Piro Dhimitri, pedagogu që solli industrinë në auditor

 

Nga zemra e industrisë së rëndë në auditorin e Tirana College of Technology. Me vitet e mësimdhënies që gati po barazojnë ato të punës si inxhinier, pedagogu Piro Dhimitri është mishërimi i lidhjes së praktikës me teorinë, duke ndarë me të rinjtë përvojën e dekadave të tij në industri.

Një njoftim i parë rastësisht në gazetën “Çelësi” do të bëhej shkak i nisjes së një rrugëtimi të ri profesional. Në fillim, jo aq i bindur për ta parë veten tërësisht në fushën akademike, të cilën deri në atë moment e kishte bërë vetëm pjesërisht apo me shkëputje, krahas punës parësore shumëvjeçare si inxhinier.

Ky njoftim dhe këmbëngulja e vajzës së tij u bënë arsyeja që në 2007-ën të fillonte punën si mësues i Teknologjisë në Shkollën e Mesme “Woodrow Wilson”. Ai trevjeçar mes kolegëve amerikanë, trajnimeve të shumta dhe vlerësimeve të brendshme rezultoi të ishte mjaft i vlefshëm për të, por jo i mjaftueshëm profesionalisht.

Mësimdhënia kishte bërë të vetën dhe e kishte tërhequr në një pasion të ri. Kur u informua për hapjen e Sektorit të Infrastrukturës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pozicion për të cilin kërkohej një person me formim inxhinierik, aplikoi pa asnjë mëdyshje. Siç shprehet profesori, menjëherë u mobilizua, mblodhi dokumentacionin që kërkohej dhe e dorëzoi atë në kufijtë e mbylljes së afatit kohor.

U pranua dhe nisi një eksperiencë të re pune që la gjurmë të dukshme për të si individ, por edhe për institucionin. Ishte një punë e ngritur nga zeroja. U ndërtuan disa laboratorë, siç ishte ai i Informatikës, laboratori i Kimisë, laboratori i Teknologjisë Biologjike. Pjesë e përgjegjësive të sektorit që drejtonte në FSHN ishte edhe monitorimi i Kopshtit Botanik, Institutit të Fizikës dhe Muzeut të Shkencave të Natyrës.

Me zgjedhjen e dekanit të ri në vitin 2012 dhe ndryshimin e organigramës brenda fakultetit, kaloi shef sektori në Institutin e Fizikës. Përgjegjësia e tij shtrihej nga detyrat më thelbësore, si ajo e monitorimit të doganave, e deri te detyrat administrative dhe zgjidhja e problemeve më bazike, siç mund të ishte furnizimi me ujë të pijshëm.

“Instituti është mjaft i dobishëm për komunitetin, sepse aty bëhen matjet dhe analizat më të rëndësishme që impaktojnë jetën e secilit. Bëhen analizat e mineraleve për radioaktivitetin, për monitorimin e ndotjes së ajrit, të ujërave”, thekson Ing. Dhimtri.

Një histori ndryshe me TCT

Inkuadrimi brenda detyrave të tilla e shkëputi fizikisht nga auditori, por jo emocionalisht. E kishte dëshiruar mundësinë e hapjes së një shkolle teknologjike, që lidhej drejtpërdrejt me fushën e tij të ekspertizës prej tre dekadash si inxhinier. Prandaj e mirëpriti propozimin e Laert Durajt për të qenë pjesë e skuadrës për ngritjen e Kolegjit Profesional të Tiranës, ndër të parët institucione të arsimit të lartë, që ofronte arsimin e mesëm profesional 2-vjeçar në Shqipëri.

“Kur Laerti më foli për idenë e tij, rashë dakord menjëherë. Kisha besim te ai dhe vizioni që kishte për kolegjin”, thotë Ing. MSc. Dhimitri. Në 2015 u bë pjesë e një rrugëtimi të gjatë që nisi nga besimi te një ide dhe ndërtoi një institucion me trashëgimi të dukshme në 11 vitet e tij. Sot, si Tirana College of Technology, krahas tetë programeve profesionale 2-vjeçare ofron edhe katër programe bachelor.

Pedagogu Dhimitri ndoqi hap pas hapi gjithë procesin, si nga ana akademike, ashtu edhe infrastrukturore. U studiuan disa nga shkollat më të mira profesionale rajonale dhe evropiane, u panë të gjitha kurrikulat e tyre dhe në fund u vendos të ndiqej linja didaktike e laboratorëve të ofruar nga Universiteti i Larisës.

