Technology Hour/ CEO e JetBank, në një diskutim me studentët për bankën e parë digjitale në Shqipëri

 

Cikli “Technology Hour” solli këtë radhë në auditorin e Tirana College of Technology znj. Fatbardha Rino, CEO dhe administratore e Jet Bank, në një diskutim të hapur me studentët dhe pedagogët për të ardhmen e sistemit bankar dhe parasë.

Administratorja e TCT-së, Diana Biba tha se këto forume po kthehen në traditë për kolegjin universitar, pasi janë një mundësi e mirë për të kuptuar nevojat e tregut të punës dhe se si akademia mund të shkojë në të njëjtën linjë me to.

“Është ai misioni i tretë i universitetit, ku ne bashkojmë forcat me industrinë për të nxjerrë produkt të suksesshme. Që nga themelimi në vitin 2015, institucioni ynë ka qenë pionier në arsimin profesional të orientuar drejt teknologjisë, duke përgatitur studentë me aftësi praktike dhe kompetenca që i përgjigjen nevojave reale të tregut.”

Rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr. Ing. Andonaq Lamani, tha se teknologjia po depërton në çdo qelizë të ekonomisë dhe inovacionet e çdo fushe nuk duhet të lihen jashtë formimit të të rinjve, të cilët do të duhet të përballen me to ende pa dalë nga auditori.

“Teknologjia ka avancuar aq shumë sa është bërë e pandashme nga sektori bankar, madje transformimi digjital po ndryshon mënyrën se si funksionojnë shërbimet financiare.”

Administratorja e Jet Bank ndau vizionin e saj mbi këtë hyrje të re në tregun financiar shqiptar duke theksuar se ai po zhbën konceptin tradicional të bankës, po shmang radhët nëpër banka dhe burokracitë e letrave.

“Shqipëria po kalon një fazë transformimi të jashtëzakonshëm për sa i përket sektorit bankar dhe unë jam shumë e lumtur të them se jemi pionierë të një mënyre krejtësisht të re të të bërit bankë në Shqipëri. Banka pritet të fillojë operacionet e saj të plota në datën 17 qershor. Aktualisht rreth 400 klientë po testojnë teknologjinë tonë. Ata po kryejnë pagesa, po përdorin kartat dhe po përjetojnë nga afër funksionimin e bankës sonë digjitale.”

Pikërisht kjo ndërlidhje e fortë me kodimin dhe strukturat e të dhënave bëri që znj. Rino të vinte theksin te profili i ri që kërkon tregu, duke u shprehur:

“Bashkimi i biznesit me teknologjinë është e ardhmja. Synimi ynë është të krijojmë një bankë 100% digjitale, ku çdo komunikim me bankën të realizohet përmes telefonit tuaj dhe, në të ardhmen, edhe përmes platformave të tjera online. Çdo shërbim do të jetë i disponueshëm 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, dhe proceset që dikur kërkonin kohë të gjatë, do të realizohen brenda pak minutash.”

Gjatë diskutimit me studentët, Rino shpjegoi se në rastin e Jet Bank, e gjithë hapja e llogarisë do të realizohet online përmes inteligjencës artificiale (AI), e cila analizon në kohë reale tiparet dhe lëvizjet e fytyrës duke e krahasuar me dokumentin biometrik. Procesi i regjistrimit, paraqitja e dokumentit dhe nënshkrimi i kontratës zgjasin vetëm katër deri në pesë minuta. Gjithashtu, ajo konfirmoi se po ndërtohen platformat e dedikuara që do të lejojnë edhe bizneset të pasqyrojnë të gjithë strukturën e tyre organizative në sistem.