Panairi i Karrierës UET-TCT/ 60 kompani prezantojnë ofertat e tyre për studentët

Tirana College of Technology dhe Universiteti Europian i Tiranës organizuan së bashku edicionin e radhës së Panairit të Karrierës, hapësira që vendos studentët përballë tregut të punës. Mbi 60 kompani të mëdha në vend nga sektori i ndërtimit, inxhinierisë, teknologjisë, automjeteve etj., prezantuan nevojat e tyre dhe mundësitë që ofrojnë për studentët për praktika, internship-e dhe punësim.

Në fjalën hapëse, presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa tha se është e rëndësishme të promovohet bashkëpunimi mes universitetit dhe biznesit, në kuadër të zhvillimit dhe rritjes profesionale të studentëve.

“Duhet të ndërtojmë një kulturë të re pune, një kulturë që promovon kooperimin dhe integrimin në mënyrë që tregu dhe vendi i punës realisht të jetë mjedisi ku individi zhvillon në nivelet më të larta produktivitetin e tij.”

Edhe rektori i TCT, Prof. Dr. Andonaq Lamani e vuri theksin te nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit, si mënyra më e mirë për t’iu ofruar studentëve punësim dhe karrierë të sigurt.

“Po punojmë së bashku me biznesin për të realizuar një dimension të tretë të arsimit të lartë dhe të botës akademike që është lidhja e ngushtë me biznesin.”

Panairi i Karrierës është një nga aktivitet më të rëndësishme që organizojnë universitetet, pasi nuk janë vetëm vendi ku çdo biznes prezanton veten. Ky panair është një mënyrë për të mbajtur të fortë lidhjen me industrinë, për të mësuar nevojat më të reja të tregut, e cili afektohet në ndryshimin e kurrikulave të programeve të studimit dhe përgatitjen e studentëve me njohuri dhe aftësi të reja që kërkojnë zhvillimet teknologjike.