Si një udhëzues i vlefshëm në ndihmë të studentëve dhe profesionistëve të sistemit të ftohjes dhe kondicionimit vjen botimi i fundit i inxhinierit Ilir Palushi, pedagog në Tirana College of Technology.
Deri në vitin 2050 parashikohet heqja e të gjitha gazrave të fluoruara, të cilat shkaktojnë efektin serrë. Ky është vendimi më i fundit i Bashkimit Europian, i pasqyruar në Rregulloren 2024/573 për gazrat F, e cila shton detyrimin e shteteve anëtare, por edhe atyre kandidate, që të punojnë në drejtim të reduktimit sa më të shpejtë të hidrofluorokarboneve. Në këtë kuadër, si një vend që synon anëtarësimin sa më të shpejtë në familjen e madhe europiane, Shqipërisë i lindin detyrime në përafrimin e legjislacionit dhe rregullatoreve të unionit për të arritur standardet ndërkombëtare.
Jashtë vëmendjes nuk mbetet as ngrohja globale dhe reduktimi i gazrave të fluoruara. Profesori i Tirana College of Technology, Ing. Ilir Palushi, një ekspert i njohur në fushën e sistemeve të ajrimit dhe kondicionimit, promovoi në ambientet e kolegjit botimin e tij të fundit “Manual mbi standardet e sigurisë dhe praktikat e mira për ftohësit e ndezshëm”, me të pranishëm studentë, pedagogë, inxhinierë dhe përfaqësues të sektorit. Ky botim vjen në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO).
Në fjalën e tij, profesor Palushi theksoi se sistemi i ftohjes është në rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, jo vetëm në botë, por edhe në vendin tonë, duke kërkuar kështu një vëmendje të shtuar ndaj kësaj problematike. “Është industria më në zhvillim se të gjitha industritë e tjera. Me këtë progres që kanë marrë sistemet e ftohjes vijnë edhe problemet e ngrohjes globale”, theksoi profesori.

Sipas të dhënave të analizuara prej tij, vetëm 10 vitet e fundit sektori i ftohjes ka pësuar një rritje prej 290%, sistemi i ajrit të kondicionuar mbi 300%, ndërsa importi i gazit ka shkuar në 600%.
“Ne e dimë që 95% e sistemeve të ftohjes janë të përbëra nga gaze të fluoruara, të cilat kanë efekt të jashtëzakonshëm në ngrohjen globale. Këto gaze, në mënyrë graduale, duhet të hiqen nga përdorimi dhe duhet të futen gaze të reja, të cilat kanë specifikat e tyre dhe duhet të trajtohen gjerësisht.”
Në shtatë kapitujt e librit të tij, Ing. Palushi, përveç sqarimit të efekteve të gazrave F dhe përdorimit të tyre në sektorin e ftohjes, trajton edhe futjen e gazrave natyrorë, të cilët, duke qenë se janë të djegshëm, duhet të shoqërohen me një manual sqarimi dhe përdorimi.
“Universitetet, studentët, por edhe industritë duhet të informohen dhe të mësojnë se e ardhmja nuk janë gazrat e fluoruara, por ato natyrore”, shpjegoi ai.
Manual praktik për studentët dhe profesionistët
Gjatë promovimit në ambientet e Tirana College of Technology, kolegji universitar i dedikuar plotësisht teknologjisë, i cili prej më shumë se një dekade ofron programe profesionale 2-vjeçare, mes të cilave edhe programin e studimit “Teknologji e Ajrim-Kondicionit”, ishin të pranishëm inxhinierë, ekspertë të fushës, pedagogë dhe studentë.
Në fjalën e saj, administratorja e TCT, Diana Biba, e cilësoi librin e profesor Palushit një manual praktik, i cili mbi të gjitha iu adresohet institucioneve arsimore dhe studentëve.
“Më erdhi shumë mirë që ky botim vjen për studentët, pasi shpeshherë ne vuajmë mungesën e teksteve. Profesori na sjell një tekst dhe një literaturë që lexohet me shumë lehtësi, si nga specialistët, ashtu edhe nga jo-specialistët e fushës.”

Znj. Biba kujtoi më tej fillimet e njohjes me Ing. Palushin në TCT, e cila nisi nga një trajnim ekstrakurrikular për studentët në lidhje me gazrat serrë. “Kam hyrë në atë trajnim dhe nuk dola; e ndoqa nga fillimi në fund, të cilin e drejtonte profesor Ilir Palushi dhe Marjeta Dhima. E veçanta e atij trajnimi ishte mënyra se si e prezantonte profesori dhe mua m’u kujtua shprehja e famshme: ‘më përfshi dhe do ta kujtoj’.”
Themeluesi i Tirana College of Technology, Laert Duraj, u shpreh i kënaqur që rrugëtimi i TCT vijon me të njëjtët bashkëpunëtorë me të cilët nisi në vitin 2015. “Shpresoj që rrugëtimi me ju të vijojë sa më gjatë të jetë e mundur”, theksoi Duraj.
Më tej ai sqaroi se Tirana College of Technology, me programet 2- dhe 3-vjeçare në fushën e inxhinierive, e ka fokusin e plotë te teknologjia, duke sjellë trendet më të fundit të shkencës, nën punën rigoroze të inxhinierëve dhe pedagogëve, pjesë e stafit të kolegjit.
Një vlerë të shtuar e cilësoi librin “Manual mbi standardet e sigurisë dhe praktikat e mira për ftohësit e ndezshëm” edhe rektori i TCT, Prof. Dr. Andonaq Londo. Ai rrëfeu njohjen e hershme, gati 40-vjeçare, me inxhinierin, e cila nisi në auditorët e Universitetit Politeknik dhe vijoi në ndërmarrje të tjera, për të qenë sërish bashkë pjesë e botës akademike në Tirana College of Technology.
“Unë Ilirin e kam njohur në punë, në aktivitete dhe veprimtari të vërteta shkencore. Të uroj shumë suksese dhe pres materiale të tjera për kolegjin që të pasurojnë institucionin tonë.”
Edhe presidenti i TCT, Prof. Dr. Luan Karçanaj, rektori i dekadës së parë të kolegjit, vlerësoi punën dhe kontributin që Palushi ka dhënë ndër vite pranë këtij institucioni të formimit profesional, duke shpresuar që botimet dhe studimet e tij të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi i duhen fushës së studimit dhe ekspertëve.
Gazetari Neritan Sejamini vlerësoi punën e bërë nga Palushi, kontributin që vijon të japë për fushën e studimit dhe për shoqërinë, duke e cilësuar një shembull dhe model për të rinjtë që duan të mësojnë dhe të punojnë në vendin e tyre. Ai tha se Shqipëria ka ligje dhe rregullore të përditësuara, por puna çalon te praktika dhe zbatimi.
“Këtu vjen edhe kontributi i këtij libri, që ato standarde që i kemi në letër t’i zbatojmë në praktikë. Kontributi i Palushit me këtë manual të thjeshtë është i jashtëzakonshëm dhe shpresoj që ata që janë të fushës ta ndjekin me përpikmëri”, përmbylli fjalën e tij Sejamini.

