Profesori Thomas Carolus: Sa i vlen Shqipërisë modeli gjerman me programet e dyfishta inxhinierike

 

Tirana College of Technology e nisi vitin e ri akademik me leksion të hapur, ku i ftuar ishte pedagogu i Universitetit Siegen në Gjermani, Prof. Dr. Ing. Thomas Carolus. I diplomuar në Inxhinieri Mekanike, prof. Carolus ka një eksperiencë të gjatë në fushën akademike si lektor i auditorëve të universiteteve brenda dhe jashtë Gjermanisë, e njëkohësisht është iniciues dhe zhvillues i projekteve të ndryshme kërkimore.

Kjo është hera e tij e parë në auditorin e Tirana College of Technology, i cili ofron këtë vit akademik katër programe të reja Bachelor në fushën e inxhinierive (Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhineri Software), krahas programeve profesionale 2-vjeçare që i ofron prej 10 vitesh në tregun e arsimit të lartë shqiptar.

Për pedagogët dhe studentët e inxhinierive, profesori mbajti dy leksione. Në të parin trajtoi programet e dyfishta (dual study program), një model që po eksperimentohet në Gjermani, sidomos në Universitetin Siegen, në programet inxhinierike, ku studimi kombinohet me punësim të paguar nga kompanitë që operojnë në qytetin Siegen. Leksioni i dytë kishte të bënte me impaktin e profesionistëve dhe studentëve të inxhinierive në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), ndryshe e njohur si Agjenda 2030 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Secili modul shpjegimi u shoqërua me seancë pyetjesh, për mënyrën se si këto zhvillime dhe eksperienca perëndimore mund të përkthehen dhe zbatohen në realitetin dhe universitetin shqiptar.

Dual study program- zgjidhja për mbajtjen e studentëve

Është fenomen i njohur edhe në Shqipëri që universitet publike në rrethe njohin prej vitesh “braktisjen” dhe rënien e numrit të studentëve. Kjo për shkak se shumica zgjedhin të vijnë në universitetet publike dhe jopublike të vendosura në kryeqytet për shkak të mundësive më të shumta në edukim, zhvillim profesional, praktika dhe punësim.

Prof. Dr. Ing. Thomas Carolus tregoi se të njëjtin fenomen e ka përjetuar edhe Universiteti Siegen apo industria në këtë qytet, pasi të rinjtë shkojnë në qytete ku operojnë kompani gjigande si Porsche apo Mercedez, duke lënë pas një mungesë të theksuar për krah punë.

“Industria po na shtynte vërtet si universitet të krijonim një program studimi të dyfishtë për të tërhequr studentët dhe për t’i mbajtur ata. Si funksionon? Studentët jo vetëm që regjistrohen në universitetin tonë, por ne gjithashtu nënshkruajmë një kontratë me një kompani ose me administratën. Të dy institucionet punojnë së bashku dhe i trajnojnë studentët dhe arsimi zhvillohet në të dy vendet, në universitet dhe në kompani”, shpjegoi prof. Carolus.

Por kjo nuk ishte e vemja shtyse për të ofruar një model të tillë arsimimi. Arsyeja tjetër ishte përgatitja e plotë profesionale e studentëve, në mënyrë që gjatë kohës së studimit dhe marrjes së teorisë, të ezauronin komplet praktikën dhe gjithë proceset e punës. Në këtë mënyrë, punëmarrësi nuk do shpenzojë kohë dhe para për të trajnuar studentët e sapo diplomuar. Ata janë tashmë gati të hyjnë në tregun e punës si profesionistë me eksperiencë.

Një tjetër arsye, po aq e rëndësishme, ishte ofrimi mundësisë ekonomike për studentët. Prof. Thomas Carolus tregoi se gjatë një kursi në Universitetin Politeknik të Tiranë, vuri re se shumica e studentëve ose nuk vinin ose dilnin me rezultate të dobëta. Kjo, jo sepse nuk ishin inteligjentë, por sepse një pjesë të mirë të kohës ia kushtonin punës për të plotësuar nevojat e tyre ekonomike, e nga ana tjetër edhe për shkak të mundësive që ofron sistemi për ta dhënë disa herë provimin e asaj lënde. “Në Gjermani është pak më e vështirë sepse provimet mund ta përsëriten 2-3 herë, pastaj studenti duhet të largohet nga universiteti. Ai nuk mund të shkojë në asnjë universitet tjetër dhe ta përsërisë provimin”, shpjegoi ai.

