shumë shpesh, këta studentë punësohen pranë këtyre kompanive dhe e ndërtojnë karrierën e tyre brenda tyre. Të tjerë kanë marrë guximin dhe kanë zhvilluar sipërmarrjet e tyre.

“Bashkëpunimi me bizneset ka qenë domosdoshmëri dhe ka qenë i dyanshëm. Unë jam krenare dhe mund të përmend disa me të cilët bashkëpunojmë, si Daikin, Mitsubishi Electric etj.,” sqaron më tej inxhinieria, duke theksuar se janë pikërisht këto biznese që interesohen për studentët, për teknicienët e profesionistët që formohen nga Tirana College of Technology.

Ky nivel laboratorësh, ofiçinash dhe lidhjesh të drejtpërdrejta me tregun e punës ishte elementi që e bëri KPT-në të dallohej që në ditët e para, një investim i guximshëm dhe thelbësor, i cili shndërroi teknologjinë nga teori në praktikë. Mbi këtë eksperiencë pozitive nis dekadën e dytë Tirana College of Technology, duke vijuar me besnikëri ofrimin e tetë programeve profesionale 2-vjeçare dhe krahas tyre sjell katër programe të reja në ciklin Bachelor: Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software.