Nga Berati në TCT, programet e studimit “ndajnë” tre shokët e gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”

 

Është krejt e natyrshme që kur maturantët bëjnë zgjedhjen e tyre, pyesin njëri-tjetrin për universitetin dhe programet e studimit që do të zgjedhin. Kjo, jo vetëm sepse duan të studiojnë në të njëjtat fusha, por edhe për të qenë komodë, me të njëjtën shoqëri që e njohin prej vitesh, ndërsa nisin një etapë të re të jetës, e cila do të impaktojë bindshëm rrugëtimin profesional.

Ky nuk ishte 100% skenari i preferuar i tre maturantëve të gjimnazit “Babë Dudë Karbunara” në Berat, të cilët vendosën të vijojnë studimet pranë Tirana College of Technology, por jo në të njëjtat programe studimi.

“Kam gjithë rrugën që përpiqem t’ua mbush mendjen, por është e kotë”, thotë me të qeshur Reims Mollaj, retorika e të cilit nuk ka dhënë rezultatin që do të dëshironte. I influencuar nga miku i tij, ai ka zgjedhur të studiojë në programin bachelor Inxhinieri Mekanike, i cili është hapur prej vitit të kaluar për shkak të kërkesave të larta në tregun e punës.

Dy shokët e tij të gjimnazit, Klaudio Ruçaj dhe Adenian Balliu, kanë zgjedhur të studiojnë në programin profesional dyvjeçar, Teknologji Automjetesh. Vullneti i Klaudio Ruçajt për të vendosur ishte i kufizuar. Mesatarja e tij e gjimnazit, më pak se 6.5, i jepte mundësinë të përzgjidhte vetëm programet profesionale, si të vetmet që nuk kanë kriter mesataren.

Duke qenë se janë dyvjeçare, me 120 kredite, ato janë të orientuara drejt praktikës. Sipas rregullave, 50% të kurrikulës e përbën teoria dhe gjysmën tjetër praktika. Qëllimi i diplomës profesionale është që të përgatisë teknikë të lartë, zbatues, të cilët zënë menjëherë vendin e tyre të punës në treg, qoftë në Shqipëri apo jashtë vendit. Tirana College of Technology, si një ndër të parat institucione të arsimit të lartë profesional në Shqipëri, ofron prej vitit 2015 diploma profesionale në fushën e automjeteve, ajrim-kondicionimit, elektronikës etj.

E kundërta ndodh me studimet bachelor, ku shpesh ata që përzgjedhin këtë cikël, vijojnë edhe studimet master, për t’u përgatitur dhe specializuar në detyra më specifike që kanë të bëjnë me projektimin dhe drejtimin e punës, sesa thjesht zbatime praktike.

Situata e shokut të tretë, Adenian Balliu, ishte ndryshe. Ai kishte mundësinë të zgjidhte dhe mund të vendoste si për të vijuar në programet profesionale, ashtu edhe në ato bachelor. “Mua më doli programi Inxhinieri Mekanike, por vendosa të shkoj te dyvjeçari”, thotë Adeniani, teksa interesohet më shumë për praktikat profesionale, bashkëpunimin që ka TCT-ja me biznesin dhe kompanitë më të mëdha në Tiranë, të cilat operojnë në fushën e automjeteve, si dhe mundësitë për të hapur në të ardhmen servisin e tij.

Pavarësisht “dështimit të parë” për të marrë në klasë dy shokët e tij, Reims Mollaj ende shpreson që një tjetër i njohur i tij të vijë në TCT dhe të vijojë studimet në të njëjtin program si ai.