Një sfidë më vete ishte pjesa e infrastrukturës, gjetja e godinës me hapësirat e nevojshme për të ndërtuar auditorët dhe laboratorët, sipas udhëzimeve të ligjit për institucionet e Kornizës së V-të në arsimin e lartë shqiptar.

“Ajo që shihni sot nuk ka lidhje me infrastrukturën e dikurshme. U bë rikonstruksioni i godinës, ndarja e klasave dhe e të gjitha hapësirave që duheshin për praktikat”, thotë Ing. Dhimitri, duke shtuar se që në fillim kishte bindjen se kompleksi ku u vendos kolegji do të kthehej në kampus universitar, siç edhe ndodhi. Stafi filloi të plotësohej, të vendoseshin laboratorët, të zhvilloheshin trajnime nga ekspertët ndërkombëtarë, të lidheshin marrëveshje me universitetet dhe bizneset partnere, që do të mundësonin zhvillimin e praktikave dhe më tej punësimin e studentëve.

Themeluesi Duraj kishte vizionin për të gërshetuar brezat, profesorët me eksperiencë në arsim me inxhinierë të prodhimit dhe me pedagogë më të rinj, që do të vijonin traditën e institucionit. “Ishte kjo arsyeja pse dëshironte që kontratën e parë ta firmoste me një të ri. Unë e firmosa i dyti për t’i hapur rrugë rinisë”, thotë Ing. Dhimitri.

Përveçse ishte kancelar, ai u angazhua që në krye të herës me mësimdhënien në programet profesionale 2-vjeçare, duke dhënë lëndët Vizatim Teknik, Termodinamika dhe ajo që mbeti e përhershmja, Lënda e Materialeve Inxhinierike. “Asnjë inxhinier nuk mund të punojë pa njohur materialet. Është lëndë bazë e formimit të përgjithshëm inxhinierik”, sqaron ai.

Rëndësia e kësaj lënde ka lindur nevojën e unifikimit të programeve dhe ajo zhvillohet në të gjitha degët profesionale, si Teknologjia e Automjeteve, Teknologjia e Ajrim-Kondicionimit, Teknologjia Elektromekanike, Teknologjia Robotike etj. Studentët marrin njohuri të përgjithshme për materialet dhe lidhjet metalike, si ndërtohen ato, si funksionojnë energjitë e ndërtimit të strukturave, si ndikojnë te vetitë fiziko-mekanike, gjendja e tyre metalografike, ndryshimet nën veprimet kimiko-fizike, analizat e defekteve dhe udhëzime për përdorimin e tyre.

“Është lëndë që të njeh me standardin, se cili është produkti më i mirë, si prodhohet, si përpunohet, çfarë vetish ka. Ti mëson se cili është standardi dhe arrin të bësh krahasimin për të përzgjedhur me çfarë të punosh,” nënvizon profesori.

Nga vizitat e tij në bibliotekat e universiteteve më prestigjioze në botë, si Universiteti i Kembrixhit dhe Oksfordit, ka vërejtur se lënda e materialeve inxhinierike mbetet mjaft e vlerësuar. Në Universitetin e Oksfordit, ai u njoh më gjerësisht me punimin e inxhinierit gjerman Johannes Croning, i cili shpiku shell moulding (procesin e formimit të guaskës). Në vitin 1944, ky ishte një proces i bazuar në një parim krejtësisht të ri prodhimi, si dhe një material inovativ derdhjeje.

Në vitin 1991, vijoi me studimin e rërave oliviniteve (të mbrojtur në Institutin e Projektimeve Metalurgjike në Elbasan) në kompaninë SATEF në Vicensa të Italisë, e cila lidhej edhe me procesin SHELL bazik. Profesor Dhimitri ka shkruar për këtë proces dhe po përgatit një botim, i cili do t’u vijë në ndihmë inxhinierëve dhe ekspertëve të fushës.

Nënvizon se shkolla të mëson ligjësitë dhe gjërat primare të fushës, pasi teknologjia avancon gjithnjë e më shumë. “Ka hyrë teknologjia me hidrogjen, teknologjia e qeramikave. Kompozitet, përzierja e dy ose më shumë materialeve, janë jashtëzakonisht të përdorshme”, thotë profesori.

Sipas tij, përzgjedhja i teknologjisë së përshtatshme dhe zhvillimi i saj duhet të bazohet te resurset potenciale që ka Shqipëria. Është njohur mjaft mirë me këto potenciale gjatë punës në Uzinën Mekanike të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit (UMKME), një ndër uzinat më të mëdha të sistemit të kaluar, e cila plotësonte nevojat kryesore të vendit në industrinë e rëndë. “Uzina, me disa mekanizime dhe automatizime në teknologji, do të ishte konkurruese në treg edhe sot. Mënyra e privatizimit me 480 aksionarë ishte një nga arsyet e dështimit”, thekson Ing. MSc. Dhimitri.

