Workshop në TCT/ Përdorimi me integritet i IA në universitet, eksperti Curraj: Nevojitet ngritja e grupeve etike

 

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arsim nuk shkakton më habi. Studimet tregojnë se universitetet botërore e kanë përqafuar këtë teknologji të re, fakt i evidentuar përmes mënyrave se si ajo përdoret, por edhe nëpërmjet investimeve që i dedikohen. Vende si Kina dhe SHBA-ja e kanë bërë të detyrueshme futjen e lëndëve mësimore për Inteligjencën Artificiale që në ciklin e ulët të shkollave fillore, ndërsa në shumë universitete me standardet më të larta të edukimit dhe kërkimit shkencor sot në botë, IA gjen zbatime të ndryshme.

Universiteti i Kembrixhit po e përdor atë si një mjet për të identifikuar boshllëqet që kanë studentët nga edukimi në shkollat e mesme. Universiteti i Stanfordit e përdor si një asistent mësimor, i cili i ndihmon studentët të zhvillojnë aftësi kritike dhe strategjike, dy aftësi të domosdoshme në tregun e punës. Nga ana tjetër, Universiteti Tsinghua në Pekin këtë vit akademik e futi IA-në në formën e një chatbot-i, i cili iu përgjigjet pyetjeve të studentëve në lidhje me kurset, klubet dhe jetën në kampus.

Sa i përket financimeve që po bëhen në këtë fushë, sipas një raporti të HolonIQ, tregu global i inteligjencës artificiale në arsim parashikohet të kapë vlerën 20.8 miliardë dollarë në vitin 2028, duke shënuar kështu një rritje të investimeve dhe përdorimit në institucionet akademike.

Në këtë panoramë të gjerë dhe të qartë globale, çfarë po ndodh me universitetet shqiptare? Ndoshta nuk janë në fazën e përqafimit dhe përdorimit masiv që kjo teknologji ka në homologët e tyre, por universitetet shqiptare po bëjnë përpjekje për të edukuar studentët dhe të rinjtë mbi zbatimet e gjera që ka IA, si ta përdorin atë për maksimizimin e njohurive dhe, mbi të gjitha, ta përdorin me integritet.

Tirana College of Technology, në bashkëpunim me SCiDEV, solli për studentët workshop-in me temë “Integriteti akademik në kohën e inteligjencës artificiale – Mbrojtja e etikës ndërsa shtyhen kufijtë”. Ky aktivitet, i zhvilluar në kuadër të EDUFIAR, projekt i Erasmus+, u organizua në disa sesione duke trajtuar tematika dhe çështje të ndryshme, të tilla si: konceptet bazë mbi IA-në, përdorimet në universitete, kujdesi i shtuar për verifikimin e informacionit që ofrojnë chatbot-et, përdorimi në mënyrë etike, etj.

Gjatë workshop-it u zhvilluan diskutime mbi rreziqet që i sjell shoqërisë njerëzore, impaktin në tregun e punës, u plotësuan anketa, si dhe u bënë ilustrime rreth shfrytëzimit sa më efektiv të këtyre teknologjive të reja.

Administratorja e TCT-së, Diana Biba, tha se Inteligjenca Artificiale është bërë pjesë e jetës së gjithsecilit. Pavarësisht diskutimeve dhe rezistencës fillestare, ashtu siç ka ndodhur me çdo teknologji të re, edhe IA vjen për të përmirësuar jetën në shoqëri.

“Teksa e përdorim këtë teknologji mjaft të avancuar, hera e parë që njeriu përballet me një mjet të përmasave të tilla, lindin pyetje dhe sfida se si ta përdorim në një mënyrë të ndërgjegjshme, etike, si dhe duke marrë maksimumin për veten tonë”, theksoi Biba.

Eksperti i transformimit dixhital të SCiDEV, Dr. Erjon Curraj, tha se tashmë ka marrë fund koha e diskutimit nëse duhet të përdoret apo jo Inteligjenca Artificiale, sepse nuk është më çështje dëshire.

“Është domosdoshmëri dhe ka nevojë të jetë pjesë e strategjisë së institucioneve të caktuara, ashtu siç po ndodh edhe nëpër botë. Madje, çdo institucion i arsimit të lartë duhet të ketë grupe etike pas integrimit të IA-së.”

Curraj ndau me studentët dhe pedagogët e Tirana College of Technology disa njohuri themelore mbi Inteligjencën Artificiale, si dhe specifikoi se si mund të implementohet ajo në universitete, kryesisht në mësimdhënie dhe mësimnxënie, në përmirësimin e materialeve dixhitale, në trajnimin e stafit akademik, futjen e chatbot-eve të thjeshta që orientojnë studentët apo në ndihmë të administratës.

Si ta përdorim IA-në me integritet

Workshop-i në TCT erdhi në kuadër të Javës së Integritetit, një fushatë kombëtare ndërgjegjësimi ku veprimi kolektiv parashihet si një levë për të tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e integritetit dhe për të promovuar sjelljen etike. Përmes informacioneve dhe teknikave, studentët u fuqizuan për të vlerësuar në mënyrë kritike mjetet e IA-së.

Ekspertja e SCiDEV, Orkidea Xhaferaj, trajtoi rreziqet etike të IA-së, siç janë paragjykimet algoritmike, halucinacionet, gabimet e shpeshta në informacionin që gjenerohet, duke sjellë keqinformim dhe dezinformim, vijat e paqarta të autorësisë etj.

“Zhvillimi teknologjik i deritanishëm nuk sjell rezultate 100% të sakta, për shkak se edhe koha e përpunimit të output-it është e limituar. Prandaj është e rëndësishme që të tregohet kujdes për çdo informacion të gjeneruar dhe të verifikohet përmes kontrollit në Google.”

Sa i përket autorësisë dhe të drejtave të autorit, Xhaferaj u shpreh se ky është një problem mbarëbotëror, duke sugjeruar që në çdo produkt që prodhohet apo publikohet, të saktësohet se është produkt i IA-së. Më tej, ekspertja këshilloi studentët që të tregojnë kujdes gjatë përdorimit të IA-së, të përpiqen të ruajnë autenticitetin e tyre, të mos e zëvendësojnë njeriun, duke ruajtur ende ndërveprimin social.

Ndikimi i IA-së në tregun e punës

Pjesë e diskutimeve gjatë workshop-it ishte edhe çështja e rreziqeve që sjell IA-ja, ku, ndër të tjera, u përmend shkurtimi i vendeve të punës, fenomen që më së shumti ka prekur kompanitë globale të teknologjisë, të cilat në vitet e fundit kanë larguar mijëra të punësuar. Por jo vetëm kaq. IA po zëvendëson edhe profesione të tjera dhe punonjës të sektorëve të caktuar, si: punonjës të call center-ve, agronomë, mekanikë, mësues kursesh, ku asistenca dhe puna njerëzore bëhen të panevojshme.

“E ardhmja e punës do të ndryshojë shumë dhe nuk e dimë ku do të shkojë. Duhet të mësojmë ta përdorim IA-në duke qenë një hap përpara atij që nuk e përdor”, theksoi Curraj, duke iu sugjeruar studentëve të jenë vigjilentë ndaj çdo lajmi dhe zhvillimi që ndodh në këtë fushë.

Workshop-i u mbyll me një ilustrim se si të përdoret nga studentët ChatGPT, Gemini apo NotebookLM në funksion të përvetësimit sa më të shpejtë të njohurive dhe realizimit të projekteve të caktuara.