Studentët dhe bizneset trajnohen në TCT për standardet e reja të sistemve të ftohjes

Në kuadër të Ditës Botërore të Ftohjes, Tirana College of Technology, në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit, zhvilloi një sesion trajnues me studentët, bizneset dhe përfaqësuesit e industrisë së ftohjes dhe ajër-kondicionimit. Gjatë aktivitetit u diskutua për rëndësinë e këtij sektori, mënyrën se si e ka transformuar jetën dhe shoqërinë, por, nga ana tjetër, edhe për pasojat që i shkaktohen mjedisit për shkak të emetimit të gazeve të fluoruara, të cilat dëmtojnë shtresën e ozonit.

“Ngrohja globale është deri tani rreziku më i madh që i kanoset globit”, theksoi Ing. Ilir Palushi, ekspert i njohur në fushën e ajër-kondicionimit, duke shtuar se gazet e fluoruara aktualisht kanë rreth 3–4% të përgjegjësisë në ngrohjen globale. Duke parë trendin e jashtëzakonshëm të zhvillimit të këtij sektori, mendohet që deri në vitin 2050, përgjegjësia e tyre të rritet në 10%. Organizatat dhe institucionet ndërkombëtare janë përpjekur ndër vite, që prej Protokollit të Montrealit në vitin 1987, i unifikuar universalisht nga Kombet e Bashkuara, të nxjerrin ligje, direktiva dhe rregullore për reduktimin e hidrofluorokarboneve, të cilat përdoren te ftohësit.

Shqipëria aktualisht ka Ligjin nr. 2/2023 për Gazet Serrë të Fluoruara, i cili përcakton rregullat për importin, eksportin, përpunimin, riciklimin, shkatërrimin dhe vendosjen në treg të gazeve serrë të fluoruara. Pedagogu i TCT-së, Ing. Ilir Palushi, ekspert i njohur në fushën e ajër-kondicionimit, theksoi se të gjitha bizneset që operojnë në këtë sektor duhet patjetër të njihen me detyrimet ligjore sa i përket importit të këtyre gazeve, që përdoren në sistemet e ftohjes dhe kondicionimit, në pompat e nxehtësisë, ftohjen industriale, automjetet etj.

“Që nga 1 janari 2025 është ndaluar kategorikisht përdorimi ose importi i sistemeve të ftohjes me gaze që kanë potencial më të lartë se 150 GWP (Global Warming Potential). Te grupet komerciale lejohen vetëm gazet R290, R600 dhe R454, të cilat deri tani në Shqipëri nuk kanë hyrë. Te dhomat frigoriferike dhe sistemet qendrore lejohet vetëm importi i sistemeve me R744, që do të thotë se përdoret dioksidi i karbonit. Duhet të drejtoheni te CO2. E gjithë Evropa është mbushur me CO2 dhe sistemet ekzistuese po hiqen”, theksoi Ing. Palushi.

Ai këshilloi më tej studentët e Programit Profesional 2-vjeçar Teknologji e Ajrim- Kondicionimit, që bëhen së shpejti pjesë e tregut të punës, si dhe të gjithë operatorët aktualë, që të ndjekin dhe t’u përmbahen ndryshimeve ligjore. Në kuadër të përafrimit të legjislacionit për integrimin evropian, profesor Palushi tha se legjislacioni në Shqipëri do të avancojë me përshtatjen e Rregullores së Bashkimit Evropian 2024/573, ku rregullat për gazrat serrë të fluoruara janë akoma më strikte.

Përfaqësuesi i Njësisë Kombëtare të Ozonit, Neritan Sejamini, tha se Dita Botërore e Ftohjes është një ditë simbolike e caktuar më 26 qershor, në nder të datës së lindjes së William Thomson, Baronit të Parë Kelvin, pionierit të termodinamikës, i njohur për shkallën absolute të temperaturës.

“Mund të ishte çdo ditë e vitit, por është një ditë simbolike, thjesht për të kujtuar edhe arritjet e mëdha të teknologjisë njerëzore, por edhe për të vlerësuar dhe respektuar punën e gjithë atyre teknikëve, inxhinierëve, profesorëve dhe të gjithë atyre që punojnë në sistemin e ftohjes.”

Sejamini theksoi se ky është bërë një nga sektorët më pararojë sa i përket teknologjisë dhe avancimeve, për shkak të ndikimit që ka në klimë.

Në fjalën e tij, rektori i TCT-së, Prof. Dr. Andonaq Londo Limani, ofroi mbështetjen e kolegjit universitar për të gjithë përfaqësuesit e organizatave, institucioneve dhe bizneseve që operojnë në fushën e ftohjes dhe kondicionimit, në trajtimin e çështjeve dhe gjetjen e zgjidhjeve ndaj sfidave me të cilat përballet ky sektor.

Për shkak të kërkesave të tregut, Tirana College of Technology është institucioni i parë në Shqipëri që ka hapur në 2015-ën programin profesional dyvjeçar Teknologji e Ajrim-Kondicionimit, për të përgatitur teknikë të lartë dhe zbatues. Institucioni vijon përpjekjet për të përditësuar kurrikulat me zhvillimet teknologjike më të fundit të fushës, krahas praktikave profesionale që zhvillohen në kompanitë dhe bizneset më të njohura në Shqipëri që operojnë në këtë sektor.