28 vite inxhinier, një shkollë e veçantë në KME

Dy ishin mundësitë e zgjedhjes për programin e studimit në universitet: inxhinier ose ushtarak. Sigurisht që i hodhi të dyja degët, sepse ushtarak ishte me detyrim në sistemin e kaluar, dhe pastaj priti vendimin e institucioneve të kohës. “Për fat nuk më doli për ushtarak, sepse dy nga pjesëtarët e familjes sime ishin të tillë”, thotë pedagogu Dhimitri.

Qëndrimi në Korçë, ku ishte transferuar familja e tij (pas shumë transferimesh si ushtarak), do të zgjaste vetëm 4 vite, për t’u rikthyer sërish në kryeqytet me daljen e të drejtës së studimit për Inxhinieri Mekanike. Pas dy viteve të para të përgjithshme, në vitin e tretë u specializua në profilin Metalurgji (në atë kohë Inxhinieria Mekanike ndahej në degët Transport, Industri, Teknologji dhe Metalurgji), duke përfunduar studimet në 1979-ën. Pas mbrojtjes së diplomës, me një temë të zgjedhur në prodhim, e cila mbrohej para një komisioni në Universitetin Politeknik. Viti i punës për mbrojtjen e diplomës quhej stazh pasuniversitar dhe përfaqësonte praktikë pune me pagesë stazhieri. U caktua menjëherë në Uzinën Mekanike në Kombinatin Metalurgjik me detyrë Inxhinier Teknolog.

“Të gjitha ndodhitë e rëndësishme në jetën time i kam të lidhura me datën 15. Më 15 maj kam lindur, më 15 maj jam diplomuar, më 15 maj jam larguar nga puna”, thotë pedagogu me të qeshur.

UM e KME ishte hapur në 1976-ën. Ishte një ndër veprat më të mëdha industriale të kohës, e shtrirë në një sipërfaqe prej 10 ha dhe e organizuar në disa reparte, si reparti i fonderisë së gizës, fonderisë së çelikut, metaleve me ngjyra, reparti i saldimit, ai i kovaçanës dhe reparti termik. Të gjitha këto procese i përkasin degës metalurgjike, ndërsa përpunimi i këtyre produkteve që nxirreshin bëhej më tej në repartin mekanik dhe repartin e montimit. Në repartin e remonteve elektrike kryheshin të gjitha rimontet e transformatorëve dhe motorëve elektrikë të kapaciteteve të mëdha dhe më tej balancimi për gjithë Shqipërinë.

Profesori shton se kjo uzinë prodhonte të gjitha llojet e çeliqeve, duke furnizuar uzinat e tjera në të gjithë Shqipërinë. Madje aty ndodheshin furrat më të mëdha dhe më të fuqishme që ka pasur Shqipëria.

“Furra termike ishte me gjatësi 6 m, diametër gjerësie 3.5 dhe lartësi 3.5 m, e cila bënte normalizime dhe trajtime termike të këtyre bandazheve që përdoreshin për fabrikat e pasurimit të bakrit në Derven edhe në Reps.”

Inxhinierët e parë që vunë në punë KME u trajnuan nga specialistë kinezë. Shpesh ata merrnin mbështetjen e inxhinierëve nga uzinat e tjera. Pedagog Dhimitri e cilëson një shkollë të veçantë, sepse “ne mësonim jo vetëm nga inxhinierët e kombinateve të tjera, por edhe nga punëtorët dhe mjeshtrit e specializuar në Kinë.”

Gjatë 28 viteve të qëndrimit në këtë kombinat, nga 18 gushti i 1978-ës deri më 15 maj të 2006-ës, iu desh të bënte shumë punë, duke e nisur nga më e lehta deri te ajo më e vështira, të cilat kërkonin njohuri të thelluara profesionale, eksperiencë e, mbi të gjitha, humanizëm dhe përgjegjshmëri.

Kanë qenë të shumta rastet kur i është dashur të ndërhyjë vetë në proceset e punës, për të mos rrezikuar shëndetin e punëtorëve dhe cilësinë e produktit. Rastet e incidenteve nuk kanë munguar, por fatmirësisht kanë rezultuar pa dëme njerëzore. Përmend rastin e shpërthimit të furrës 6T të shkrirjes së çelikut, për shkak të futjes së ujit nga çarja e ftohësit të derës së ngarkimit.