Por nëse bëhen pjesë e një programi të dyfishtë studimi, gjatë kohës që janë në universitet, studentët përveç pjesës teorike që e marrin në auditorë, shkojnë në një kompani të fushës së tyre të studimit dhe aty zbatojnë teorinë dhe bëjnë trajnim profesional teknik.

Si funksionon ky model?

Ky model studimi ndërthur njëkohësisht universitetin me biznesin. Fazat e studimit alternohen me fazat praktike në kompani. Studentët ndjekin një program studimi dhe ndërkohë që frekuentojnë pjesën në auditor, ata shkojnë edhe në terren, në trajnim apo praktikë profesionale, e njëjtë me punën. Ata firmosin një kontratë me kompaninë, e cila ofron mundësinë e trajnimit kundrejt një pagese të arsyeshme që mbulon shpenzimet dhe jetesën e tyre.

“Studentët tanë nuk kanë kohën që kanë studentët e tjerë. Ata duhet të punojnë në të njëjtën kohë me kompaninë, në kohën e tyre të lirë. Përmbajtja e kurseve është e ndërlidhur, kështu që universiteti e di saktësisht se çfarë po ndodh në kompani dhe anasjelltas”, shpjegoi profesori, duke e kategorizuar këtë si skema kooperativë. Skema e dytë, apo siç njihet ndryshe e integruar, kombinon periudha trajnimi në kompani përgjatë gjithë programit të studimit.

Këto programe të dyfishta studimi janë të vlefshme sepse prodhojnë një inxhinier dhe një punëtor të kualifikuar në të njëjtën kohë. Në fund të diplomimit, krahas titullit akademik, ata kanë edhe aftësitë praktike, një eksperiencë punë dhe një qasje të re me tregun e punës.

Inxhinierët dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Leksioni i dytë i profesorit gjerman, Prof. Dr. Ing. Thomas Carolus, kishte të bënte me sfidat e reja të inxhinierëve në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm. Në 2015-ën Kombet e Bashkuara miratuan Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) si pjesë e Agjendës 2030. Kjo agjendë përfshin fusha të qarta veprimi dhe përfaqëson një plan global bashkëpunimi për të ndërtuar një të ardhme më të jetueshme.

Profesori shpjegoi se nga 17 objektivat e qëndrueshmërisë, rreth njëmbëdhjetë kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me teknologjinë dhe veprimtarinë inxhinierike. Ato përfshijnë: shëndet dhe mirëqenie; pa uri; ujë i pastër dhe kanalizime; energji e përballueshme dhe e pastër; punë dinjitoze dhe rritje ekonomike; industri, inovacion dhe infrastrukturë; qytete dhe komunitete të qëndrueshme; konsum dhe prodhim i qëndrueshëm; masa për mbrojtjen e klimës; jeta nënujore; jeta në tokë.

“Universitetet duhet të ofrojnë hapësira eksperimentale, ku studentët mund të eksplorojnë ide të reja pa frikë nga dështimi, duke zhvilluar zgjidhje inovative dhe bashkëpunim ndërdisiplinor. Kjo mund të realizohet përmes disa mënyrave: moduleve zgjedhore mbi qëndrueshmërinë me tematikë të hapur; laboratorëve të lirë eksperimentalë dhe punëtorive krijuese; konkurseve të ideve dhe sfidave praktike; pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm”, theksoi më tej prof. Carolus.

Në këtë kuadër, u diskutua se si mund të ndërtohet një bashkëpunim i mëtejshëm afatgjatë me studentët dhe pedagogët e Tirana College of Technology, një kolegj universitar dedikuar vetëm fushës së inxhinierive dhe teknologjive të reja.