Tirana College of Technology organizoi konferencën dy ditore me temë “Forcimi i kapaciteteve për zbatimin e arsimit të lartë dual në Shqipëri”, në kuadër të projektit DUALBA, i cili synon të përmirësojë kompetencat e të diplomuarve të arsimit të lartë në Shqipëri. Përgjatë punimeve të konferencë në ambientet e Tirana College of Technology dhe Universitetit Europian të Tiranës u evidentua rëndësia dhe impakti i këtij projekti të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian në transformimin e arsimit të lartë shqiptar. Duke ndjekur dhe njohur modelet evropiane pas vizitave studimore të zhvilluara, u prezantua një draft-modul i arsimit dual që i përshtatet mjedisit akademik në Shqipëri dhe tregut të punës vendas, si dhe u shkëmbyen mendime dhe u sollën shembuj nga përvoja ndërkombëtare që mund të gjejnë hapësirën e tyre në arsimin e lartë shqiptar.
Në këtë konferencë, të moderuar nga administratorja e TCT, Dr. Diana Biba, morën pjesë, fizikisht dhe online, përfaqësues nga 18 institucionet partnere në projekt, nga universitetet shqiptare dhe ndërkombëtare, nga organizatat arsimore në vend, por dhe nga industria dhe bizneset.
Biba e cilësoi mjaft të rëndësishëm këtë projekt pasi është hera e parë që po bëhen përpjekje për të zbatuar modelin dual edhe në arsimin e lartë shqiptar, i cili deri tani është zbatuar vetëm në shkollat e mesme profesionale.
“Tani po bëjmë një hap përpara. Ne duam t’ju rekomandojmë arsimin e lartë sepse është shumë e rëndësishme të kesh një lidhje të vërtetë midis akademisë dhe industrisë së tregut të punës. Nga vizitat tona të fundit studimore në Austri dhe Francë, pamë se sa efikas ishte arsimi i dyfishtë dhe sa mirë funksiononte tregu i punës dhe shpresojmë vërtet të kemi të njëjtën përvojë këtu në Shqipëri”, theksoi administratorja e TCT-së. Po ashtu, ajo u shpreh mjaft optimiste për eficensën e zbatimit të këtij projekti, i cili përbën një vlerë të shtuar jo vetëm për arsimin e lartë, por në të njëjtën kohë edhe për tregun e punës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr. Andonaq Londo Lamani, tha se projekti DUALBA është një hap i guximshëm dhe transformues i mënyrës se si përgatiten të rinjtë shqiptarë për tregun e punës, ku tashmë studenti ndërton aftësi dhe lidhje të forta me industrinë gjatë kohës së tij në auditor.

“Ajo që e bën këtë projekt veçanërisht domethënës është bashkëpunimi i ngushtë midis universiteteve të ndryshme, në përputhje me nevojat ekonomike dhe shoqërore, i cili njëkohësisht adreson interesat dhe pritshmërinë e studentëve, institucioneve të arsimit të lartë dhe sektorit privat. Ne po krijojmë një model që ka potencialin të jetë jo vetëm efektiv, por vërtet transformues”, theksoi më tej rektori.
Përfaqësuesi nga Universiteti i Novi Sad, i cili është institucioni koordinator i këtij projekti, Prof. Dr. Mirko Savic prezantoi hapat e deritanishëm të DUALBA, i cili ka përmbyllur paketën e dytë dhe vizitat studimore kryesisht në universitete dhe kompani në Bashkimin Evropian. Tashmë projekti është në fazën e njohjes me draftin e modelit gjenerik për Shqipërinë dhe më tej të konsultimit dhe zgjedhjes së propozimit më të përshtatshëm për arsimin dhe tregun vendas të punës.
“Kjo konferencë është e rëndësishme që pjesëmarrësit të diskutojnë se çfarë lloj modeli të dyfishtë i përshtatet Shqipërisë, sepse ka dallime të konsiderueshme midis vendeve të ndryshme kur bëhet fjalë për modelin e dyfishtë edhe në të njëjtin vend, veçanërisht në vende si Austria nga njëra anë ose modeli spanjoll nga ana tjetër.”

