Drejtuesit e Tirana College of Technology vizituan gjimnazin “Gjergj Pekmezi” në Pogradec, nxënëset e të cilit u shpallën fituese të edicionit të parë të konkursit “TCT Energy Challenge 2026”. Projekti FSDA (Filtri Satelitor Dron i Ajrit), i realizuar nga tre maturantet Enxhi, Kejsi dhe Suela, u vlerësua për origjinalitetin në ofrimin e një zgjidhjeje inteligjente për filtrimin e ajrit përmes dronëve. Ky projekt u dallua mes 32 projekteve finaliste dhe mbi 200 aplikantëve nga shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale në të gjithë Shqipërinë. Ai u vlerësua me 1 500 euro, një bursë të plotë dhe një panel diellor 10 kW, i cili është në fazën e fundit të instalimit në ambientet e shkollës.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm mësues, nxënës, prindër dhe përfaqësues të institucioneve vendore, rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr.-Ing. Andonaq Lamani, nuk i fshehu emocionet që i ngjalli kjo vizitë, duke e rikthyer 50 vite pas, kur ishte në të njëjtat banka shkollore në Përmet, qytetin e tij të lindjes.
Prof. Lamani përgëzoi mësuesit dhe nxënësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar, të cilët konkurruan në “TCT Energy Challenge” me dy projekte: FSDA dhe “Smart School”, ndërsa vlerësoi se projekti fitues ka potencial real për t’u zbatuar në zhvillimin e qyteteve inteligjente në Shqipëri.
“E kishim të vështirë përcaktimin e fituesve. Konkurrenca ishte e fortë, por diferenca u bë nga zgjidhjet origjinale që dha grupi fitues. Nxënësit tuaj i kanë përvetësuar jashtë mase, mund të them me themel, njohuritë dhe shpresoj që t’i aplikojnë ato në të ardhmen për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin tonë”, u shpreh rektori.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Industriale dhe Civile, Prof. Asoc. Dr. Shkëlqim Gjevori, dhe administratorja e TCT-së, Diana Biba, vlerësuan përkushtimin e nxënësve dhe mësuesve të këtij gjimnazi, të cilët morën pjesë me dy projekte.
Në përfundim të vizitës, drejtuesit e Tirana College of Technology shprehën mirënjohjen e tyre për drejtoreshën, znj. Renita Piqoni, dhe drejtuesit e gjimnazit “Gjergj Pekmezi” për mikpritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, si dhe një falënderim të veçantë për mësuesen mentore, znj. Klodiana Mançellari, e cila udhëhoqi dhe mbështeti nxënëset gjatë zhvillimit të projektit dhe pjesëmarrjes së tyre në konkurs.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Industriale dhe Civile, Prof. Asoc. Dr. Shkëlqim Gjevori, tha se fitorja e projektit FSDA ishte më se e merituar.
“Është meritë e nxënësve, e stafit mësimor dhe e prindërve që i kanë mbështetur ata. Përveçse ju uroj suksese, dua t’ju këshilloj të mos i ndaheni dijes, sepse me të askush nuk është kurrë i humbur”, u shpreh ai.
Në fjalën e saj, administratorja e TCT-së, Diana Biba, falënderoi drejtuesit e shkollës për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy institucioneve, duke evidentuar se, kur ka vullnet dhe dëshirë për të bërë gjëra të bukura, rezultati është edhe më i kënaqshëm.
Kur idetë gjejnë suksesin
Të gjithë të pranishmit, si edhe ata që ende nuk ishin njohur me projektin fitues, patën mundësinë të mësojnë më tepër për të përmes materialeve të transmetuara në këtë aktivitet. Ai u vlerësua jo vetëm si një arritje e shkollës “Gjergj Pekmezi”, e cila mban emrin e një gjuhëtari, filozofi dhe diplomati të njohur shqiptar, por edhe si një kontribut i rëndësishëm për shkollën, administratën e saj dhe nxënësit që do të studiojnë në të.
Me instalimin e panelit diellor 10 kW, i cili u mundësua nga partneriteti i TCT-së me kompaninë Kiraç Green Energy, gjimnazi do të arrijë të mbulojë pjesën më të madhe të nevojave të tij për energji elektrike, duke lënë hapësirën për investime të reja nga buxheti i planifikuar.

Mësuesja Klodiana Mançellari, e cila mentoroi dhe udhëhoqi grupin e tre maturanteve gjatë gjithë etapave të ideimit dhe ndërtimit të projektit që sugjeron përdorimin e teknologjisë për të luftuar ndotjen, u shpreh e emocionuar dhe krenare për nxënëset e saj.
“Është kënaqësi të punosh me nxënës të tillë. Filluam nga ide të vogla dhe, së bashku, u përpoqëm t’u jepnim formë, t’u jepnim ngjyrë, u dhamë emër dhe ja ku është suksesi”, u shpreh Mançellari.
“TCT Energy Challenge”, konkursi që zbulon talentet e inovacionit
Konkursi “TCT Energy Challenge” është një nismë e kolegjit universitar “Tirana College of Technology”, fokusi i të cilit janë programet profesionale dhe ato të ciklit Bachelor në fushën e teknologjive të reja, si mekanika, elektronika, ndërtimi, energjia elektrike etj.
Përmes këtij kompeticioni synohet gjetja e zgjidhjeve novatore në fushën e energjisë, si dhe zbulimi i të rinjve dhe të rejave të talentuara që kontribuojnë me ide për krijimin e një mjedisi më të pastër, të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe energjisë së gjelbër.
Konkursi u lançua në muajin mars 2026 dhe, për një periudhë dymujore, nxënës nga shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale nga e gjithë Shqipëria, në mënyrë individualeose në skuadër, shprehën interesin e tyre për pjesëmarrje. Në total u regjistruan mbi 200 aplikime, prej të cilave u përzgjodhën 32 projekte për fazën finale, e cila u zhvillua më 16 maj.
Juria, e përbërë nga ekspertë të njohur si Prof. Dr. Andonaq Lamani, Dr. Gjergji Simaku, Prof. Asoc. Dr. Shkëlqim Gjevori, Prof. Dr. Pirro Cipo dhe Ing. Ilir Palushi, vlerësoi të gjitha projektet dhe përzgjodhi tre më të mirat, me idetë më origjinale dhe më të përshtatshme për realitetin shqiptar.
Fituese e vendit të parë u shpall skuadra e vajzave nga shkolla “Gjergj Pekmezi”, Pogradec, me projektin FSDA. Vendin e dytë e zuri shkolla e mesme profesionale për TIK “Hermann Gmeiner”, nbërsa në vendin e tretë u rendit maturanti Bajram Çollaku nga shkolla “Dhaskal Todri”, Elbasan. Juria dha gjithashtu një çmim inkurajues për shkollën “Zhani Ciko” nga Patosi, duke mbështetur kështu projektin “BioFuel Revolution” të maturantit Sokol Baxhia.

