Jo vetëm njohuri dhe zbatime praktike në fushën e ajrim-kondicionimit. Workshop-i i fundit në TCT solli raste suksesi të bizneseve që tashmë prej një dekade janë pjesë e historisë së kolegjit. Anri Dhima rrëfeu për studentët historinë e aktivitetit familjar mbi 30-vjeçar dhe i këshilloi të rinjtë se si të ndërtojnë rrugën e tyre profesionale.
Pak biznese arrijnë t’u mbijetojnë dekadave, lëvizjeve të tregut dhe teknologjive të reja. Në Shqipërinë postkomuniste, me vendosjen e ekonomisë së tregut, këto biznese apo sipërmarrje janë më të pakta, për të mos thënë të rralla. Anri Dhima është një rast i tillë suksesi. Ai sot administron një biznes të themeluar nga babai i tij 33 vite më parë.
Si shumë shqiptarë të tjerë që e panë largimin nga Shqipëria si një mundësi ideale, Vilson Dhima emigroi drejt Greqisë. Puna si mekanik ia bëri më të lehtë të vepronte dhe të kuptonte mungesat në tregun shqiptar. Përmes kontakteve atje, i lindi ideja e tregtimit të pajisjeve të ndryshme, kryesisht atyre frigoriferike. U rikthye në qytetin e tij, në Fier, ku nisi veprimtarinë si mekanik dhe furnizues i tregut vendas.
Brenda një dekade, kjo ndërmarrje forcoi pozitat e saj përmes bashkëpunimeve brenda dhe jashtë vendit, për të hedhur në vitin 2002 një hap më madhor: ndërveprimin e drejtpërdrejtë me brandet lider në sektorin e ftohjes. Fusha e veprimit, por edhe studimi i tregut, përditësimi me teknologjitë dhe risitë e fushës, kanë qenë faktorë të rëndësishëm në vijimësinë e aktivitetit. Në vitin 2011, përtej pajisjeve dhe pjesëve frigoriferike të këmbimit, Dhima filloi edhe importin e gazrave ftohës R22, R134a, R404a, R407C, R410a etj.
Zgjerimin më të madh ky biznes do ta shihte në vitin 2020-ën. Duke ndjekur rrugën e të atit, Anri Dhima hapi në Tiranë Coolair Refrigeration Solutions, me të njëjtën fushë veprimi si kompania mëmë, por më të modernizuar. Si distributor i disa prej markave më të njohura ndërkombëtare, kjo kompani sjell në Shqipëri teknologjitë më të fundit nga Evropa dhe Kina. Me produktet e saj, ajo mbulon jo vetëm tregun e brendshëm, por edhe atë rajonal, me kërkesa që vijnë nga bizneset e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
I diplomuar për Ekonomi në Tiranë, synimi fillestar i Anrit nuk ishte vijimi i trashëgimisë së të atit. Pas studimeve, ai bëri hapat e parë për të ndjekur karrierën dhe zhvillimin e tij profesional, si pjesë e sistemit bankar dhe më tej si audit i brendshëm në institucione financiare.
“Kërkesa për të qenë afër biznesit më shtyu të merrja një drejtim të ri në jetën time”, thotë ai. Frymëzues ishte i ati, i cili vijon edhe sot të ketë biznesin e tij në Fier, duke mbështetur aktivitetin e të birit në Tiranë. Pavarësisht se kryeqyteti duket më kompetitiv dhe ndoshta e vështirëson jetesën e biznesit, Anri Dhima thotë se ka një filozofi tjetër në këtë drejtim. “Kam një standard shumë ndryshe nga të tjerët. Unë e quaj veten më të shtrenjtin në treg dhe nuk lejoj kurrsesi që kualiteti të jetë poshtë çmimit”, tregon ai.
Ruajtja e standardit ka qenë çelësi i suksesit për të siguruar bashkëpunime të frytshme me kompani në fushën e automjeteve, si Mercedes dhe Audi, apo kompani në sektorë të tjerë. Dëshira për të qenë një hap përpara zhvillimeve të tregut, për të sjellë produkte novatore dhe tendencat më të fundit, ka zgjeruar rrjetin e kontakteve dhe partnerëve.
Me këtë qëllim, ka filluar edhe partneritetin me Tirana College of Technology, një nismë që shkon në dobi të zhvillimit profesional të studentëve. Në kuadër të praktikave profesionale, ata kanë zhvilluar vizita pranë Coolair Refrigeration Solutions dhe janë njohur nga afër me të gjithë proceset e punës. Studentët patën mundësinë të njihen më gjerësisht me historikun e biznesit dhe potencialin në fushën e gazrave ftohës gjatë workshop-it të zhvilluar në Tirana College of Technology për studentët e vitit të parë dhe të dytë të programit dyvjeçar “Teknologji e Ajrimit dhe Kondicionimit”.
Anri Dhima demonstroi në auditor disa prej pajisjeve më të fundit që përdoren për të konstatuar rrjedhjet e gazrave, të cilat i përdor gjatë veprimtarisë së tij, ndërsa këshilloi studentët ta shohin me përparësi përfshirjen në këtë sektor, veçanërisht në fushën e pjesëve frigoriferike. Ai, vitet e fundit, është bërë një mbështetës i rëndësishëm i bizneseve që kërkojnë dhoma frigoriferike, duke ndihmuar në sigurimin dhe instalimin e tyre.
“Vetëm kur je në veprim e kupton se çfarë do tregu dhe çfarë kërkesash ka fuqia blerëse”, thekson më tej ai. Përtej përkushtimit dhe profesionalizmit, ai thotë se refrigeration (ftohja) është një fushë shumë specifike. “Fillimi është pak i vështirë, sepse kërkon shumë kapital dhe durim, por kush e bën këtë punë, nuk del lehtë nga tregu.”
Për të gjithë të rinjtë që duan të përfshihen, të mësojnë më tepër dhe, pse jo, të zhvillohen në këtë sektor, ai u kërkoi të mos hezitojnë të shprehin interesin pranë kompanisë së tij. Bashkëveprimi i TCT-së me industrinë dhe biznesin mbetet një pikë thelbësore për aftësimin dhe punësimin e studentëve, pasi shumica prej tyre vendosin kontaktet që në auditor, për të vijuar më tej me zhvillimin e praktikave profesionale dhe punësimin pranë këtyre bizneseve, të cilave iu nevojiten teknikë të kualifikuar.
Prej vitit 2015-të, Tirana College of Technology prej 10 vitesh plotëson nevojat e tregut me teknikë të kualifikuar të specializuar në fushat e elektronikës, automjeteve, energjetikës, ajrim-kondicionit, TIK-ut, ndërtimit etj. Aktualisht, krahas diplomave profesionale 2-vjeçare, TCT ofron edhe katër diploma bachelor në Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software.

