Literaturës në shqip në fushën e inxhinierisë mekanike dhe motorëve me djegie të brendshme i është shtuar një libër i ri. “Motorat me djegie të brendshme”, me autorët Prof. Dr. Andonaq Londo Lamani dhe Msc. Ing. Ilir Palushi, është botimi më i fundit, i cili u promovua në ambientet e kolegjit universitar Tirana College of Technology. Të pranishëm në këtë event ishin pedagogë, inxhinierë, ekspertë të njohur të fushës, miq dhe bashkëpunëtorë ndër vite të autorëve, si dhe studentët e programit bachelor Inxhinier Mekanike dhe të programeve profesionale të Elektro-Mekanikës dhe Teknologjisë së Automjeteve.
Administratorja e TCT-së, Diana Biba, u shpreh e kënaqur që praktika e nisur 10 vite më parë me botimin e monografive dhe cikleve të leksioneve, tashmë është kthyer në një traditë me botime të mirëfillta dhe cilësore që u shërbejnë jo vetëm studentëve, por edhe profesionistëve të fushës.
“Ky libër për motorët trajton jo thjesht si kanë qenë, po cila është e ardhmja dhe si do të jetë eficienca e tyre. Është një libër që u drejtohet studentëve të programit bachelor, studentëve të diplomës profesionale niveli pesë, por gjithashtu edhe gjimnazistëve apo kujtdo nga ne që do të kishte sadopak kuriozitet për të lexuar diçka më shumë mbi motorët”, tha në fjalën e saj Biba.
Për rektorin e Tirana College of Technology, Prof. Dr. Andonaq Lamani, ky nuk është botimi i parë në fushën e motorëve me djegie të brendshme. Dhjetë vite më parë ai ka botuar një libër të tillë, i cili përdoret si tekst akademik në universitete të ndryshme shqiptare, ndërkohë që angazhimi i tij profesional me motorët me djegie të brendshme ka filluar në periudhën e studimeve dhe ka vijuar gjatë gjithë karrierës së tij akademike. “Jam, si të thuash, brezi i dytë i profesorëve që morën në dorë fushën e motorëve me djegie të brendshme, mbasi e lanë profesorët sovjetikë në vitet ‘60. Brezi që e mori më pas ishte brezi i pedagogëve të mi dhe pastaj vazhdova unë me kolegët”, theksoi Lamani.

Libri “Motorat me djegie të brendshme”, i vetmi në 10 vitet e fundit në Shqipëri, sjell kombinimin e dy ekspertëve të cilët sjellin përditësimet më të fundit që kanë pësuar motorët me djegie të brendshme, si shkak i zhvillimeve teknologjike. Ai është i ndarë në dy pjesë: pjesa e çarë me autor profesor Lamanin, trajton ciklet termodinamike në parametrat e motorëve dhe ndikimet e tyre, ndërsa në pjesën e dytë profesor Palushi përqendrohet te ndërtimi konstruktiv i motorëve.
“Ashtu siç ka thënë Vedat Kokona për fjalorët, më i keqi është më i mirë se asgjëja dhe nga më i miri mos prisni përsosmëri. Pavarësisht se në 2015-ën shkrova një libër të mbështetur te ish-profesorët e mi, gjithmonë libri i ri ka vlerë sepse është më i mirë se asgjëja, por prej tij mos prisni përsosmëri”, u shpreh më tej profesor Lamani.
Ardhjen e këtij libri në 2026-ën, profesor Lamani e lidhi me dy momente mjaft të rëndësishme të historikut të motorëve me djegie të brendshme, pasi shënohet 150-vjetori i ciklit Otto, shpikur nga inxhinieri gjerman Nikolaus Otto, dhe 130-vjetori i motorit Diesel, krijuar nga Rudolf Diesel.
Inxhinieri Ilir Palushi theksoi se zhvillimet teknologjike, futja e elektronikës dhe kontrollit elektronik, sjellin nevojën për përditësime të vazhdueshme të literaturës.
“Që kur është shpikur për herë të parë cikli Otto apo Diesel, teorikisht nuk ka ndryshuar asgjë. Nga ana konstruktive, pjesët kryesore, cilindri, pistoni, sistemi me nivele etj., janë po ato që kanë qenë, por sigurisht që janë modernizuar dhe pasuruar me mekanizma dhe organizma të tjera”, u shpreh Palushi, duke shtuar se libri sjell në mënyrë të hollësishme gjithë zhvillimet e fundit të fushës, të diktuara edhe nga politikat apo strategjitë ndërkombëtare që po gjejnë mënyra dhe mjete të reja për reduktimin e emetimit të gazeve të dëmshme në atmosferë.

Botimin e këtij libri në kohën e rrjeteve sociale, për Prof. Dr. Altin Dorri, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës, është një fakt që duhet vlerësuar sepse sjell eksperiencën gjysmë shekullore të një akademiku dhe një profesionisti të fushës.
“Një kombinim i tillë është një harmonizim perfekt në këtë fushë shumë sfiduese dhe shumë interesante, pasi motorët me djegie të brendshme kanë revolucionarizuar shoqërinë. Libri është si puna e bletës, ku autori mbledh gjithë eksperiencën e tij dhe ua transmeton brezave të tjerë. Libri është metoda më e mirë, ka qenë dhe besoj se do të vazhdojë të jetë metoda më e mirë për të transmetuar dijen”, u shpreh Prof. Dorri.
Me hyrjen e makinave elektrike, flitet gjithnjë e më tepër për heqjen graduale të makinave me motorë me djegie të brendshme, që sipas profesorëve dhe inxhinierëve do të kërkojë disa dhjetëvjeçarë. Sipas tyre, libri është mjaft i domosdoshëm edhe për makinat hibride, duke theksuar se ai shtron rrugën drejt së ardhmes dhe asaj që pritet të pasojë në industrinë e automjeteve.

