Kostandin Doni investon te pasioni/ Historia e studentit më të ri të Elektronikës në TCT

Kostandin Doni nuk ndoqi profesionin e të atit. As nuk zgjodhi të bëhej pjesë e biznesit familjar. Preferoi të dëgjonte pasionin dhe të ndërtonte rrugëtimin e tij. Elektronika është programi ku e gjen veten. Është fusha që e kuriozon dhe e shtyn të mësojë më shumë.

Kjo edhe për shkak të ndikimit të kushëririt, me të cilin ka ndarë biseda të gjata e hera-herës kanë eksploruar në rregullimet teknike të pajisjeve elektronike. Kështu që, ende pa mbaruar gjimnazin “Muharrem Çollaku” në Pogradec, ai e kishte të qartë se për çfarë do t’i ndiqte studimet e larta.

Por atëherë ende nuk e dinte se në cilin universitet do të shkonte. Me afrimin e datave për plotësimin e listës me 10 preferencat e programeve të studimit, nisi kërkimin për të gjetur institucionin i cili ofronte degën që ai dëshironte.

“Nga kërkimi im në rrjetet sociale u njoha me Tirana College of Technology dhe programin profesional dyvjeçar, Elektronikë. Menjëherë vendosa që ky ishte vendi i duhur”, tregon Kostandini, duke shtuar se me mesataren e shkollës së mesme kishte mundësi të vijonte edhe në programet bachelor.

Udhëtoi nga Pogradeci drejt Tiranës për t’u njohur me kolegjin. Vizitoi ambientet, laboratorët, pyeti për programet, tarifat dhe mundësitë që ofron Tirana College of Technology.

Me publikimin e listave të aplikantëve për në raundin e parë të regjistrimeve, Kostandini është ndër të parët që ka fituar në programin Elektronikë. Nën shoqërinë e të atit, ai ka ardhur për t’u regjistruar dhe për t’u bërë kështu zyrtarisht student i TCT-së.

“E respektova dëshirën e tij për të studiar Elektronikë. E di që e ka pasion, por mendoj se është edhe një profesion që kërkohet nga tregu i punës”, thotë Margarit Doni. Për të është e rëndësishme që njeriu të investojë në pasionin e tij, sepse vetëm kështu do të punojë me profesionalizëm dhe nuk do të ndalet kurrë së mësuari.

“Unë e kam kaluar vetë këtë proces. Pasioni për dekorimin e mjediseve të jashtme më bëri të mësoj vazhdimisht dhe në fund të hap biznesin tim. Kam 4–5 vjet që e ushtroj në qytetin e Pogradecit.”

Tregon se ka mbaruar shkollën e mesme profesionale në fushën e mekanikës, në vitin 1997. Por si shumica e shqiptarëve, edhe ai bëri zgjedhjen e largimit nga vendi drejt Selanikut. Punoi për gati 25 vjet në fushën e ndërtimit dhe më tej u rikthye për të punuar në qytetin e tij, pranë familjes.

“Pasioni të shtyn të zgjerosh njohuritë në mënyrë autodidakte dhe të zhvillohesh profesionalisht, por shkolla ka avantazhe të tjera. Ajo të ndihmon të zgjerosh kontaktet e bashkëpunimet, si dhe të lehtëson pjesën e gjetjes së punës”, shton më tej Margarit Doni.

Ata janë të informuar për pjesën e praktikës në programet profesionale, kurrikulat e të cilave e kanë të ndarë në mënyrë të barabartë pjesën e praktikës dhe teorisë. Përveçse ushtrimit në mjediset e kolegjit, prej vitesh, TCT-ja bashkëpunon me bizneset më të mëdha në Tiranë për t’u ofruar studentëve mundësinë e praktikës dhe më tej të punësimit. Kjo i bën akoma më shpresplotë për zhvillimin profesional dhe të ardhmen.

# Posted In: