Teknologji Automjetesh apo Inxhinieri Mekanike? Zgjedhja pa asnjë dilemë e Arlind Belbës

Arlind Belba nuk është si shumica e maturantëve që presin gjatë, hera-herës deri në datën e fundit, për të vendosur për programin e studimit. Ai e ka të qartë se çfarë do të studiojë dhe ku do të punojë në të ardhmen. E ka vendosur këtë pas mbarimit të gjimnazit në Prrenjas. Kështu që, menjëherë pas hapjes së raundit për plotësimin e preferencave për në universitet, zgjedhja e tij e parë ishte Tirana College of Technology dhe programi profesional dyvjeçar, Teknologji Automjetesh.

Në këto ditë të regjistrimeve për raundin e parë, pedagogët e Tirana College of Technology qëndrojnë pranë çdo maturanti dhe kandidati që paraqitet për interesime apo regjistrime pranë institucionit. Ata informojnë për programet e studimit dhe bëjnë një guidë në ambientet e universitetit, në laboratorët kryesorë ku studentët do të kalojnë një pjesë të rëndësishme të kohës për aftësimin praktik.

Për Arlindin ky nuk është një element që ndryshon diçka në zgjedhjen e vet, pasi tashmë ka ardhur me mendjen e qartë. Nuk është as ndikimi i familjes apo i motrës, së sapodiplomuar në programin e Infermierisë, e cila e shoqëron pranë ambienteve të TCT-së. Është ndikimi i mikut të tij, i cili ka mbyllur studimet në të njëjtin universitet dhe në të njëjtin program studimi.

Profesori i Inxhinierisë Mekanike dhe Teknologjisë së Automjeteve, ing. Ilir Palushi, i shpjegon se me mesataren e tij 7.13 mund të regjistrohet në secilin program që dëshiron, por nëse synimi dhe ambicia e tij është të dalë sa më shpejt në tregun e punës apo të hapë servisin e tij, atëherë Teknologjia e Automjeteve është e duhura.

“Tregu në Shqipëri ka kërkesë shumë të lartë, mjafton të shohim numrin e madh të makinave me motorë me djegie të brendshme apo atyre elektrike që rritet dita-ditës. Bashkëpunëtorët tanë shpesh më telefonojnë dhe kërkojnë studentë për t’i punësuar”, thekson profesori, duke shtuar se mjafton frekuentimi i rregullt dhe dëshira për të mësuar që ai të arrijë të zotërojë profesionin dhe, mbi të gjitha, të punësohet menjëherë pas diplomimit.

“Ky nuk është një profesion zyre. Ai kërkon të përfshihesh në proces e t’i bësh duart me graso”, shton me humor profesor Palushi.

Arlindi nuk është as në mesin e atyre studentëve që kanë si ambicie të mbarojnë këtë program studimi për të shkuar në Gjermani, ku kërkesa e punës për teknikë të tillë mbetet sërish e lartë.

“Dua të rri në Shqipëri, në vendin tim, dhe të realizoj këtu ambiciet e mia”, thotë ai.

Edhe kur motra e tij e pyet nëse do të marrë kohë për ta rimenduar, për të vendosur mes Teknologjisë së Automjeteve apo Inxhinierisë Mekanike, Arlindi refuzon i bindur se nuk ka nevojë të mendojë për atë që tashmë e ka të qartë.