Tirana College of Technology zgjeron më tej bashkëpunimin me bizneset dhe industrinë në vend. Kompania e njohur Alstezo, e cila operon në tregun shqiptar prej më shumë se 30 vjetësh në sektorin e automobilave dhe distribucionit të pjesëve të këmbimit, është partneri më i ri i kolegjit.
Gjatë një vizite në ambientet e Tirana College of Technology, ku zhvilloi një bashkëbisedim me studentët dhe prezantoi mundësitë për praktika dhe punësim, CEO i Alstezo, Albert Zogo, firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me rektorin Prof. Dr. Andonq Londo Lamani.
Teksa shprehu kënaqësinë për hedhjen e themeleve të këtij partneriteti, rektori e cilësoi atë një mundësi mjaft të mirë, sidomos për studentët që vijojnë studimet në Inxhinieri Mekanike dhe në programet profesionale të Elektro-Mekanikës dhe Teknologjisë së Automjeteve. Sipas tij, ky bashkëpunim hap rrugën për shkëmbime mes auditorit dhe ekspertëve të kompanisë, të cilët do të sjellin në auditor njohuritë dhe zhvillimet më të fundit të sektorit, duke kontribuar njëkohësisht në ndërtimin e kurrikulave të reja që formojnë profesionistë të përgatitur për sfidat e tregut të punës.
Themeluar në vitin 1993, kompania ka zgjeruar ndër vite veprimtarinë e saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Aktualisht, ajo ka dy lokacione të pozicionuara strategjikisht në Tiranë dhe Fier, ku ofron shërbime dhe riparime për të gjitha llojet e automjeteve, si dhe tregti pjesësh këmbimi.

CEO i Alstezo, Albert Zogo, rrëfeu në auditor se kompania hyri në një epokë të re pas pjesëmarrjes së tij në panairin e Frankfurtit në vitin 1998, prej nga nisi edhe një kulturë e re pune. “Në të gjitha aktivitetet tona janë sintetizuar modelet dhe praktikat më të mira të fushës, të cilat i kemi huazuar ose përfituar nga panairet më të mëdha botërore, si në Paris, Torino, Bolonjë dhe Las Vegas,” u shpreh ai.
Sipas Zogos, sjellja e teknologjive dhe metodave më bashkëkohore është ajo që e diferencon kompaninë në tregun kombëtar dhe rajonal. Kjo është konfirmuar edhe nga partneritetet me kompani të huaja. “Ne punojmë dhe jemi ekskluzivë për rreth 20 kompani ndërkombëtare nga Anglia, Gjermania dhe Amerika. Shifrat flasin vetë, por ajo që vlerësohet më shumë në biznesin tonë është partneriteti me komunitetet ndërkombëtare,” theksoi ai.
Përveç partneriteteve, ai vuri theksin edhe te profesionalizmi i burimeve njerëzore, veçanërisht i inxhinierëve të formuar jashtë vendit, të cilët kanë ndërtuar karrierën e tyre në këtë kompani.
Edhe pse inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme, Zogo theksoi se roli i profesionistit mbetet i pazëvendësueshëm. Sipas tij, tregu ka nevojë për hidraulikë, elektricistë, inxhinierë mekanikë dhe teknikë, profesione që nuk mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale.
Në përfundim, ai inkurajoi studentët të vizitojnë ambientet e kompanisë në Fier dhe Tiranë, të njihen nga afër me proceset e punës dhe të provojnë veten e tyre, duke u bërë pjesë e këtij rrugëtimi profesional.

