Projekti Erasmus+ EDUFAIR prezantoi iniciativën pilot të përdorimit etik të IA në arsim, në konferencën ndërkombëtare “Inovacion për Zhvillim II” organizuar nga “Tirana College of Technology”.
Konferenca u përqendrua në sfidat dhe mundësitë që formësojnë zhvillimin teknologjik dhe ekonomik duke bërë bashkë akademinë, ekspertë dhe studiues nga Shqipëria, rajoni dhe Evropa për të diskutuar rolin e inovacionit në të ardhmen e shoqërisë.
Temat kryesore të trajtuara në konferencë përfshinin energjinë e rinovueshme, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe ndikimin e teknologjive të reja në proceset e të nxënit dhe tregun e punës.
Prof. Dr. Andonaq Londo Lamani, Rektor i Tirana College of Technology, theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve shkencore që sjellin në vëmendje sfidat kryesore të zhvillimit të vendit dhe rajonit. Energjia e rinovueshme, siguria energjetike, siguria kibernetike dhe transporti janë ndër sektorët ku ekonomia shqiptare ka nevojë për zhvillim të vazhdueshëm dhe zgjidhje inovative.
Dr. Gjergji Simaku, President i Tirana College of Technology, u përqendrua në ndikimin që IA po ushtron në arsimin bashkëkohor dhe nevojën për të përshtatur programet akademike me realitetet e reja teknologjike. Presioni dhe zhvillimi i shpejtë i IA-së po transformojnë mënyrën se si mësojmë dhe si kryhet kërkimi shkencor. Ai theksoi se TCT po i orienton programet e saj të studimit drejt profesioneve të së ardhmes dhe nevojave reale të tregut të punës, duke investuar në fusha që do të mbeten thelbësore edhe në epokën e inteligjencës artificiale.
Dr. Diana Biba, Administratore dhe Koordinatore e Projektit Erasmus+ EDUFAIR, prezantoi “Pilotimi i zbatimit etik të IA-së në Institucionet e Arsimit të Lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës: Përvoja e Projektit EDUFAIR”.
Ajo theksoi arritjet kryesore të projektit dhe ndikimin e tij transformues në dgjitalizimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të IA-së në pesë institucione të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Ndër arritjet më të dukshme të projektit janë zhvillimi dhe miratimi i strategjive për përdorimin etik të IA-së në pesë institucionet e arsimit të lartë të Ballkanit Perëndimor. Të zhvilluara përmes proceseve gjithëpërfshirëse, siç janë seancat e reflektimit ne nivel institucional dhe konsultimet me palët e interesuara, këto dokumente demonstrojnë angazhimin e partnerëve për të angazhuar studentët, akademinë, përfaqësuesit nga biznesi, shoqëria civile dhe media në një diskutim më të gjerë mbi përdorimin etik të IA-së.
IAL partnere zhvilluan vizitave studimore në universitetin ULSIT, Bullgari dhe Universitetin e Salentos, Itali, krahas trajnime të dedikuara në Shqipëri dhe Kosovë në secilin prej tyre, mbi përdorimin produktiv dhe etik të IA-së në kërkim, mësimdhënie, mësimnxënie dhe menaxhimin e projekteve.
Duke kombinuar bashkëpunimin, inovacionin dhe një angazhim të përbashkët ndaj IA-së etike, Projekti EDUFAIR po ndihmon në avancimin e transformimit digjiital të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë. Si një iniciativë pilot me potencial për t’u zgjeruar në të gjithë rajonin, EDUFAIR ofron një model të fortë për integrimin e përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të IA-së në arsimin e lartë.