Në fazën e dytë të projektit është ngritur një grup pune, nën drejtimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, janë zhvilluar anketime me përfaqësues nga tregu i punës për të kuptuar nevojat e tyre për profesionistë të rinj dhe më tej është ndërtuar një draft i modelit gjenerik i arsimit të dyfishtë (modeli DUALBA) për të mbështetur nevojat dhe interesat e ndryshme të studentëve, kompanive, institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Modeli përfundimtar që do të vendoset përmes fazave të diskutimeve dhe konsultimeve me të gjithë partnerët, për të nisur më tej projektin pilot të zbatimit në pesë universitete shqiptarë që janë pjesë e DUALBA.
Përfaqësuesi i Universitetit të Durrësit, Prof. Dr. Osman Metalla, tha se për hartimin e këtij drafti ishte mjaft e vlefshme përvoja me partnerët evropianë, vizitat dhe shkëmbimet që patën gjatë fazave të para të projektit. Metalla theksoi se arsimi i dyfishtë përtej përfitimeve individuale për studentët apo kompanitë, do të ketë edhe impakt social në promovimin e inovacionit dhe transformimit digjital. Në këtë kuadër, ai e quajti jo vetëm një iniciativë akademike, por edhe një investim strategjik për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit.
“Suksesi i këtij projekti varet nga angazhimi dhe bashkëpunimi ynë, nga gadishmëria jonë për të pranuar të renë, nga aftësia jonë për t’u përshtatur dhe për të mësuar nga njëri-tjetri. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar që rezultatet e DUALBA të mos kufizohen vetëm në rezultatet e projektit, por të bëhen ndryshime të qëndrueshme në sistemin e arsimit të lartë.”
Draft- modeli u prezantua më tej nga pedagogia e Universitetit të Durrësi, Ada Gashi, duke nxitur diskutime për atë që parashikohet dhe atë që mund të sjellë kjo përvojë e re për arsimin shqiptar. U fol për mënyrën se si funksionojnë deri tani pjesa e praktikave dhe internshipe-ve në arsimin e lartë shqiptar, hapësirën që zë ai në kurrikulën dhe impaktin që ka në formimin e studentit. Sistemi i dyfishtë synon të rrisë angazhimin profesional të studentëve gjatë kohës së studimit, praktikat do të zënë pjesën më të madhe se teoria, dhe ato do të jenë të paguara, duke motivuar dhe nxitur studentin të përkushtohet në këtë proces.

Administratorja e TCT-së, Diana Biba tha se modeli dual që do të zhvillohet për Shqipërinë, nuk mund të funksionojë njëlloj si për sektorin publik ashtu dhe për atë privat, por ai do të mbështet në tre shtylla kryesore.
“E para është vetë institucioni i arsimit të lartë, i cili duhet të jetë i përkushtuar dhe me një vizion të qartë. E dyta është industria, tregu i punës, pa të, modeli i arsimit të dyfishtë nuk mund të zbatohet. E treta është hartuesi i politikave. Deri më tani nuk ka asnjë dispozitë në ligjin shqiptar për modelin e arsimit të dyfishtë në arsimin e lartë”, u shpreh Biba duke theksuar veçanërisht faktin që pjesë e këtij projekti janë institucionet politikbërëse, si Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Projekti DUALBA ka nisur zbatimin e tij në shkurt të 2025-ës me një kohështrirje 4-vjeçare. Pas miratimit të modelit, për zbatimin e tij do të krijohet një kornizë ligjore dhe strategjike për zbatimin e sistemit dual në arsimin e lartë, për t’u pilotuar dhe për të vlerësuar më tej impaktin e tij.


