Edicioni i dytë i Konferencës Ndërkombëtare “Innovation for Development” sjell në TCT studiues nga e gjithë bota

U zhvillua në Tirana College of Technology edicioni i dytë i Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Innovation for Development”. Ky aktivitet shkencor, ndër më të rëndësishmit që organizon kolegji universitar në fushën e kërkimit, trajtoi disa nga çështjet më të mprehta që impaktojnë zhvillimin e shoqërisë shqiptare, si edhe atë globale.

Energjia e rinovueshme, siguria energjitike, siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe teknologjia e informacionit ishin në qendër të punimeve shkencore, të realizuara nga akademikë, profesorë, studiues, ekspertë dhe përfaqësues të industrisë. Ky edicion tërhoqi një numër të lartë studiuesish nga universitetet partnere në rajon dhe Evropë, si Kosovë, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Gjermania e deri në Indi, duke dëshmuar se sfidat në teknologji dhe inovacion nuk janë lokale, por globale.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr.-Ing. Andonaq Londo Lamani, theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla shkencore që analizojnë dhe japin zgjidhje për disa nga sfidat më të ngutshme të kohës.

“Këto tema kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm për botën, por edhe për Shqipërinë. Fushat e energjisë së rinovueshme, sigurisë energjitike, sigurisë kibernetike dhe transportit janë ndër sektorët ku ekonomia shqiptare ka nevojë për zhvillim të vazhdueshëm dhe zgjidhje inovative”, u shpreh ai.

Presidenti i Tirana College of Technology, Dr. Gjergj Simaku, u ndal te ndikimi që inteligjenca artificiale po ushtron në arsimin bashkëkohor dhe nevoja për t’i përshtatur programet akademike me realitetet e reja teknologjike.

“Presioni dhe zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po transformojnë mënyrën se si mësojmë dhe si zhvillohet kërkimi shkencor. Për këtë arsye, punimet e konferencës janë përqendruar kryesisht në këtë realitet të ri, duke sjellë perspektiva dhe praktika shkencore nga vende të ndryshme të botës”, deklaroi Simaku.

Ai theksoi se Tirana College of Technology po orienton programet e studimit drejt profesioneve të së ardhmes dhe nevojave reale të tregut të punës, duke investuar në fusha që do të mbeten thelbësore edhe në epokën e inteligjencës artificiale.

Prof. Dr.-Ing. Thomas Carolu nga Universiteti Siegen në Gjermani përgëzoi organizatorët e konferencës dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një platforme të tillë ndërkombëtare për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave akademike.

“Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë organizimi i konferencave të tilla, të cilat trajtojnë tema me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë moderne. Inovacioni, teknologjia dhe kërkimi shkencor janë faktorët kryesorë që përcaktojnë konkurrueshmërinë e vendeve në dekadat e ardhshme. Universitetet kanë një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces, duke krijuar ura bashkëpunimi mes akademisë, industrisë dhe institucioneve publike. Jam i bindur se aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përgatitjen e profesionistëve të rinj për sfidat e së ardhmes”, u shpreh profesori gjerman.

Studiuesi Tashfeen Ahmad nga University of the West Indies foli për sfidat e përgatitjes së brezit të ri, të aftë për t’iu përgjigjur zhvillimeve dhe ridimensionimit që po pëson ekonomia dhe shoqëria. Sipas tij, mjaft e rëndësishme mbetet njohja që në auditor me teknologjitë e reja, për të kapur ritmet e një tregu dinamik, në ndryshim të vazhdueshëm.

“A po i përgatisim realisht studentët për këtë të ardhme? Nuk mjafton vetëm përdorimi i teknologjisë në auditor; ne duhet të zhvillojmë aftësi kritike, mendim inovativ, kreativitet dhe kapacitete për zgjidhjen e problemeve komplekse. Këto janë kompetencat që do të përcaktojnë suksesin e brezit të ardhshëm në një botë gjithnjë e më të dominuar nga inteligjenca artificiale dhe automatizimi”, theksoi ai.

Konferenca vijoi me prezantimin e punimeve shkencore, ndërsa pjesëmarrësit ndanë eksperiencat më të fundit në fushat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, energjisë së qëndrueshme dhe transformimit dixhital, duke parë në këto dinamika hapësira të reja institucionale për bashkëpunime dhe partneritete ndërkombëtare.