Afro pesë dekada i pandarë nga auditori, fusha e automjeteve dhe sistemeve të kondicionimit. Profesori Ilir Palushi ndan rrugëtimin e tij profesional dhe shpjegon se si teknologjitë e reja dhe kërkesat e tregut të punës i kanë kthyer këto profesione në një nga zgjedhjet më të mira për të rinjtë.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga koha kur ai ndoqi shkollën e mesme profesionale. Sistemet, automjetet dhe teknologjitë e prodhimit nuk janë më të njëjtat. Por ka dy gjëra që profesori Ilir Palushi i gjen të pandryshuara nga koha e studimeve të tij në vitet ’70: pasioni dhe kërkesa e tregut. Te studentët e tij ai sheh të njëjtin pasion që zbuloi te vetja, kur ndoqi shkollën e mesme profesionale Politeknikumi “7 Nëntori”, në degën e Mekanikës, dhe më pas studimet në Universitetin Politeknik.
“Studentët e duan këtë degë dhe kanë ambicie për t’u zhvilluar në këtë profesion”, thekson profesori, duke iu referuar programit profesional dyvjeçar Teknologji e Automjeteve dhe programit bachelor Inxhinieri Mekanike pranë Tirana College of Technology, ku jep mësim prej 11 vitesh.
Njësoj si në vitin 1976, kur përfundoi studimet dhe filloi punën në Parkun e Autobusëve në Laç, më i madhi në Shqipëri në atë kohë, profesori thotë se fusha e automjeteve është kthyer në një nga trendet e kohës. Dhe jo pa arsye.
Ka një statistikë domethënëse që e shpjegon këtë kërkesë të lartë të tregut. Në fund të vitit 2025, Shqipëria shënoi një rekord historik. Sipas INSTAT, në rrugët e vendit qarkullonin më shumë se 1 milion mjete rrugore (1.048.092). Rritja e numrit të automjeteve ka sjellë edhe rritjen e kërkesës për servise dhe teknikë të kualifikuar për mirëmbajtjen e tyre. Automjetet tashmë janë kompjuterizuar dhe ky profesion nuk mësohet më rastësisht. Ai kërkon formim akademik përmes kolegjeve dhe universiteteve.
“Niveli i teknologjisë së automjeteve është shumë i lartë dhe jo kushdo mund të futet në këtë profesion. Ai duhet të ketë një formim të caktuar”, shton profesori.
Automjetet elektrike janë gjithashtu një trend që ka prekur Shqipërinë. Në rrugët tona ato po bëhen gjithnjë e më të pranishme, ndërsa mirëmbajtja e tyre kërkon teknikë të rinj, të përgatitur për të gjitha proceset që kërkon një makinë plotësisht elektrike dhe e kompjuterizuar. Nëse në Evropë vitin e kaluar rreth 20% e mjeteve në qarkullim ishin elektrike, profesori thotë se në Shqipëri kjo përqindje varion nga 3.5% deri në 5%.
“Duke parë trendin evropian, Tirana College of Technology ka futur, që para 4–5 vitesh, lëndë për makinat hibride. Jemi ndër të parët që e bëmë këtë hap.”
Binomi teori-praktikë, çelësi i suksesit
Ftesën për t’iu bashkuar Tirana College of Technology e mori 11 vjet më parë, kur kolegji hapi dyert për të plotësuar mungesën e tregut të punës për zbatues dhe teknikë të lartë. Ishte përgjegjësi i Departamentit të Elektro- Mekanikës, Prof. Dr. Marenglen Gjonaj, ai që në vitin 2015 i kërkoi t’i bashkohej këtij institucioni të ri arsimor për të dhënë disa lëndë teknike në fushën e automjeteve.
Fillimisht nisi si pedagog i jashtëm, por shumë shpejt u përfshi në organigramën e kolegjit dhe, prej asaj kohe, jep mësim në dy programe: Teknologji e Automjeteve dhe Teknologji Ajrim-Kondicionimi.
“Janë disa lëndë që nuk mund t’i shpjegosh vetëm në teori pa qenë i lidhur me praktikën dhe pa i njohur mirë proceset në terren”, tregon profesori, teksa kujton këshillat e dikurshme të pedagogut të tij, Rexhep Karapici, për të mos e lënë kurrë mënjanë praktikën.
“Një ditë në javë ai shkonte në NSHRAK (Ndërmarrjen Shtetërore të Shërbimeve të Riparimit të Automjeteve dhe Kamionëve) dhe i çmontonte motorët e automjeteve deri në detaje. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund ta zotëroje plotësisht gjithë procesin.”

E quan veten me fat që ka punuar gjithmonë në profesionin e tij dhe nuk e ka shkëputur asnjëherë lidhjen me auditorin. Pas përfundimit të studimeve dhe një eksperience 11-vjeçare në Parkun e Autobusëve në Laç, u rikthye në Tiranë, ku punoi fillimisht në Parkun e Autobusëve të Kombinatit. Me ndryshimin e sistemit, vijoi punën deri në vitin 2000, në të njëjtin sektor, në Parkun e Ministrisë së Brendshme, ndërsa më pas ndërmori nisma private në sipërmarrje.