Idetë e tij për vijimin e UM nuk përputheshin me ato të personave që e kishin privatizuar. Ai dëshironte që uzina të rikonstruktohej dhe të vijonte me prodhimin, por nuk u miratua dhe u ndërmor shkurtimi i punëtorëve, ku në krye të listës qëndronte emri i tij. Pas largimit, idetë e tij gjetën zbatim në kompani dhe biznese private si TAR Tenda, Enira Meta apo Lluga Sh.p.k., pjesë e të cilave u bë në vitet në vazhdim.

Pjesë e jetës së inxhinierit kanë qenë eksperimentimet dhe hulumtimet shkencore, shpesh edhe si kërkesë nga institucionet e kohës. Studimet e ndryshme për rërat oliminite dhe zëvendësimin e rërave kuarcore i ka mbrojtur në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike. Pas kërkimeve në këtë fushë, iu dha një pjesë e fonderisë së Çelikut, ku zhvilloi prova në laboratorin e materialeve të fonderisë dhe prodhimin në shkallë gjysmë-industriale.

Në fund të viteve ’85, iu ngarkua përgjegjësia për të transformuar fabrikën e Laçit që të prodhonte nga kuarcite në olivinite. Tregon se kushtet e punës ishin të vështira. “Flinim në hotel pa çati, se ishte në rikonstruksion. Shiu që binte jashtë na binte mbi kokë, por dëshira për punë nuk na shkëputi asnjëherë.” “Ia arritëm”, thotë Ing. Dhimitri, “grupi punoi shumë mirë.”

Transformimi i industrisë mekanike

Pavarësisht se Shqipëria nuk ka më kombinatet, uzinat dhe ndërmarrjet që kishte dikur, për prodhimin apo përpunimin e metaleve, inxhinieri pohon se kjo industri nuk është zhdukur plotësisht. Por ka një diferencë në këtë aktivitet. Nëse dikur materialet nxirreshin dhe përpunoheshin në Shqipëri, sot importohen me kosto të lartë. Në këtë formë funksionon industria e aluminit, ku vaporët me lëndë të parë me skrap vijnë nga importi dhe përpunohen këtu për të prodhuar vetratat që përdoren në ndërtim.

Profesori thotë se bumi i ndërtimit lindi domosdoshmërinë e industrisë së përpunimit të aluminit dhe aktualisht janë disa kompani të tilla në Shqipëri. Sa i përket industrisë së rëndë të nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve, profesori thotë se aktualisht në Shqipëri përpunohet vetëm kromi për prodhimin e ferrokromit.

“Industria mekanike gati 70% të punëve i ka metalurgjike”, shton ai. Në këtë aktivitet, sipas tij, është mjaft e rëndësishme njohja e metodave të prodhimit që përfshin metodën e farkëtimit, metodën me derdhje, trajtimet termike, elektroteknikën, po aq sa edhe njohja e makinerive dhe teknologjive. Megjithatë, procese dhe njohuri të tilla nuk janë më pjesë e kurrikulave shkollore, për shkak të shpërbërjes së industrisë së rëndë dhe shkatërrimit të ndërmarrjeve kryesore, por ato janë transformuar dhe përditësuar me njohuri për proceset dhe teknologjitë e reja.

As mekanizmat e makinerive nuk janë më ato të nivelit të dikurshëm. Sipas profesorit, që të rindërtohet industria mekanike duhet vizion, buxhet i madh dhe, mbi të gjitha, nevojiten njerëz të kualifikuar. Shkollat teknologjike të tilla si Tirana College of Technology janë mjaft të rëndësishme për përgatitjen e specialistëve që kanë njohuri të mira në formimin e materialeve, të makinerive dhe teknologjive të reja.

“TCT vijon të spikasë në këtë sektor për dy arsye: Përgatitja e lartë e stafit administrativ dhe pedagogjik, si dhe bashkërendimi i teorisë me praktikën që vijon të jetë filozofia e institucionit”, thotë inxhinier Dhimitri. Ai vlerëson veçanërisht punën e bashkëpunëtorëve dhe rëndësinë e ndërveprimit mes tyre. “Jeta dhe praktika më kanë mësuar të vlerësoj punën në grup. Inxhinieria është komplekse dhe puna në grup është e domosdoshme”, shprehet më tej.

Në këtë rrugëtim të gjatë profesional, ndihet mirënjohës për gjithçka që jeta dhe profesioni i kanë ofruar, e njëkohësisht i lumtur që vijon të kontribuojë për formimin dhe edukimin e brezave të rinj.