Workshop në TCT për studentët e Ajrim-Kondicionimit: Tendencat dhe teknologjitë e reja në industri

Informacione, demonstrime në praktikë, raste zbatimi dhe histori suksesi nga tregu i punës. Workshop-i në TCT aftësoi studentët për njohjen e tendencave dhe teknologjive më të fundit në fushën e ajrim-kondicionimit, një sektor në ndryshim të vazhdueshëm.

Zhvillimet më të fundit në sektorin e ftohjes dhe kondicionimit ishin në qendër të workshop-it të radhës në Tirana College of Technology për studentët e vitit të parë dhe të dytë të programit profesional dy vjeçar, “Teknologjia e Ajrimit dhe Kondicionimit”. Ky workshop, i cili vjen në vazhdën e aktiviteteve të zhvilluara në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit, nën kujdesin e dy pedagogëve të TCT-së, Ing. Ilir Palushi dhe Ing. Marjeta Dhima, trajtoi domosdoshmërinë e njohjes së pajisjeve dhe teknologjive të reja në fushën e ajrim-kondicionimit, e transformuar rrënjësisht nga nevoja për kursim energjie, mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimin e teknologjive inteligjente.

Përtej njohjes së risive në fushën e gazrave, pjesë thelbësore e workshop-it ishte dimensioni praktik, ku inxhinier Palushi ilustroi përdorimin dhe funksionimin e pajisjeve kryesore që përdoren për kontrollin e gazrave, pjesë e veprimtarisë së teknikëve të ardhshëm, të cilët tashmë janë në përfundim të studimeve dhe nisjes së praktikës profesionale, një tjetër element thelbësor i edukimit dhe përgatitjes në auditorët e TCT-së.

Studentët patën rastin të njihen me partnerë nga tregu i punës, siç ishte prezantimi i Coolair Refrigeration Solutions, kompani distributore e dhomave frigoriferike, e gazrave dhe pjesëve të këmbimit për sistemet ftohëse, nga administratori i saj, Anri Dhima. Më tej, Olsi Qosja, studenti i sapo diplomuar në TCT, ndau rrugëtimin e tij frymëzues nga auditori drejt themelimit të biznesit Alpha Klima që operon në instalimin e sistemeve të ajrim-kondicionimit.

“Nga programi i studimit “Teknologjia e Ajrimit dhe Kondicionimit” kemi vënë re se kemi numrin më të madh të studentëve që kanë hapur bizneset e veta, të cilët punojnë në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, theksoi administratorja e TCT-së, Diana Biba, teksa përgëzoi studentët që angazhohen në aktivitete të tilla, pasi teknologjia ecën shumë shpejt dhe përditësimi me të rejat e fushës bëhet një domosdoshmëri për profesionistët e ardhshëm. Për këtë arsye, ajo tha se TCT së shpejti do të ofrojë një kurs disamujor për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të hotelerisë, duke plotësuar kërkesën për teknikë të tillë.

Inxhinierja Marjeta Dhima falënderoi Njësinë Kombëtare të Ozonit për bashkëpunimin e frytshëm 10-vjeçar me TCT-në, ndërsa e cilësoi workshop-in si më të veçantin për shkak të pranisë së përfaqësuesve nga tregu i punës, të rasteve të suksesit, por edhe të prezantimeve të dy studentëve të vitit të dytë, të cilët referuan rreth ndikimit të gazrave në ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale.

Ing. Palushi: Teknologjitë e reja kërkojnë teknikë të gjithanshëm

Një industri me zhvillim të jashtëzakonshëm e cilësoi ing. Ilir Palushi gjatë shpjegimit të leksionit për tendencat bashkëkohore, teknologjitë e reja dhe funksionimin e pajisjeve kryesore në sektorin e ajrim-kondicionimit. Ai tha se nuk nevojitet vetëm një teknik i thjeshtë që bën konstatimin e një defekti, por duhet një profesionist i gjithanshëm, sa i përket legjislacionit dhe operimit me gazrat ftohës, disa prej të cilëve kanë dalë nga qarkullimi.

Duke filluar nga pajisjet më të zakonshme, bombolat, Palushi tha se ato janë të ndara në kategori, ku ngjyra dhe etiketat tregojnë llojin e tyre. Një tjetër element i rëndësishëm që ceku në sqarim ishte konstatimi i rrjedhjes përmes pajisjeve dhe metodave më të reja, nga detektori elektronik te sistemi me solucion fosforeshent.

“Në ligjin nr. 2 të vitit 2023 për gazrat serrë të fluoruara dënohesh me gjoba marramendëse nëse derdh gazin në atmosferë”, theksoi Palushi, duke shpjeguar se në Shqipëri janë të detyrueshme kontrollet periodike për rrjedhje gazi. Në varësi të sasisë që përmban sistemi, kontrollet mund të jenë vjetore, 6-mujore ose 3-mujore.

“Një sistem qendror, që mund ta ketë një hotel apo një magazinë e madhe frigoriferike, është i detyruar që çdo tre muaj t’i nënshtrohet kontrollit për rrjedhje dhe kjo bëhet vetëm nga teknikë të certifikuar, të cilët do të jeni ju në të nesërmen”, tha profesori.

Pas evidentimit të defekteve, gazrat kalojnë nëpër disa procese që njihen ndryshe si 3 R-të: rikuperimi, riciklimi dhe rigjenerimi. Ing. Palushi u ndal në shpjegimin e secilës etapë dhe kushteve që duhen për realizimin e tyre, nga identikimi i llojeve të gazrave deri te kapacitetet teknike.

Ing. Marjeta Dhima tha se procese të tilla janë të domosdoshme, sidomos për klimën që ka Shqipëria dhe me hovin që po merr sektori i turizmit. Përtej çështjes profesionale, sipas saj, një rol të rëndësishëm luan ndërgjegjësimi mbi dëmet që shkaktojnë në atmosferë gazrat dhe njohja e mënyrave alternative për zëvendësimin e atyre që janë katastrofike për shtresën e ozonit.

Lidhur me efektet e gazrave serrë, një çështje e agjendës globale si dhe pjesë e rregullatorëve ligjorë të Bashkimit Evropian, ku Shqipëria synon të aderojë së shpejti, ndërsa po punon për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, u zhvilluan prezantimet e dy detyrave të kursit nga studentët Flogert Braka dhe Xhuljo Pema.

Workshop-i u finalizua me shpërndarjen e certifikatave për studentët e vitit të dytë të programit Teknologjia e Ajrimit dhe Kondicionimit, akt që përmbylli shtimin e njohurive për teknologjitë më të fundit në profesionin e tyre.