Paralelisht me angazhimin profesional, ai e ka ruajtur gjithmonë lidhjen me universitetet. Karriera e tij në mësimdhënie nisi para viteve ’90 si pedagog i jashtëm dhe vazhdoi për shumë vite, derisa iu bashkua me kohë të plotë Tirana College of Technology, ku ka dhënë një kontribut të çmuar në hartimin e lëndëve dhe të kurrikulave mësimore.
“E kam pasur fatin të jap gjithmonë të njëjtën lëndë, pa e ndërprerë asnjëherë punën në terren. Mendoj se lëndë të tilla nuk mund t’i japë çdo inxhinier, sepse janë të lidhura ngushtë me përvojën praktike.”
Është pjesë e filozofisë së vetë kolegjit universitar të ndërthurë teorinë me praktikën, përmes punës në laboratorë dhe praktikave profesionale pranë bizneseve dhe kompanive më të mëdha në vend në fushën e automjeteve, falë marrëveshjeve institucionale. Pas këtyre praktikave mësimore, profesori thotë se dy nga tre studentë punësohen në të njëjtën kompani, ndërsa të tjerë nisin aktivitetin e tyre privat.
Diploma e TCT-së u krijon mundësinë të pajisen me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) dhe të hapin servisin e tyre të automjeteve.
Transporti dhe kondicionimi, industritë më të përhapura në vend
Që prej viteve ’70, kur shkencëtarët filluan të kuptonin se disa kimikate të prodhuara nga njeriu mund të dëmtonin shtresën e ozonit, nisën edhe përpjekjet për t’i identifikuar dhe eliminuar sa më shumë ato. Protokolli i Montrealit, i miratuar në vitin 1987, me të cilin vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara ranë dakord të eliminonin gradualisht substancat që dëmtonin shtresën e ozonit, konsiderohet një nga marrëveshjet mjedisore më të suksesshme.

Përveçse një njohës shumë i mirë i fushës së automjeteve, gjatë 20 viteve të fundit profesor Palushi është angazhuar edhe në çështjet mjedisore. Ai është ekspert i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO) për Konsulencën Sektoriale RAC (Refrigeration and Air Conditioning), është përfshirë në menaxhimin e projekteve, si dhe ka dhënë kontributin e tij përmes trajnimeve, konferencave, punimeve dhe botimeve shkencore.
Ka botuar disa libra ndër vite, në bashkautorësi me Dr. Mimoza Vokshi, si “Sistemet e Ftohjes dhe Impakti i Tyre në Mjedis” (2018) dhe “Makinat elektrike dhe hibride” (2023). Botimi më i fundit në këtë fushë është ai i vitit 2025, me titull “Manual mbi standardet e sigurisë dhe praktikat e mira për ftohësit e ndezshëm”. Në fushën e automjeteve, së bashku me rektorin e TCT-së, Prof. Dr. Andonaq Londo Lamani, botoi këtë vit librin “Motorët me djegie të brendshme”.
“Kam realizuar mbi 20 projekte dhe studime për efektin që kanë sistemet e ftohjes dhe të kondicionimit në ngrohjen globale”, tregon profesor Palushi, duke shtuar se ekspertizën e tij e ka vënë në shërbim të përgatitjes së kurrikulave të TCT-së dhe universiteteve të tjera në Shqipëri për programet master në fushën e sistemeve të ftohjes.
Dy janë, sipas profesor Palushit, industritë më të përhapura sot në Shqipëri: industria e automjeteve dhe ajo e ftohjes e kondicionimit. Shifrat e fundit të vitit të kaluar tregojnë se numri i automjeteve në qarkullim në Shqipëri ka kaluar mbi 1 milion. Nga ana tjetër, sistemet e ftohjes dhe të kondicionimit nuk gjenden vetëm te automjetet. Çdo familje ka frigoriferë dhe kondicionerë në banesën e saj, ndërsa çdo biznes, i vogël apo i madh, përdor sisteme ftohjeje dhe kondicionimi.
“Janë frigoriferët industrialë, janë sistemet qendrore të ftohjes dhe kondicionimit në resorte; pra, është një fushë mjaft interesante, për të cilën tregu ka një nevojë të jashtëzakonshme për teknikë të kualifikuar.”
Teknologjia në këtë sektor po zhvillohet me ritme të shpejta dhe kërkon njohuri të reja, të cilat fitohen në auditor, përmes ekspertizës dhe praktikës profesionale. Prandaj, ai këshillon çdo të ri të vlerësojë kërkesat dhe nevojat e tregut të punës dhe të zgjedhë profesione që ofrojnë mundësi të sigurta punësimi dhe zhvillimi në karrierë.

