Praktika dhe certifikim profesional: Tirana College of Technology dhe DPSHTRR thellojnë bashkëpunimin

 

Tirana College of Technology ka formalizuar bashkëpunimin e nisur prej vitesh me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Përmes firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, është shtruar rruga e një ndërveprimi më të gjerë institucional, në kuadër të përgatitjes dhe aftësimit profesional të studentëve të teknologjisë së automjeteve.

Krahas certifikimit dhe pajisjes së studentëve të dy programeve profesionale, “Teknologji Automjetesh” dhe “Elektromekanikë”, me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP), e cila u jep të drejtën të hapin serviset e tyre në fushën e autoriparimit, bashkëpunimi thellohet në drejtim të zhvillimit të praktikave profesionale, sjelljes së ekspertizës në auditor, leksioneve të hapura, rishikimit të kurrikulës, zhvillimit të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike.

Rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr.-Ing. Andonaq Londo Lamani, e cilësoi bashkëpunimin një vlerë të shtuar për kolegjin dhe për studentët e programeve profesionale dyvjeçare, si dhe për studentët e ciklit bachelor në Inxhinierinë Mekanike.

“Kjo marrëveshje kontribuon në dy drejtime. Së pari, në kryerjen e praktikave mësimore të studentëve tanë të teknologjisë së automjeteve në këtë drejtori dhe në të gjitha pikat që ajo ka në Shqipëri. Së dyti, specialistë të kësaj drejtorie janë të ftuar në Tirana College of Technology të japin leksione të hapura dhe të sjellin eksperiencën dhe ekspertizën e tyre në auditor”, theksoi rektori.

Duke falënderuar drejtuesit kryesorë të DPSHTRR-së për vizitën në ambientet e kolegjit universitar, administratorja e TCT-së, Diana Biba tha se marrëveshja po formalizon një bashkëpunim të nisur prej vitesh, i cili ka dhënë shumë fryte për të dyja palët. Përveç dëshmisë së aftësisë profesionale, ky institucion ka punësuar ndër vite mjaft prej studentëve të diplomuar në Tirana College of Technology.

 

 

“Mirënjohje për besimin që ju patët te ne si institucion i arsimit të lartë profesional. Krahas diplomave profesionale 2-vjeçare, ne e nisim dhjetë vjeçarin e dytë me 4 programe bachelor, njëra prej të cilave është Inxhinieria Mekanike, kështu që besoj do të ulemi sërish në këtë tryezë në mënyrë që studentët tanë të përfitojnë nga gama e shërbimeve që ju ofroni”, theksoi administratorja e TCT-së.

Znj. Biba shtoi se, falë përgatitjes profesionale dhe praktikave, programi i teknologjisë së automjeteve ka pasur shumë sukses. Po ashtu, përmes projekteve ndërkombëtare të TCT-së, studentët kanë zhvilluar praktika profesionale 3-mujore në vende të ndryshme evropiane, duke krijuar kështu mundësi reale për punësimin e tyre në tregun vendas dhe atë global.

Si një institucion përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e një sërë shërbimesh thelbësore në fushën e transportit rrugor, drejtori i DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, tha se institucionet publike duhet të kontribuojnë në përgatitjen e brezave të rinj dhe në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës. Në këtë kuadër, DPSHTRR-ja ka treguar vazhdimisht gatishmërinë për të hapur dyert për studentët që dëshirojnë të zhvillojnë praktikën profesionale pranë institucionit, të cilat nuk janë vetëm një detyrim akademik, por edhe një mundësi e mirë për studentët që të njohin proceset konkrete të punës.

“Vlen për t’u theksuar se vetëm për periudhën 2020–2026, në DPSHTRR kanë marrë pjesë në praktikën profesionale rreth 145 studentë nga të gjitha llojet e profileve, duke përfshirë këtu inxhinierinë mekanike, inxhinierinë ekonomike, teknologjinë e informacionit, financën, drejtësinë dhe marketingun. Ne besojmë fort se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe institucioneve arsimore është një element kyç për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe për përshtatjen e programeve akademike me tregun e punës”, tha Bajraktari.

 

 

Më tej, ai inkurajoi studentët të bëhen pjesë e edicionit të tretë të konkursit “Transport, Inovacion dhe Siguri”, një nismë e DPSHTRR-së që synon të nxisë ide dhe zgjidhje kreative për transportin dhe sigurinë në rrugë. Përveç studentëve, ky kompeticion është i hapur edhe për nxënësit e shkollave teknike, si dhe për çdo të ri që ka një ide vizionare, e cila e bën transportin më të sigurt, më efikas dhe më inovativ.

Bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor vjen në përmbushje të filozofisë dhe vizionit të Tirana College of Technology, për të ruajtur gjithmonë të shëndetshme marrëdhënien me tregun e punës, me industrinë dhe institucionet, të cilat mundësojnë aftësimin praktik dhe përgatitjen sa më të plotë profesionale të studentëve, në të gjitha fushat e tyre të studimit.