Shqipëria është vendi pritës i edicionit të 33-të të Olimpiadës Ballkanike të Informatikës, e cila organizohet nga STEM Hub Albania, në kujdesin e znj. Hatixhe Bilibashi, kryetare e Olimpiadës Ballkanike të Informatikës. Shtatëdhjetë e pesë pjesëmarrës nga 18 shtete të Ballkanit dhe më gjerë janë bërë pjesë e këtij kompeticioni që teston aftësitë në zgjidhjen e problemeve algoritmike dhe në programim. Secili shtet përfaqësohet me 4 konkurrentë nga shkollat e mesme dhe gjimnazet, fitues të olimpiadave kombëtare, të shoqëruar nga dy mentorë.
Konkurrimi zhvillohet përgjatë dy ditëve, 16 dhe 18 shtator, në ambientet dhe laboratorët e informatikës pranë Tirana College of Technology, një institucion partner i këtij edicioni. Përveçse një garë për matjen e njohurive, për të eksperimentuar dhe zgjeruar njohuritë, kjo garë është një mundësi për të njohur kulturën, trashëgiminë dhe historinë e vendit pritës. Përgjatë datave 14–20 shtator, kur do të organizohet eventi, krahas konkurrimit, pjesëmarrësit do të vizitojnë pikat turistike të kryeqytetit, si dhe do të zhvillojnë një ekskursion në qytetin dhe kalanë e Beratit.
Gjatë ceremonisë së hapjes më 15 shtator, në Hotel Tirana Internacional, u prezantuan grupet pjesëmarrëse, ndërsa organizatorët, partnerët dhe përfaqësuesit e institucioneve publike folën për rëndësinë e këtij eventi dhe mundësitë që ai krijon për të rinjtë.
Presidenti i Olimpiadës Ballkanike të Informatikës, Mile Jovanov, ndau eksperiencën e tij si drejtues i këtij kompeticioni prej vitit 2005, duke u shprehur i lumtur që komuniteti rritet nga viti në vit, ndërsa përvojat bëhen më të larmishme.
“Jam shumë i lumtur që ndodhemi në Shqipëri dhe dua të falënderoj organizatorët për këtë event kaq të bukur. Kam udhëtuar shpesh në Shqipëri vitet e fundit dhe kam mësuar gjëra interesante për gjuhën, historinë, kulturën e saj. Mendoj se sot Shqipëria ofron vende vërtet të bukura për t’u vizituar. Ajo ka disa site në UNESCO, që njihen si vende unike në botë”, do të theksonte Jovanov.

Duke i cilësuar si mendjet më të ndritura dhe inteligjente të së ardhmes, ai u kërkoi garuesve të shfrytëzojnë me mençuri mundësitë që u jepen, të krijojnë miqësi me kombe të ndryshme, duke promovuar paqen dhe bashkëpunimin.
Për zv/ministren e Arsimit, znj. Herida Duro, organizimi i kësaj olimpiade është nder dhe përgjegjësi shumë e madhe për Shqipërinë. Fakti që zhvillohet në nisje të vitit të ri shkollor, ajo e konsideroi si përshëndetjen më të mirë për nxënësit, të cilët marrin mesazhe frymëzuese nga modeli i këtyre të rinjve të talentuar në fushën e informatikës.
“Olimpiadat janë pjesë e rëndësishme e politikave për cilësinë dhe ekselencën në arsimin shqiptar. Prandaj, zhvillojmë olimpiada kombëtare në të gjitha lëndët dhe olimpiadën e përgjithshme në gjuhën shqipe, për klasat e 9-ta”, nënvizoi Duro, duke specifikuar edhe investimet që po bëhen nëpër shkolla për laboratorë dhe trajnim të stafeve pedagogjike.
Presidenti i Tirana College of Technology, Dr. Gjergji Simaku, tha se kolegji universitar ndihet i privilegjuar që ka mundësinë të kontribuojë në këtë ngjarje kaq të rëndësishme, duke ofruar mjediset dhe laboratorët e tij për zhvillimin e olimpiadës, në mënyrë që të kenë një përvojë sa më të mirë në konkurrimin e tyre. Simaku tha se ne jemi duke jetuar në periudhën më emocionuese të transformimit digjital në histori, duke shtuar se AI, robotika, smart system, Data Science, kanë ndryshuar mënyrën si mësojmë, punojmë, komunikojmë dhe kuptojmë jetën.

“Deri para pak vitesh ne iu mësonim të rinjve si të përdornin teknologjinë. Sot nuk është e mjaftueshme. Na duhen të rinj që kuptojnë, bëjnë pyetje, përmirësojnë dhe krijojnë, dhe ata njerëz janë të ulur sot mes jush”, nënvizoi Simaku, duke përgëzuar garuesit, mësuesit dhe mentorët e tyre që kanë punuar së bashku për të mbërritur në këtë kompeticion.
Për deputetin e Kuvendit, z. Eduart Shalsi, pjesëmarrja në një olimpiadë të tillë është fitore për të gjithë, pasi me transformimet që po sjell inteligjenca artificiale dhe teknologjia, aftësitë dhe njohuritë janë më thelbësore se kurrë.
“Ju përfaqësoni guximin, talentin dhe përkushtimin për të zgjidhur probleme që të tjerëve u duken të pazgjidhshme. Por ju jeni këtu jo vetëm për të garuar, por edhe për të treguar miqësi. Është e vërtetë që vini nga vende të ndryshme dhe flisni gjuhë të ndryshme, por jeni këtu sepse ndani një gjuhë të përbashkët: gjuhën e logjikës, të dijes dhe të teknologjisë. Ju uroj një garë të ndershme, rezultate të shkëlqyera dhe një përvojë të paharrueshme”, theksoi deputeti, duke i ftuar të marrin sa më shumë nga Shqipëria gjatë këtyre ditëve si dhe të rikthehen sërish.
Ceremonia vijoi me përshëndetjen e znj. Sara Bodo, Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, dhe drejtorit të IT Credins Bank, z. Alban Xhaferaj. Përmes performancave dhe interpretimeve nga nxënësit e Shkollës së Baletit dhe Liceut Artistik në Tiranë, përfaqësuesit e 17 vendeve morën aromën e para të traditës dhe kulturës shqiptare, të shprehura nëpërmjet valleve dhe muzikës tonë identitare.

Olimpiada Ballkanike organizohet prej vitit 1993 dhe përgjatë viteve numri i shteteve pjesëmarrëse është shtuar. Aktualisht janë 13 vende anëtare të këtij kompeticioni dhe pesë vende të ftuara. Për Shqipërinë është hera e dytë që zhvillon një event të tillë. Hera e parë ka qenë në vitin 2001, ku gara ishte në përmasa më të vogla, me më pak pjesëmarrës dhe jo me këtë nivel të zhvillimit të teknologjisë dhe të fushës së informatikës.

