Kalimi nga një monitorim tradicional në një monitorim inteligjent është objektivi kryesor i projektit të Tirana College of Technology, i cili synon integrimin e Inteligjencës Artificiale në hidrocentrale.
Projekti “Zhvillimi i një metodologjie për optimizimin e performancës dhe rritjen e eficencës së energjisë nëpërmjet AI në hidrocentralet e vegjël, HEC Bele 1 dhe HEC Topojan 2, në mbështetje të objektivave kombëtare të energjisë 2030” është pjesë e thirrjes së Programit të Projekteve të Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2026.
Projekti mbështetet financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Ministria e Arsimit, ndërsa do të implementohet në bashkëpunim me kompaninë Euro Energy.
Gjatë një sesioni informues me pedagogët dhe ekspertët në fushën e energjisë dhe teknologjive, pedagogët e TCT-së, Prof. Piro Cipa dhe MSc. David Meçani, folën më hollësisht mbi objektivat e këtij projekti, për të kontribuar në modernizimin teknologjik të sektorit energjetik shqiptar, përmes aplikimit të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale. Fillimisht, ai do të aplikohet në dy hidrocentrale të vegjël në zonën e Kukësit, HEC Bele 1 dhe HEC Topojan 2, për të vlerësuar mundësitë e përdorimit të teknologjive të reja në rritjen e eficencës së energjisë në vend.
Duke e cilësuar një projekt mjaft interesant për matjen e eficencës dhe përmirësimin e saj, profesor Piro Cipa bëri një pasqyrim të kushteve aktuale në të cilat punojnë sot dy hidrocentralet që do të monitorohen. Sistemi aktual ka dy turbina të tipit të Francis, që kanë rreth 5 MW fuqi, shpejtësia e ujit është rreth 8 m/s dhe prurja është rreth 15 deri në 20 m³/sekondë. “Sistemi i turbinave Francis ka rregullatorin e shpejtësisë, për të cilin ne, si objekt, do të kemi mundësinë që të shikojmë mundësinë e veprimit të rregullatorit të shpejtësisë së turbinës, po ashtu edhe bllokut të gjeneratorit”, tha Cipa, duke shtuar se së shpejti do të bëhet një vizitë në terren për të parë më konkretisht funksionimin dhe mundësinë për ta përmirësuar.

“Qëllimi i projektit është integrimi i IA-së në programin SCADA, për të bërë jo vetëm monitorimin, por edhe përditësimin e të dhënave. Në këtë mënyrë do të bëhet vlerësimi i performancës operative të këtyre HEC-eve në Shqipëri dhe më tej zhvillimi i mekanizmave që do të optimizojnë sektorin energjetik”, do të shprehej Meçani.
Ai shtoi se ky është një projekt pilot, i cili do të implementohet në një kompani private, i cili, nëse rezulton efektiv, mund të përhapet edhe për hidrocentrale të tjera.
Kohështrirja e tij do të jetë 2 vite e gjysmë dhe do të konkludohet me një studim final që specifikon metodologjinë e zhvilluar, rezultatet e testimit, ndikimin në performancën operative, si dhe vlerësime krahasimore me praktikat evropiane dhe modele referuese të digjitalizimit në sektorin hidroenergjetik.
Projekti vjen në kuadër të objektivave kombëtare të energjisë deri në vitin 2030, ku Shqipëria synon të jetë kampione rajonale në këtë sektor përmes përdorimit të energjisë elektrike të pastër nga burime të rinovueshme me një kosto më të ulët, gjë që do të ndikojë pozitivisht në të gjithë sektorët zinxhirë deri te konsumatorët shqiptare.

