Tirana College of Technology është një nga institucionet fituese të thirrjes së Programit të Projekteve të Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2026, i mbështetur financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe Ministria e Arsimit.
Projekti fitues ka të bëjë me zhvillimin e një metodologjie për optimizimin e performancës dhe rritjen e eficiencës së energjisë nëpërmjet përdorimit të Inteligjencës Artificiale në dy hidrocentrale të vegjël në zonën e Kukësit, Hec Bele 1 dhe Hec Topojan 2, në mbështetje të objektivave kombëtare të energjisë 2030. Ai zhvillohet në sinergji me vizionin e Tirana College of Technology për edukimin teknologjik të shoqërisë, njohjen dhe implementimin e teknologjive të reja, për të përmirësuar dhe zhvilluar më tej shoqërinë.
Projekti ka për qëllim të kontribuojë në modernizimin teknologjik të sektorit energjetik shqiptar, përmes aplikimit të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale për rritjen e eficiencës së shfrytëzimit të burimeve hidrike, forcimin e sigurisë energjetike dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të infrastrukturës energjetike.
Metodologjia e projektit bazohet në integrimin e algoritmeve të Inteligjencës Artificiale në sistemet ekzistuese të monitorimit dhe kontrollit të HEC-eve të vegjël. Studimi do të realizohet përmes mbledhjes së të dhënave operative në terren, analizës së parametrave teknikë të funksionimit, identifikimit të devijimeve nga regjimi optimal dhe vlerësimit të kufizimeve të sistemeve aktuale të kontrollit.
Mbi bazën e këtyre të dhënave do të zhvillohen modele të Inteligjencës Artificiale për detektimin e hershëm të defekteve, parashikimin e anomalive dhe optimizimin e performancës energjetike, të cilat më pas do të testohen në kushte reale ose të simuluara.
Zbatimi i projektit është i shtrirë në 2,5 vite, nga qershori i 2026-ës deri në fund të 2028-ës. Në vitin e parë do të bëhet analiza e sistemeve ekzistuese të monitorimit dhe kontrollit dhe më tej vlerësimi i potencialit për integrimin e AI në HEC-et e vegjël, në përshtatje me kornizat ligjore në fuqi, normativat teknike dhe rekomandimet për përmirësim.
Gjatë vitit të dytë parashikohet implementimi i algoritmeve AI në impiant pilot, matja dhe vlerësimi i parametrave duke e krahasuar me gjendjen e para implementimit dhe rezultatet që janë arritur, të paraqitura përmes një studimi. Në punimin final do të paraqitet metodologjia e zhvilluar, rezultatet e testimit, ndikimi në performancën operative dhe rekomandimet teknike për rritjen e eficiencës energjetike, si dhe vlerësime krahasimore me praktikat evropiane dhe modele referuese të digjitalizimit në sektorin hidroenergjetik.
Projekti vjen në kuadër të objektivave kombëtare të energjisë 2030 ku Shqipëria synon të jetë kampione rajonale në këtë sektor përmes përdorimit të energjisë elektrike të pastër nga burime të rinovueshme me një kosto më të ulët, gjë që do të ndikojë pozitivisht në të gjithë sektorët zinxhirë deri te konsumatorët shqiptare.

