Tirana College hap për herë të parë në Shqipëri kursin për Menaxhimin Teknik të Hoteleve

 

Shqetësimi i artikuluar dikur nga kryeministri Rama se në vend mungojnë profesionistët, po ndryshon narrativë. Institucionet e arsimit të lartë si Tirana College of Technology po kujdesen që të reflektojnë në kurrikulat e tyre të gjitha nevojat e tregut dhe të nxjerrin nga dyert e tyre profesionistë. Turizmi, i cili është kthyer në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, është një nga hapësirat për profesionistë të dedikuar, veçanërisht në fushën e hotelerisë

Për këtë arsye, TCT hap kursin e parë në Shqipëri për Menaxhimin Teknik të Hoteleve si përgjigje ndaj nevojës së tregut turistik për profesionistë të kualifikuar. Në laçimin e programit tremujor, i cili do të ofrojë trajnime për mirëmbajtjen e sistemeve kryesore hoteliere, ishte e pranishme ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përfaqësues të sektorit të turizmit dhe studentë.

“Truizmi nuk është vetëm një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, por po përjeton një rritje galoponte. Megjithatë, përtej natyrës dhe strukturave të bukura, një nga elementët më të rëndësishëm janë sistemet që i mirëmbajnë këto hotele,” theksoi administratorja e TCT, Diana Biba, ndërsa vuri në dukje se ky program erdhi si fryt i një dialogu të gjatë e ndërveprues me biznesin, që është edhe filozofia e këtij kolegji universitar. 

“Të mirëmbash këto sisteme nuk do të thotë thjesht një funksionim i zakonshëm, por do të thotë siguri dhe cilësi për shërbimin që ne po ofrojmë”- shtoi znj. Biba. 

Ky program tremujor do të ofrojë trajnim të specializuar për funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve kryesore të një hoteli, nga ngrohja, ventilimi, kondicionimi, sistemet hidrosanitare te pishinat, SPA-të, siguria elektrike dhe protokollet e shëndetit, sigurisë dhe mjedisit.

“Një hotel mund të ketë shërbim ekselent, por nëse prishet sistemi i ajrimit apo filtrat e SPA-së dhe nuk ka një teknik të certifikuar nga një institucion si TCT për ta riparuar, gjithë standardi bie. TCT po bën një punë jashtëzakonisht të rëndësishme në formimin e brendshëm për të ardhmen, duke ofruar kurse që formojnë teknikë me standarde globale, të cilët janë pjesë e një ekosistemi që rrit vlerën e turizmit tonë,” do të shprehej ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ndërsa shprehu mbështetjen e qeverisë ndaj kësaj iniciative. Ajo theksoi nevojën që ka tregu për profesionistë të formuar, duke shtuar se “kursi që po hapet është ekzaktësisht ajo që tregu kërkon”. 

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, e konsideroi kursin si një zgjidhje ideale në një moment kur po punohet për klasifikimin e hoteleve me yje. 

“Menaxherët teknikë do të jenë njerëzit më të rëndësishëm pasi mundësojnë proceset që nuk bien në sy. Të parët tanë e kishin parim t’u mësonin fëmijëve një zanat dhe kjo i bënte familjet të mbijetonin. Vërtet zanati është diçka që nuk të lë pa bukë. Shpresoj që studentët tanë të jenë të parët e certifikuar, sepse ne kemi vërtet nevojë për këta profesionistë.”

Rektori i TCT Andonaq Londo Lamani do të shprehej se formimi i profesionistëve në këtë fushë është edhe një kusht i rrugës së integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian. 

“Më kujtohet koha kur isha dekan i Inxhinierisë Mekanike dhe studentët preferonin vetëm degët ekonomike apo juridike, ndërkohë që vendi kishte nevojë për ata që dinë të punojnë me duar, me makineri dhe teknologji. TCT po maturohet me laboratorë që janë të krahasueshëm, madje më të mirë se ata të Universitetit Politeknik. Ky formim inxhinierik është një aset për këtë vend”, tha rektori, duke shtuar se ky kurs është një tjetër hap në nismën drejt formimit profesional, drejtim në të cilin TCT ka investuar fuqishëm që në themelimin e tij një dekadë më parë.

Me nisjen e këtij programi, Tirana College of Technology (TCT) rikonfirmon pozicionin si lider në transformimin e edukimit profesional në Shqipëri, duke tejkaluar kufijtë e arsimit tradicional për t’u bërë një partner strategjik i zhvillimit ekonomik. 

Drejtuesi i këtij kursi, Ilir Palushi tha se TCT ofron sot mundësitë më të mira për përgatitjen e këtyre profesionistëve duke kombinuar dijet teorike me ato praktike, punën në laboratorë por edhe stafin që vjen edhe me një përvojë nga industria. Ai iu drejtua ministres Ibrahimaj për nevojën e certifikimit të shumë profesioneve, duke shtuar se aty ku ligji ekziston duhet inkurajuar zbatimi i tij. 

Programi 3-mujor i TCT është dizajnuar për të mbuluar çdo nyje kritike të funksionimit të një hoteli, duke u fokusuar në nëntë module kryesore që variojnë nga sistemet HVAC dhe ventilimi i ajrit, te menaxhimi i pishinave, SPA-ve dhe sistemeve hidrosanitare. Një vëmendje e veçantë i kushtohet automatizimit elektronik, sigurisë elektrike dhe protokolleve HSE (Shëndet, Siguri dhe Mjedis), duke i dhënë kursantit një formim të plotë mbi mirëmbajtjen rutinë dhe riparimet mekanike. Për ta bërë këtë certifikim sa më të aksesueshëm, TCT ka aplikuar një politikë tarifore konkurruese që synon të mbështesë si të rinjtë që kërkojnë të hyjnë në tregun e punës me një zanat elitë, ashtu edhe bizneset që dëshirojnë të investojnë në kualifikimin e stafit të tyre aktual.