Mbi 6 dekada në auditor/ Piro Cipo, profesori që sfidon kohën

 

I dalë nga shkollat e rrepta të komunizmit, profesor Cipo nuk ka qenë kurrë një model i tillë. Edhe pas 63 vitesh në auditor, ai mbetet pranues ndaj të resë duke dëshmuar se profesionalizmi është edhe aftësi për t’u përshtatur.

Është java e parë e sezonit të provimeve. Profesor Piro Cipon e gjejmë në zyrë, në katin e parë të Tirana College of Technology, zhytur mes dosjeve me teza provimesh që kërkojnë aprovimin e tij. Po bën rregullimet e fundit të tabelës me datat e provimeve, klasat dhe monitoruesit. Pedagogët i atashojmë vetëm me mësimdhënien, por në fakt, përveç auditorit, janë me dhjetëra procedura që duhet të kryhen prej tyre për mbarëvajtjen e gjithë procesit akademik. Profesor Cipo është i tejmësuar me to. I është dashur t’i kalojë këto etapa për më shumë se gjashtë dekada, fillimisht në auditorin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, më vonë në atë të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe tashmë në Tirana College of Technology.

Përfundimi me rezultate të shkëlqyera i Shkollës së Mesme “Politeknikumi 7 Nëntori” për elektrikë, në vitet 1954-1958, vulosi “fatin” e tij duke e lidhur përjetësisht me auditorin. Vijoi deri në 1963-shin studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës prej ku u diplomua si Inxhinier Elektrik. Menjëherë u emërua asistent lektor në Departamentin Elektrik për të dhënë ushtrimet e lëndës ”Bazat teorike të elektroteknikës”. Për shkak të mospërputhjes së orareve, nuk arrinte t’i ndiqte gjithmonë leksionet e Prof. Dr. Bardhyl Golemit. Pas tre vitesh, kur erdhi momenti i tij për të marrë drejtimin e lëndës, kujton se nuk ishin edhe aq të lehta ato 50 minuta përballë 20 studentëve në sallë.

“Nuk duhet të zgjatesh shumë dhe duhet ta optimizosh problemin në mënyrë që të plotësohet programi i lëndës”, ishte këshilla që i dha pedagogu i tij Bardhyl Golemi.

E gjeti aq të vyer këtë këshillë sa i qëndroi besnike gjatë gjithë punës akademike. Madje, kujton me të qeshur një ngjarje në Kosovë, kur jepte mësim për studentët shqiptarë në Universitetin e Prishtinës, në kuadër të marrëveshjes që kishte shteti shqiptar i kohës me drejtuesit e ish-Jugosllavisë për kualifikimin shkencor dhe didaktik të stafit akademik shqiptar.

Ndërmjet viteve 1972- 1980, profesor Cipo udhëtoi herë pas here, sipas një kalendari që ezauronte gjithë programin mësimor, në anën tjetër të kufirit shqiptar për të dhënë lëndën “Teoritë e qarqeve”. Një ditë e ndalon një koleg nga Shkupi dhe e pyet: Mos po u jep më shumë leksione studentëve shqiptarë, sesa u japim ne studentëve serbë? “Unë kam qenë korrekt gjithmonë. I them se thjesht po zbatoj programin dhe ia tregoj të gjithë temat që përfshiheshin”, rrëfen profesori.

Përtej detyrës së pedagogut, të cilën e mori ende pa u shkëputur vetë nga auditori, shumë herët i është dashur të marrë përgjegjësi dhe detyra drejtuese. Me emërimin e profesor Golemit si zv/ministër, i ngarkuan drejtimin e katedrës së elektroteknikës, krahas dhënies së disa lëndëve.

Dedikimi i shoqëruar me rezultate pozitive u shpërblyen që në krye të herës. Në vitin 1984 mori titullin “Docent”. Dhjetë vite më vonë siguroi titullin “Profesor i asociuar” dhe në 1999-ën u bë “Profesor”. Aktiviteti shkencor, puna me publikimin e teksteve universitare, ndërtimi i kurrikulave dhe programeve mësimore, kanë qenë pjesë e pandarë e karrierës së tij. Janë me dhjetëra kërkime shkencore, botime, pjesëmarrje në konferenca shkencore dhe borde botimesh, që ia bëjnë eksperiencën të larmishme. Ka qenë kjo arsyeja që për shumë vite i kanë besuar detyrën e zëvendës/dekanit për kërkimin shkencor në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ka qenë “Scientific Reviewer” në disa konferenca ndërkombëtare, të tilla si “EMC and Medpower 2008” Selanik dhe “Power Electronic and Electric Motion” 2012, Subotice. Po ashtu, ka qenë kryetar i Redaksisë së Buletinit të shkencave teknike(BSHT) të Universitetit Politeknik të Tiranës, e më tej anëtar i Bordit Editorial të Revistës shkencore ndërkombëtare “Journal of Applied Electromagnetism”.

Gjatë viteve 1997-2003 ka qenë Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, post që e ka mbajtur edhe në 2009-2010. Ka qenë, gjithashtu, drejtues i Këshillit të Profesorëve, Kryetar i Këshillit të Fakultetit dhe anëtar i Senatit të UPT. Më tej u zhvendos në sektorin privat të arsimit të lartë dhe prej vitit 2015-të është pjesë e Tirana College of Technology, kolegjit të parë që ofroi arsimin profesional 2-vjeçar në Shqipëri, ku ka mbajtur detyrën e përgjegjësit të Departamentit të Teknologjisë së Informacionit.

Një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit akademik, profesori thotë se kanë qenë specializimet. Ka kryer disa të tilla përgjatë viteve duke nisur me Kinën në 1973-shin, për të vijuar me Universitetin Teknik të Vjenës (1983), Universitetin e Siegenit në Gjermani, Universitetin Kombëtar të Athinës dhe Universitetin Politeknik të Barit.

Mbetet i veçantë udhëtimi i parë në Shangai. Ishin dy ditë rrugë, me një itinerar që përfshinte Budapestin, Moskën, Siberinë, Irkutskun dhe më tej Pekinin. Aty u bë dëshmitar i festimeve masive për festën kombëtare të 1 tetorit, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të shtetit kinez. Pamja nga Shangai i shkaktoi befasi. “Ishte tepër perëndimor në urbanistikë, shihje gjithandej grataçela”, tregon profesori, teksa kujton edhe mbresat e mira që i la atmosfera akademike në universitetin ku ai qëndroi për tre muaj.

Vizitat dhe specializimet e mëvonshme janë zhvilluar me mbështetjen e projekteve të Bashkimit Evropian. Në kuadër të Tempus, ka qenë përfaqësuesi shqiptar në projektin që përfshinte Universitetin e Siegenit dhe Universitetin Teknik Kombëtare të Athinës, gjatë të cilit stafi akademik pati mundësinë e zhvillimit të vizitave studimore një mujore në universitetet partnere si dhe u siguruan pajisje laboratorike. Një tjetër projekt dobiprurës ishte ai mes UPT-së dhe Universitetit të Ankonës, ku falë donacioneve të qeverisë italiane pati sërish mbështetje në infrastrukturë.

I palodhur, profesori vijon përpjekjet për të mësuar nga teknologjitë e fundit dhe për të sjellë diçka të re për auditorin. Teksa ndjek të gjitha workshop-et dhe diskutimet në TCT për edukimin dhe përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale, thotë se e përdor atë për t’u informuar për metodologjitë më të avancuara në fushën e tij të ekspertizës që aplikohen sot në universitetet më të mira në botë. Nuk është besimtar i verbër i AI-së, por e sheh teknikisht mjaft orientues. Sipas tij, duhet të punohet më tepër nga ana ligjore, për ta bërë një mjet të sigurt në duart e brezave të rinj.

Angazhimi i tij në mësimdhënie shkon përtej një pune të zakonshme dhe një orari të përcaktuar. Kurrë nuk ka qenë i tillë. Dëshmi e kësaj është marrëdhënia që ka ndërtuar me auditorin dhe ish-studentët. Edhe pse kanë kaluar vite e disa prej studentëve të tij sot janë në pension, ruan ende komunikimin. “Mblidhen herë pas herë dhe më ftojnë. Më kënaq fakti që kemi ruajtur një respekt të ndërsjellë”, thotë profesori, duke treguar shkëmbimin e fundit në grupin e tyre në Whatsapp. Është një shprehje e Artur Shopenhauerit: “Njerëzit e lumtur nuk janë ata që kanë më shumë, por ata që kënaqen me më pak”, mendësi ndoshta e kontestuar, por edhe filozofi e lashtë sa vetë jeta.

*Ky shkrim është përgatitur në kuadër të rubrikës “Dita e parë në auditor”, për Revistën MAPO