Kristian Deda zgjodhi diplomën profesionale në TCT për të hapur në të ardhmen servisin e tij

“E ka shumë të qartë se çfarë dëshiron në të ardhmen”, thotë motra e tij juriste, e cila e shoqëron për t’u regjistruar në programin profesional dyvjeçar, Teknologji Automjetesh. “Duket i urtë, por në fakt është shumë i vendosur dhe i qartë për dëshirat e tij. Kështu ka qenë gjithmonë”, shton ajo.

Zgjedhja e një zanati ka qenë përparësi e Kristian Dedës qysh kur ai ishte nxënës në shkollën 9-vjeçare. Ky synim diktoi zgjedhjen e shkollës së mesme. Nuk vendosi të shkonte në gjimnaz, por vijoi të studionte në shkollën profesionale “Karl Gega” në Tiranë, i profilizuar në fushën e Mekanikës.

“Gjatë viteve të shkollës së mesme më lindi më shumë dëshira për t’u marrë me automjetet dhe iu përkushtova më gjatë kësaj pjese”, tregon Kristiani. Jo vetëm që ka mësuar më shumë për makinat dhe mekanizmin e tyre, por ka vendosur edhe të punojë gjatë muajve të verës.

“Pjesa jo aq shumë e njohur për ne në servis është ajo e makinave elektrike.” Ai shton se nevojitet specializim në këtë profil, për shkak të tendencës gjithmonë në rritje të përdorimit të makinave elektrike në vendin tonë.

Historia e tij është e ngjashme me atë të shumë studentëve të tjerë që vendosin të zhvillojnë pasionin e tyre. Përveç pasionit për autimjetet, Kristiani ka edhe një arsye tjetër pse dëshiron të marrë një diplomë profesionale: ai synon që pas përfundimit të studimeve të hapë servisin e tij.

Për t’u pajisur me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kërkohet një diplomë profesionale 2-vjeçare në profilin e Automjeteve, ose një diplomë e shkollës profesionale, e shoqëruar me një përvojë pune 5-vjeçare në servise. I informuar për këta elementë të rëndësishëm në ushtrimin e zanatit, por edhe për t’u specializuar më tej, Kristiani vendosi të ndjekë studimet e larta.

Motra e tij luajti një rol po aq thelbësor për zgjedhjen e universitetit. Pas bisedës mes tyre, ajo nisi kërkimin në internet për gjetjen e institucionit që ofronte këtë program.

“I pari që më doli në Google ishte Tirana College of Technology. Pastaj hyra në ueb, u njoha më shumë me prfilin e kolegjit, pashë rrjetet sociale dhe na pëlqeu. Nuk e pamë aspak të arsyeshme të kërkonim institucione të tjera”, thotë ajo.

Kristiani është një ndër shumë studentët e tjerë që zgjedh të studiojë në programet profesionale, pavarësisht se mesatarja i mundëson vijimin e studimeve edhe në programet bachelor, në të cilat kërkohet mesatare mbi 6.5. Kjo sepse dëshiron të zotërojë si duhet zanatin e tij dhe të hyjë sa më shpejt në tregun e punës. Aktualisht, TCT-ja ofron si diplomat profesionale (tetë programe), ashtu edhe ciklin bachelor me Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Civile, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Software.

# Posted In: