Energjia është kudo në përditshmërinë tonë, impakton lëvizjen, organizimin dhe vendimet që ne marrim. Jo vetëm kaq! Ajo është fjala kyçe e vendimmarrjes qeveritare, e shumë strategjive rajonale dhe globale. Gjithnjë e më tepër po investohet drejt energjisë së rinovueshme, energjisë së gjelbër dhe gjetjes së metodave alternative që ruajnë mjedisin dhe mirëqenien e shoqërisë.
Orientimi drejt këtyre metodave të reja kërkon edukim dhe angazhim të brezave të rinj, për t’i vetëdijësuar si fillim, që të përqafojnë këtë mënyrë të re jetese me përgjegjshmëri për jetët e ardhshme.
Për të përfshirë dhe nxitur ide të reja që i kontribuojnë mjedisit shqiptar, kolegji universitar Tirana College of Technology organizon për herë të parë konkursin me temë “Energy Challenge 2026”. Ky konkurs është i hapur vetëm për maturantët, të cilët kanë njohuri, janë të kuriozuar ndaj fushës së energjisë, iu pëlqen teknologjia, janë kuriozë dhe, pse jo, duan të investohen në të ardhmen profesionalisht në fushën e energjisë dhe teknologjive që përmirësojnë burimet energjetike.
I lançuar në muajin mars, thirrja për aplikime do të qëndrojë e hapur deri më 15 prill. Gjatë kësaj periudhe, maturantët mund të dërgojnë punimet e tyre në një nga kategoritë e paraqitura nga organizatorët, duke iu lënë kështu hapësirë për të shprehur veten e tyre në mënyra të ndryshme.
Ata mund të konkurrojnë përmes shkrimit, duke sjellë një projekt kërkimor që eksploron burimet e energjisë në ambientin ku jetojnë, impaktin, efektet apo fenomenet që vërejnë në përditshmërinë e tyre. Kategoritë e tjera të konkurrimit janë realizimi i një videoje, i një aplikacioni apo infografike, të cilat trajtojnë apo eksplorojnë implikimin e energjisë në realitetin shqiptar.
Pas dorëzimit të punimeve deri më 15 prill, ato do të shqyrtohen nga një juri profesioniste e përbërë nga pedagogë, ekspertë të fushës së energjisë dhe përfaqësues biznesesh, të cilët do të përzgjedhin tre idetë më të mira, që do të vlerësohen me tre çmime financiare.
Fituesi i vendit të parë do të vlerësohet me 1500 euro dhe me bursë të plotë; fituesi i vendit të dytë do të vlerësohet me 1000 euro dhe me bursë 75%, ndërsa fituesi i vendit të tretë do të marrë 500 euro dhe gjysmë bursë.
Po ashtu, përfitues nga ky konkurs do të jetë edhe shkolla prej së cilës do të dalë maturanti i vendit të parë, e cila do të marrë një panel diellor 10KW. Të gjithë maturantët që duan të informohen më tepër mbi këtë konkurs, kategoritë e konkurrimit apo ecurinë e tij, TCT ka vendosur në dispozicion adresën e email-it: [email protected].

